Presidenti Meta, Kuvendit: Ndërprisni urgjent hetimin për shkarkimin tim!
Presidenti Ilir Meta sqaron përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të gjitha arsyet pse Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund të marrë vendim për shkarkimin e tij. Mes të tjerash, në letër, Kreu i Shtetit përmend edhe faktin që ky Kuvend nuk ka opozitë, një tjetër arsye që, sipas tij, e bën jo legjitim për të kryer veprimtari hetimore.
“Ky Kuvend, si në asnjë vend tjetër demokratik, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij. Ndaj dhe mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi aktual njëpartiak, në këto kushte, në këtë periudhë/kohë, e në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur, dhe as për të kryer veprimtari hetimore”, shkruan Meta.
Më tej, Meta i kërkon Kuvendit të reflektojë dhe të shfuqizojë vendimin për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij, të ndërpresë menjëherë të gjitha procedurat hetimore parlamentare që po zhvillon ky komision, si dhe të mos ndërmarrë vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit.