Presidenti Meta: Vendi është në krizë legjitimiteti që zgjidhet vetëm nga 25 prilli

Presidenti Ilir Meta deklaron se beteja e manifestimit të 2 marsit për të ndalur pushtimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është përfunduar. Në një intervistë për televizionin “Syri”, kreu i shtetit tha se vijimi normal i punës në Gjykatën Kushtetuese mund të dëmtohet në të ardhmen nga ana e mazhorancës.

2 marsi absolutisht nuk është një betejë e lënë në mes. 2 marsi nuk është betejë e Metës. I ftoj shqiptarët që të kuptojnë greminën ku ka rënë shteti, ku janë rrëzuar edhe të drejtat e tyre, në kuptimin kushtetues dhe kjo betejë do të vazhdojë deri në vendosjen e rendit kushtetues në vend. 2 marsi ishte një betejë për të ndalur pushtimin e Gjykatës Kushtetuese, institucionin më të rëndësishëm të shtetit dhe sigurisht edhe ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese është një proces që nuk ka përfunduar, jo vetëm kaq por është dëmtuar jo pak integriteti kësaj gjykate. Dhe mund të dëmtohet edhe ne të ardhmen, pra është një betejë që mund të vazhdojë edhe në të ardhmen”,- deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti Meta deklaroi se vendi është në një krizë legjitimiteti që mund të marrë zgjedhje finale vetëm pas 25 prillit. “Vendi është në krizë legjitimiteti, që zgjidhjen finale do e marrë nga sovrani më 25 prill. Vëmendja duke ndalur te 25 prilli, sigurisht përveç pandemisë që është imediate. Pas 25 prillit do të garantohet legjitimiteti i plotë i institucioneve”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti foli dhe për vendimet e para që pritet të japë kjo gjykatë. Meta u shpreh se “një Gjykatë Kushtetuese që shpallë zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të ligjshme është një gjykatë inegzistente”.

Presidenti u shpreh se tentativat për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga pushteti vazhdojnë.  “Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese sepse mazhoranca bëri çdo gjë për ta kapur atë. Nuk e kapi deri tani për arsye të qëndresës së kreut të shtetit, por kjo nuk do të thotë që nuk do të tentojë ta kontrollojë atë”,- deklaroi kreu i shtetit.

SHKARKO APP