Presidenti Meta: Kam vendosmëri për të qenë bashkëpunues me institucionet
Në komunikimin javor me gazetarët në lidhje me zhvillimet politike, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se do të jetë i palodhur për zbatimin e Kushtetutës. Ndërkohë, ka zbuluar se i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi për procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.
”Kemi përfundimisht të përkthyer raportin e Komisionit të Venecias. Kam vendosmëri për të qenë bashkëpunues me institucionet. Sot i kemi përcjellë shkresën kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë të ketë mundësi, nga e hëna që vjen. Ju do të thoni pse nga e hëna? Sepse sot kemi të përkthyer në mënyrë të certifikuar dhe zyrtare raportin e Komisionit të Venecias. Ky është një dokument zyrtar dhe me përgjegjësi të plotë nga institucioni i presidentit, do t’u dërgohet të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Kuvendit, nëse edhe ata kanë bërë një përkthim të certifikuar e mirëpresim, po ashtu do ia nisim edhe KED-së. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale, është kryekusht edhe për Integrimin”.
Ndër të tjera, kreu i shtetit tha se është i gatshëm për bashkëpunim për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi. Sipas Metës, ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kushtetuese duhet të bëhet urgjentisht, pasi ky është kryekushti i Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Dua të përqendrohem mbi tre elementë kryesorë. Së pari po e nis me Komisionin e Venecias, për arsye të urgjencës që ka ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë Kushtetuese. Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare kryetarit të kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.
Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit, sepse është kryekusht nga PE. padyshim që edhe Bundestagu dhe KE, PE, Parlamenti Danez, etj, do ta marrin në variantin origjinal raportin e Venecias.
Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Kjo realizohet jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit nga të gjithë. Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.
Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur aktakuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill. Presidenti Meta, teksa e ka cilësuar si një zhvillim sfidant, e quan edhe si strategji për të njollosur UÇK-në.
”Çështja e dytë është për aktakuzat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Natyrisht që është një zhvillim mjaft sfidant, i cili absolutisht që jam i sigurt, që do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi nga jo vetëm këto dy personalitete por edhe nga presidenti i cili ka qenë udhëheqësi kryesor politik i UÇK, por edhe Veseli, që duke vlerësuar se nuk është një sfidë e tyre në planin individual, jam i bindur që do të përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga klasa politike në Kosovë.
Nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të UÇK-së, të kemi aktakuza, të gjithë kemi eksperiencën e këtyre 20 viteve, ku pala që shkaktoi luftën dhe gjenocidin e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK, por jo vetëm kaq, por edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit jo vetëm që është njohur nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, por edhe ka treguar se është faktor stabiliteti për rajonin.
I shpreh solidaritetin tim edhe si president por edhe si mik dhe shok me presidentin e Kosovës, por edhe me kryetarin e PDK-së dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet për të konfirmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rrëzuar këtë strategji provokative që kërkon të mbajë peng rajonin dhe të minojë integrimin si në disa vende fqinje”.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/297649334952638/
“Bashkëpunim me Ruçin”, Meta: Nëse do bëhej takimi i 2017-tës, opozita do ishte në Parlament
Në daljen e tij të përjavshme para gazetarëve, presidenti Ilir Meta foli edhe për një bashkëpunim me kreun e Kuvendit Ruçi.
Meta deklarou se i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit për një takim sa më parë të ketë mundësi duke nisur nga e hëna që vjen
“Për arsye të rëndësisë dhe urgjencës që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetese në mënyrë kushtetuese. Nuk kemi çfarë të negociojmë por vetëm të bashkëpunojmë”, tha kreu i Shtetit.
Pyetje: Yuri Kim deklaroi se komisioni i Venecias nuk shpalli asnjë fitues, por thash se duhet dialog me Kuvendin. Meqë kemi pasur negociata të shumta, a jeni ju gati që të uleni me kryetarin e Kuvendit për të zgjidhur këtë ngërç institucional?
Meta: Nuk kemi çfarë negociojmë, por duhet të bashkëpunojmë. Kjo një shkresë e 9 nëntorit e vitit 2017 nga presidenti për BE-në dhe Euralius, për të parandaluar problemet e KED-së, me hedhjen e shortit, me parandalimin e atyre gjërave që ndodhën këto 3 vite.
Nëse ky takim nuk do të ishte minuar me presidentit, kreut të Kuvendit dhe BE-së, atëherë vendi nuk od të kishte qëndruar asnjë sekondë pa gjykata kushtuese. Besueshmëria e reformës në drejtësi do të ishte në nivelet më të larta dhe as opozita nuk do të kishte pasur justifikime për tu larguar nga parlamenti dhe negociatat do të ishin hapur me kohë. Nga Venecias nuk kam pritur ndonjë dekoratë, biles kam thënë që po lëmë nam se Venecia na e ka shkruar kushtetutën.
Unë si presidenti e kam për detyrë që të kujdesem për mbarëvajtjen e institucioneve. Do t’ua dërgoj të gjitha se çfarë detyrash duhet të kenë të gjitha institucionet të cilat janë të përfshira. I mirëpres zyrtarisht të më sjellin sugjerimet nga rekomandimet e Venecias që unë si president duhet t’i përmbush. Nuk duhet vendosur ky kusht nga BE, por u vendos pasi nuk ka asnjë vend të botës që nuk ka një gjykatë kushtetuese funksionale.
Pyetje: Dje grupi i PS-së dha dakordësinë për kandidaturën e propozuar nga ju. Si do t’u përgjigjeshit zërave që kjo kandidaturën u zgjodh jo se ishte më i mirë, por sepse ka një marrëveshje mes jush dhe Ramës, që ju të miratoni eurobondit dhe ata të kalonin një kandidaturë të tillë?
Meta: Nuk e ekziston një marrëveshje e tillë. Nuk kam ndërmend të merrem me me thashetheme. Ju e dini mirë qëndrimin tim në lidhje me eurobondit. U risoll mendimi i Bankës së Shqipërisë dhe besoj se i keni lexuar të gjitha arsyet pse e kemi rikthyer dje ligjin për kripto-monedhën. Këtu çdo ligj që është në përputhje me kushtetutën, miratohet menjëherë dhe çdo gjë tjetër që bie ndesh kthehet për rishqyrtim.
Se çfarë vendimi merr parlamenti për kandidaturën e presidentit është punë e parlamentit. Sigurisht që unë jam i zhgënjyer që u refuzuan 3 kandidaturat e mëparshme.