Presidenti Meta: Nënshtetësia shqiptare nuk e zgjidh problemin e vizave për Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta në një intervistë dhënë për “Radio Televizionin e Kosovës – RTK” ka komentuar çështjen e liberalizmit të vizave. Presidenti e cilëson si jo të drejtë kushtëzimin e BE për liberalizmin e vizave me Kosovën. Ndërkohë ka theksuar se dhënia e nënshtetësisë shqiptare për qytetarët e Kosovës nuk e zgjidh problemin e vizave.

Meta, dje dhe sot keni takuar zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës. Cilat kanë qenë temat kryesore të këtyre takimeve?

Në qendër të gjithë takimeve dhe bisedimeve është forcimi dhe konkretizimi i mëtejshëm i partneritet strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Rritjen e përfitimeve të qytetarëve tanë, të dy vendeve nga ky bashkëpunim dhe njëkohësisht edhe forcimin e perspektivës evropiane për të dyja vendet tona.

Në takim me Presidentin e Kosovës patët një kërkesë nga z. Thaçi, që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi shqiptare. Cila është përgjigja juaj për këtë?

Unë kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e vlerësoj në radhë të parë si një protestë në emër të të drejtave të qytetarëve të Kosovës ndaj një kushtëzimi jo shumë të drejtë dhe racional të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çështjet e demarkacionit apo me çështje të tjera, kur është një fakt i njohur dhe i gjithëpranuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizove.

Madje, ka plotësuar dhe më shumë se vende të tjera që tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave. Dhe jam i informuar për shumë raste, jo vetëm të pamundësisë së qytetarëve të thjeshtë të Kosovës për të lëvizur lirisht në vende të caktuara të Bashkimit Evropian për arsye të shkollimit apo të problemeve shëndetësore. Por edhe të rasteve të pamundësisë dhe vështirësive për zyrtarë të institucioneve më të larta të Kosovës dhe kjo natyrisht që nuk është normale. Dhe sigurisht, ne këtë problem e kemi ngritur edhe në takime që kemi patur me drejtues, përfaqësues të Bashkimit Evropian në të kaluarën, që nuk është e drejtë dhe normale që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Kur është një fakt i njohur që përpara 40 vitesh për qytetarët e Kosovës, si pjesë e ish-Jugosllavisë së atëhershme, ka qenë shumë e lehtë për të lëvizur lirisht në vendet evropiane, ndërkohë që shqiptarët e Shqipërisë në atë kohë e kishin të pamundur ta ëndërronin një gjë te tillë.

Kush është përgjigja? Padyshim që po të varej prej meje dhe thjeshtë për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë, si Parlamenti dhe Qeveria, kjo gjë do të ishte bërë që dje dhe jo që sot. Por duhet të keni në konsideratë faktin që në radhë të parë kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës. Pra, thjeshtë marrja e nënshtetësisë shqiptare për të patur mundësinë për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave në pamundësi për të kaluar këtë kushtëzim që ekziston sot nga BE për çështjen e liberalizimit të vizave për arsye. Sepse së pari në rast se do të ishte një mundësi afatshkurtër, përsëri kjo nuk do të zgjidhte problemin e zhbllokimit të proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike të Kosovës në një plan afatgjatë.

Së dyti, kjo mund të mos ishte asnjë zgjidhje afatshkurtër për arsye se Shqipëria, e cila ka në fuqi aktualisht marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, padyshim që është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, të cilat kanë të bëjnë me parametrat e kontrollit të kufijve, të cilat kanë të bëjnë ende me parametrat e sigurisë të dokumenteve të udhëtimit dhe identifikimit, me parametrat e luftës kundër krimit të organizuar, me parametrat të kërkesës së azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet ku shqiptarët e Shqipërisë lëvizin pa viza. Që kanë të bëjnë me mënyrën se si jepet nënshtetësia apo shtetësia shqiptare, jo vetëm ndaj shtetasve shqiptar siç është rasti i shqiptarëve të Kosovës apo të Maqedonisë apo kudo qoftë, por edhe shtetasve të tjerë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që kanë të bëjnë dhe me monitorimit që marrëveshja ka për heqjen e vizave me vendet e tjera, që mund të konsiderohen vende problematike për BE apo për vendet e zonës Shengen.

Dhe me pak fjalë, një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Pra, mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë.

Kështu që në këtë drejtim ne duhet të shtojmë përpjekjet tona, sikurse kemi theksuar dhe në deklaratën e përbashkët me Presidentin Thaçi për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, ashtu sikurse duhet të punojmë dhe në mirëkuptim dhe në mirëbesim edhe me palët e Malit të Zi, por edhe me Bashkimin Evropian për çështjen e demarkacionit.

Ju jeni prej shumë kohësh në politikë. A vlerësoni se dy kërkesat e BE të cilat u përsëritën edhe sot në një konferencë nga përfaqësuesja e tyre në Kosovë se duhet të plotësohen edhe dy kërkesat, pra demarkacioni dhe asociacioni, janë kërkesa politike që po i bëhen Kosovës dhe që nuk i janë kërkuar vendeve të tjera me qytetarët e tyre që lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE në zonën Shengen?

Kemi të bëjmë me një situatë jo të zakonshme. Ashtu sikurse ishte plotësisht e pazakonshme kërkesa e BE apo standardi që iu vendos Malit të Zi përpara referendumit për pavarësinë, se Bashkimi Evropian do ta njihte pavarësinë e Malit të Zi vetëm nëse pro pavarësisë do të votonin të paktën 55% e qytetarëve. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë në asnjë rast tjetër, pasi kuptohet se çfarë absurditeti do të ishte në rast se do të kishin votuar 54% pro pavarësisë, pra shumica dhe përsëri Mali i Zi nuk do ta kishte këtë pavarësi.

E përmenda këtë rast dhe në konferencën për shtyp me Presidentin Thaçi dhe gjej rastin ta përmend edhe këtu për të qenë të ndërgjegjshëm që qëndrime shpesh jo dhe kaq parimore, por të imponuara nga rrethana të caktuara janë të vendosur në kohë të caktuar edhe në vende të tjera, por qoftë edhe për Shqipërinë në rrethana të ndryshme të zhvillimit demokratik edhe të proceseve integruese.

Megjithatë, për mua është tepër e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet, kuptohet edhe pas zgjedhjeve vendore, për një zgjidhje sa më parimore dhe sa më të mençur të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi sepse kjo do të zhbllokonte jo thjeshtë liberalizimin e vizave.

Si mendoni se duhet të zgjidhjet çështja e demarkacionit me Malin e Zi? Tashmë kemi deklaratat edhe zyrtarëve më të lartë të Malit të Zi, keni edhe deklaratat e reja të zyrtarëve që udhëheqin tani qeverinë e Kosovës…

Nuk mendoj se kjo është një çështje që mund të zgjidhet nën ethet e fushatës për zgjedhjet vendore, dhe që rriten çdo ditë, dhe që është normale në një fushatë deri në përfundimin e këtyre zgjedhjeve. Por, absolutisht është një çështje që duhet zgjidhur në mënyrë parimore, konstruktive dhe në mënyrë të mençur, pasi është interesi i Kosovës, jo vetëm të tejkalojë këtë problem, por dhe të zhbllokojë çështjen e liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, por njëkohësisht edhe të zhbllokojë gjithë proceset e tjera integruese dhe të kërkojë një perspektivë më të qartë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nga Bashkimi Evropian.

E kuptoj që çështjet e zgjidhjes apo të përcaktimit të kufijve apo të fqinjësisë së mirë janë një standard i rëndësishme i BE-së për të mbështetur aspiratat për integrim të vendeve aspirante.

Duke parë zhvillimet edhe në Evropë por edhe në të gjithë Botën, cili është roli i shqiptarëve në tërë këto zhvillime?

Unë besoj se roli i shqiptarëve në tërësi ka qenë një rol mjaft pozitiv dhe konstruktiv. Jo vetëm i Shqipërisë në rajon, i Kosovës, i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë gjithmonë një faktor stabiliteti dhe një faktor orientues për Maqedoninë në rrugën e integrimeve evropiane, euroatlantike. Shqiptarët kanë qenë në faktor përcaktues për rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, për pavarësinë e Malit të Zi, për stabilitetin e Malit të Zi dhe në tërësi kudo në të gjitha hapësirat e rajonit tonë. Kuptohet që shqiptarët mund ta fuqizojnë rolin e tyre vetëm duke vazhduar në këtë mënyrë dhe sa më shumë konsensus ne të demonstrojmë në Kosovë midis forcave politike këtu, në Maqedoni, midis forcave politike shqiptare, në Preshevë apo në Malin e Zi, për disa çështje të mëdha të cilat nuk kanë të bëjnë me politikën e ditës apo me mandatet 4-vjeçare të të qenurit në qeveri apo në opozitë, por kanë të bëjnë me zgjidhje përcaktuese për të ardhmen evropiane të çdo vendi ku shqiptarët jetojnë dhe të gjithë rajonit, aq më shumë do të faktorizohet roli i shqiptarëve aq më shumë mbështetje shqiptarët do të gjejnë edhe aq më mirë do t’i realizojnë aspiratat e të gjithë qytetarëve për një jetë më të mirë dhe më të sigurt, njëkohësisht për të krijuar një ambient sa më të sigurt për investimet vendase për investimet e huaja kudo.

Cili është vlerësimi juaj, si e shohin vendet e BE-së tani Shqipërinë dhe Kosovën? Si vende që kanë ndikim në Ballkan apo i kanë ende sytë te vendet e tjera më të fuqishme?

Së pari, duhet të kemi në konsideratë që koha vëmendja që i kushtohet rajonit tonë është shtrënguar për arsye se sfida shumë më të mëdha e kanë detyruar Bashkimin Evropian që t’i kushtojë një vëmendje dhe një energji të paparashikuar më parë këtyre sfidave. Sfidat që kanë të bëjnë që nga terrorizmi, që ka goditur disa herë në zemër të Evropës, sfida që kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm, sfida të cilat kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, me krizën ekonomike me të cilën Europa u ndesh dhe që për fat të mirë ka filluar një rekuperim i situatës ekonomike dhe financiare në vendet e Eurozonës dhe të BE-së. Por edhe fsfida të tjera të cilat janë problematike dhe kërcënuese si ato që kanë të bëjnë me krizat që ndodhën pas pranverës arabe, çështje të tjera sikurse është kriza e marrëdhënieve të perëndimit me Korenë e Veriut e shumë të tjera të cilat do të duhej kohë për t’i numëruar.

Kështu që në këto kushte mendoj që është tepër e rëndësishme që ne të gjithë këtu në rajon të marrim më shumë përgjegjësi dhe të realizojmë një performancë akoma më të mirë se sa deri tani, pasi duhet të bëjmë më shumë për të bindur BE-në se vendet tona do t’i arrijnë dhe do t’i respektojnë detyrimet që burojnë nga një anëtarësim i mundshëm në BE dhe nuk do të jenë një problem akoma më shumë i BE-së në të ardhmen.

Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që të jenë faktor më të fuqishëm në Ballkan?

Mendoj se duhet të bëjmë më shumë për forcimin e institucioneve demokratike në rritjen e kredencialeve demokratike të Shqipërisë, Kosovës dhe të vendeve kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo do t’u jepte dhe më shumë aleatë dhe më shumë përkrahës dhe do të rriste përkrahjen e tyre për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo në rajon. Sigurisht edhe arritja e atyre standardeve në shumë reforma që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, të cilat jo vetëm luftojnë më suksesshëm se deri tani krimin e organizuar, korrupsionin dhe burokracitë e ndryshme, por njëkohësisht edhe krijojnë një ambient shumë më të sigurt dhe të besueshëm për biznesin, për investimet vendase apo për investimet e huaja. Gjithçka ka të bëjë me rritjen e besueshmërisë sonë, besueshmëri përsa i takon demokracisë, besueshmëri përsa u takon ekonomisë, biznesit.

Ju përmendët në disa raste shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në pjesë të tjera. Shpesh herë edhe në këtë studio, por edhe në vende të tjera ata ndihen edhe të anashkaluar. Kush duhet që të jetë, si të themi, përgjegjësi kryesor për situatën dhe për ndihmën që do u jepet atyre; Kosova apo Shqipëria?

Përgjigja më e mirë do të ishte një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Kosovës. Do të ishte akoma më i dobishëm për të ndihmuar shqiptarët si në Maqedoni, Preshevë, në Malin e Zi. Mendoj se ky bashkëpunim ekziston. Ky bashkëpunim duhet të jetë edhe më efektiv në të ardhmen sepse interesi është i përbashkët.

A duhet që Kosova dhe Shqipëria të interesohet më shumë për shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë?

Pa asnjë diskutim dhe unë besoj se ne do të interesohemi më shumë dhe besoj që një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen është edhe forcimi i këtij bashkëpunimi. Një nga drejtimet kryesore ka qenë dhe realizimi i ambasadave apo konsullatave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë për t’u shërbyer shqiptarëve jashtë vendit.

Cilat besoni se janë tre prioritetet e dy institucioneve dhe shteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat duhet të kryen, le të themi, brenda një kohe më të shkurtër? Konkrete dhe që do të vërehen edhe nga qytetarët, por edhe nga vet ju.

Është e vështirë për të dhënë një përgjigje sa më të drejtpërdrejtë, por unë besoj se bërja e kufirit sa më të padukshëm dhe sa më të pa bezdisshëm për qytetarët e dy vendeve, është një prioritet si në drejtim të turizmit, tregtisë dhe të gjithë shkëmbimeve.

Së dyti, mendoj që zgjidhja e çështjes së bashkëpunimit në fushën e doganave në mënyrë që të rriten lehtësitë për tregtinë të Kosovës nga Shqipëria. Në mënyrë të veçantë nga Porti i Durrësit, i cili është një prioritet tjetër që do të jepte një impuls dhe një dinamikë tjetër këtyre marrëdhënieve, por dhe do të rriste efektivitetin e një investimi madhor të asaj që ne e quajmë Rruga e Kombit, e cila është bërë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Natyrisht zhbllokimi i çështjes së energjisë, e cila për fat të keq është e bllokuar për shkak të mungesës së angazhimit deri tani nga ana e Serbisë. Një investim madhor për linjën e transmisionit që është bërë dhe me financimit të KfW-së (Bankës Gjermane për Zhvillim të Shqipërisë dhe Kosovës) Janë disa nga prioritetet, por natyrisht që ka dhe shumë të tjera. Një tjetër mund të ishte në mënyrë të veçantë unifikimi i standardeve të cilësisë së ushqimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrë që të mos kemi më probleme të herë pas hershme për artikuj të ndryshëm nga Shqipëria në Kosovë, apo nga Kosova në Shqipëri. Të gjitha këto së bashku do të rrisnin shumë aktivitetin ekonomik, tregtar dhe shkëmbimet turistike dhe ato njerëzore midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Po përsa i përket dialogut mes Shqipërisë dhe Beogradit?

Dialogu është i domosdoshëm dhe nuk ka një alternativë tjetër përveç dialogut sepse përveç dialogut është konflikti dhe besoj që konflikti duhet arkivuar njëherë e mirë në të shkuarën dhe duhet të na inkurajojë për ta vazhduar këtë dialog, i cili duhet rivitalizuar dhe pa dyshim BE ka patur dhe ka një rol tepër të rëndësishëm, por dhe një angazhim i vazhdueshëm dhe në rritje i SHBA, është i domosdoshëm për të garantuar suksesin e implementimit të marrëveshjeve të deritanishme, por edhe të atyre që priten për të ardhmen. Ndërkohë që për këtë çështje do të theksoj se është e rëndësishme që të ketë edhe një unifikim i gjithë faktorëve politikë në Kosovë, një konsensus, një bashkërendim për të gjithë çështjet madhore.

Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve dhe sa jeni optimist për një bashkëpunim më të madh midis Shqipërisë dhe Kosovës?

Ne sot ndoshta nuk jemi të kënaqur me arritjet e Shqipërisë apo të Kosovës. Nëse mua dikush do të thoshte në vitin 2000 që Shqipëria nuk do të kishte çelur negociatat për anëtarësim me BE në vitin 2017, do të më dukej diçka e papranueshme se besoj që Shqipëria do të ishte anëtarësuar përpara 2017-tës në BE. Apo, unë s’mund ta mendoja kurrë në vitin ’98 – ’99 kur bashkë me z. Hashim Thaçi, në atë kohë drejtues i UÇK-së dhe unë isha Zëvendëskryeministër për qeverinë e Shqipërisë shkonim dhe takonim vëllezërit nga Kosova në qendrat humanitare në Kukës apo në Korçë, dhe që sot do të isha për vizitë zyrtare në Kosovë si Presidenti i Shqipërisë dhe z. Thaçi si President i Kosovës sepse ka qenë një kohë kur ishte tepër e vështirë për të besuar në ato mrekulli që ndodhën, natyrisht falë një sakrifice të jashtëzakonshme të popullit të Kosovës, të shqiptarëve këtu dhe kudo në të gjithë botën.

Por ja që këto gjëra kanë ndodhur dhe të gjitha këto gjëra që kanë ndodhur, që Shqipëria është anëtare e NATO-s, apo që shqiptarët e Shqipërisë lëvizin pa viza. Të gjitha këto na duket sikur i kemi patur gjithmonë, sikur i kemi patur edhe para 30 vitesh, para 20 vitesh.

Sot kërkojmë akoma më shumë. Ndërkohë që duhet të jemi të ndërgjegjshëm që BE ndeshet me sfida të panumërta. Natyrisht dhe SHBA është partneri ynë më i rëndësishëm strategjik. Sigurisht që kërkesat tona, pretendimet tona nuk mjaftojnë për arritje edhe më cilësore apo më spektakolare.

Duhet të bëjmë akoma më shumë përpjekje vet për një të ardhme më të sigurt, më të mirë, më të ndritur për qytetarët tanë. Duhet të fitojmë më shumë nga përvoja e gabimeve tona që kemi pasur në të kaluarën që të harxhojmë sa më pak energji për debate dhe konflikte shpesh jokonstruktive, dhe për çështjet më madhore të ofrojmë bashkëpunim, të ofrojmë konsensus e kështu ndihmojmë Shqipërinë, Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon dhe të gjithë rajonin që të çlirojë më shumë energji pozitive dhe të zhvillojmë ato potenciale që kanë vendet tona dhe ka rajoni ynë për zhvillim.

Forcimi i paqes, i sigurisë dhe rritja e besueshmërisë në parametrat e sigurisë dhe të paparashikueshmërisë të këtij rajoni është vendimtar.

Presidenti Ilir Meta në Kosovë

SHKARKO APP