Presidenti Meta: Nëse e kërkon populli, unë e shpërndaj Parlamentin dhe Qeverinë Rama

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar dje mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Në një intervistë dhënë për televizionin “Syri”, kreu i shtetit deklaroi se do të shpërndante Kuvendin nëse shumica e popullit shqiptar do ta kërkonte një gjë të tillë dhe nëse një pjesë politikanëve do të ishin gati për të shkuar në zgjedhje. Kreu i shtetit u shpreh se një hap i tillë, edhe pse nuk është i lehtë nga ana e interpretimit të Kushtetutës, nuk është i pamundur që të bëhet.
“Dakord, e shpërndaj parlamentin që nuk është kaq e thjeshtë nga ana kushtetuese, por jo e pamundur. Por unë duhet të kem një situatë që i gjithë populli ta dojë. Por të dalin nja 20 burra që ta çojnë vendin në zgjedhje se me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhje. Këtë krizë e zgjidh vetë populli shqiptar. Edhe presidenti, ti ndërpritet mandati dhe të votohet nga populli dhe të gjithë të respektojnë vullnetin e sovranit. Unë jam gati të bëj edhe zgjidhje të tjera, por duhet të jenë gati edhe ca burra që presidenti ti çojë në zyra, të drejtojnë qeverinë dhe të çojnë vendin në zgjedhje”,- tha Meta.
Gjithashtu, kreu i shtetit ka shpjeguar se nëse do të ketë një dekret që shpërndan Kuvendin do të ketë dhe një tjetër dekret që shpërndan qeverinë e kryeministrit Edi Rama. “Nëse do nxjerr dekret për shpërndarjen e Parlamentit, do nxjerr dekret edhe për shpërndarjen e Qeverisë. Dekretin në atë rast do ta zbatojë populli shqiptar”,- tha kreu i shtetit.
Deklarata e Presidentit Ilir Meta vjen pas një sërë zhvillimesh që kanë treguar ilegjitimitetin e Parlamentit. Së pari, parlamenti nuk ka numrin prej 140 deputetësh që parashikon Kushtetuta. Aktualisht Kuvendi ka 120 deputetë dhe gjithë vendimmarrja e këtij institucioni është paligjshme. Por veç këtij fakti kushtetues, kriza politike dhe një sërë ngjarjesh të rënda që kanë treguar paligjshmërinë e kësaj mazhoranca duket se e bëjnë të domosdoshme shpërbërjen e këtij Kuvendi. Ngjarjet e fundit, si shembja e Teatrit Kombëtar dhe dhuna ndaj artistëve dhe gazetarëve, janë dëshmia e përkeqësimit dhe keqqeverisjes që sjell një pushtet i pakontrolluar. Parlamenti që mund të ishte vendi ku konfliktet dhe nismat e qeverisë të përballeshin me vota brenda sallës ka humbur misionin e tij dhe aktet e qeverisë vetëm sa janë bërë edhe më të jashtëligjshme. Vendimet e qeverisë që pas daljes nga funksioni të Kuvendit kanë qenë në të gjitha rastet kundër Kushtetutës dhe kundër interesit të qytetarëve. Mungesa e institucioneve të tjera si Gjykata Kushtetuese dhe drejtësia efikase e kanë bërë edhe më emergjente situatën. Aktualisht nuk ka asnjë institucion në vend që të mund të ndalojë aktet e paligjshme të qeverisë. Teatri Kombëtar ishte shembulli më i qartë, por nuk është rasti i vetëm. Këto kohë vendimet e qeverisë kanë pasur të bëjnë gjithmonë me pasuritë publike dhe afera korruptive që tregojnë se pushteti e sheh mungesën e institucioneve si rast të artë për përfitime.
Kryeministri Edi Rama nuk e njeh dialogun dhe siç e tha dhe dje në Parlament “nuk jam i mirë për konsensus”. Në këto kushte kalimi i kohës nuk e zgjidh krizën, por vetëm e përkeqëson shumë më rëndë atë. Shembja e Teatrit Kombëtar ishte sinjali i parë serioz i përkeqësimit të pushtetit që nga qeverisje është kthyer në regjim. Në këto kushte një nga zgjidhje është dhe shpërndarja e Parlamentit.
Dhe populli nuk do vonojë kur ta kërkojë në mënyrë masive!
Mili Xhani

SHKARKO APP