Presidenti Meta: Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet. Momenti që të gjithë të niseni drejt 25 prillit

Presidenti Ilir Meta mori sot pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së 2 prillit në Shkodër, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Në një prononcim për mediat, Presidenti Meta tha se jemi këtu për të nderuar kujtimin e martirëve të demokracisë dhe për të çuar deri në fund amanetet e tyre. Kreu i shtetit tha se Shqipëria ende vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet.

Sot bëhen 3 dekada që nga ajo ditë e 2 prillit të vitit 1991, ku 4 djem nga më të mirët e Shkodrës dhe Shqipërisë u vranë pabesisht, pikërisht se dolën në mbrojtje të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe protestës demokratike. Sot jemi këtu për të nderuar kujtimin e tyre, të paharruar, jemi këtu edhe për tu angazhuar për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, zgjedhjet e lira, mendimin e lirë në Shqipëri. Ende Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira, fenomeni i partisë-shtet dhe kapja e shtetit. Ndaj është momenti që të gjithë të niseni drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për të vendosur vendin në shinat e kushtetutës dhe demokracisë. Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë në krye të këtij marshimi sepse ka qenë zemra edhe në kohët më të errëta të vendit. Sot jam i bindur, akoma edhe më shumë. Ne nderojmë jo vetëm sakrificat e martirëve të 2 prillit, por gjithë atyre që në emër të fjalës së lirë u martirizuan”, tha Presidenti Meta.

Përgjigje të Presidentit Meta në Shkodër për gazetarët:

Pyetje:  Zoti Meta për herë të parë një drejtues i lartë me bindje të majta vjen për të nderuar 2 prillin. Pse e zgjodhët? Ka 30 vite, asnjë drejtues i majtë nuk ka qenë në Shkodër.
 
Presidenti Meta: Unë kam pasur ftesën si President i Republikës nga Shoqata “2 prilli” dhe kam bërë çdo gjë për të qenë sot i pranishëm këtu, sepse ky është një moment tepër i rëndësishëm jo vetëm sepse është një përvjetor i rëndësishëm, por mbi të gjitha, sepse vendi është në një situatë kritike. Është në një udhëkryq nga i cili jam i bindur se ne do të dalim me sukses, falë ndërgjegjësimit tashmë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë se vota është gjëja më e shenjtë që ata kanë.

Pyetje: Zoti President, një nga emrat që familjarët kanë akuzuar për 2 prillin është edhe Gramoz Ruçi. A ndjeni ju faj që me votat tuaja është zgjedhur kryetar i Kuvendit? A keni sot një ndjesë për familjet e katër dëshmorëve?
 
Presidenti Meta: Unë çdo përgjegjësi dhe çdo problem që kam do ta shlyej duke qenë në krye të mbrojtjes së demokracisë dhe të votës së lirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë më 25 prill.

Sot do të nderojmë edhe kujtimin e Havzi Nelës. Kështu do të nderojmë edhe kujtimet e të gjithë atyre klerikëve të jashtëzakonshëm patriotë të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, që u martirizuan nga regjimi më totalitar.

Pyetje: Zoti Meta, pak më parë ishte zonja Topalli në homazhe. Ju akuzoi ju, zotin Rama, zotin Basha si shkatërrimtarë të vendit, por edhe se 2 prilli nuk u zbulua asnjëherë.
 
Presidenti Meta: Nuk e di se cila është përgjegjësia ime. Unë jam një student i Dhjetorit. Dhe e kam thënë edhe më parë: Nuk i kam takuar shtresës së nderuar të të persekutuarve politikë, sepse nuk kam qenë i tillë, por kam qenë i bindur në padrejtësinë e atij sistemi që s’mund të tolerohej më.

Gjithmonë kam qenë në anën e demokracisë. Gjithmonë kam qenë në anën e zgjedhjeve të lira. Gjithmonë kam qenë pro integrimit evropian.

Asnjëherë nuk kam qenë për kapjen e shtetit dhe zëdhënës i kapësve të shtetit.

Pyetje: A po bëni rolin e liderit të opozitës?
 
Presidenti Meta: Nuk jam këtu të caktoj rolin e askujt. Unë jam këtu që t’i bëj të qartë çdo qytetari të Shqipërisë se ai është zot i vendit të tij dhe kjo gjë materializohet përmes votës së tij, sepse për të folur edhe gjatë komunizmit nuk është se shkodranët dhe shqiptarët nuk kanë folur. Ju e dini që edhe atëhere qarkullonin shumë barcoleta apo jo?
Por pamundësia për të votuar na solli atje ku e dini të gjithë. Tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme, kemi votën tonë, prandaj fuqinë e kësaj vote ta përdorim për të mbrojtur demokracinë, të ardhmen, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë, për të mos lejuar më largimin e shkodranëve, të vlonjatëve, për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vende të tjera. Se do të mjaftonte një fshat i Indisë për të zëvendësuar gjithë shpopullimin e Shqipërisë. Ju faleminderit!

SHKARKO APP