Sulmi ndaj gazetares, Presidenti Meta telefonon Drejtorin e Policisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për sulmin ndaj gazetares. Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit e kreut të shtetit njofton se Presidentit “dënon me ashpërsi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala. Edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.
“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.
Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Burime nga presidenca thanë për “Koha Jonë” se Presidenti ka komunikuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, për këtë ngjarje.