Presidenti Meta pret Komisionerin e ri të BE: Integrimi europian, projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë
Presidenti Ilir Meta priti sot në takim Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Presidenti Meta uroi Komisionerin Varhelyi për detyrën e re, dhe vlerësoi angazhimin e tij për përparimin e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit dhe vendeve anëtare për organizimin e konferencës së donatorëve në 17 shkurt në Bruksel dhe akordimin e ndihmës së 15 milion eurove, pas tërmetit të nëntorit që goditi Shqipërinë.
Zyra e shtypit njofton se gjatë takimit “Presidenti theksoi se integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë, dhe se përmbushja sa më parë e 9 kushteve të Bundestagut është rruga më e shpejtë për çeljen dhe përparimin e negociatave të anëtarësimit me BE”.