Presidenti Meta pret kreun e LDK-së: Me partnerët euroatlantikë të forcojmë sigurinë në rajon

Presidenti Ilir Meta priti këtë të premte një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Lumir Abdixhiku. Teksa vlerësoi rolin e LDK-së në proceset shtetformuese, konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, kreu i shtetit kërkon që me partnerët euroatlantikë, Shqipëria dhe Kosova të forcojnë sigurinë në rajon. ”Theksova rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet dy vendeve tona, si dhe garantova që Shqipëria do të mbështesë fuqimisht Republikën e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike”,-shkruan Presidenti Meta në facebook.

Postimi i plotë

Prita sot me kënaqësi një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari Lumir Abdixhiku.

Vlerësova rolin thelbësor të LDK-së në proceset shtetformuese, konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, mbështetur mbi trashëgiminë e vyer të Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Diskutuam rreth zhvillimeve dhe sfidave nëpër të cilat po kalojnë dy vendet tona, rajoni e më gjerë.

Theksova rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet dy vendeve tona, si dhe garantova që Shqipëria do të mbështesë fuqimisht Republikën e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.

U dakordësuam se sfidat dhe kërcënimet me të cilat Ballkani Perëndimor mund të përballet në të ardhmen e afërt, kërkojnë përpjekje edhe më të mëdha nga vendet tona dhe nga faktori shqiptar në rajon për forcuar bashkëpunimin me partnerët tanë euroatlantikë për të forcuar sigurinë e paqen në rajon.

SHKARKO APP