Presidenti Meta vlerëson regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Presidenti Ilir Meta dekoroi sot regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në motivacion thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.
Në fjalën e mbajtur regjisori Anagnosti tha: “Sot është një ditë e veçantë për mua. Falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falenderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë“.
Ndërkaq, presidenti Ilir Meta iu drejtua regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, duke thënë:
“Sot kam nderin e veçantë t’ju kem mysafirë në një ditë të shënuar, në 85-vjetorin e lindjes së ‘Artistit të Popullit’, Dhimitër Anagnosti!
Emri dhe vepra juaj i nderuar zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qënies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne frymëzim.
Vepra juaj do të jetë edhe për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik shqiptar, referenca dhe modeli i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që i bëni nder artit dhe kulturës tonë kombëtare.
Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit.
Me kontributin, përkushtimin dhe talentin e madh, z.Anagnosti na ka dhuruar vepra, që kanë shënjuar kulme të cilësisë artistike dhe që kanë përjetësuar mjeshtërisht njeriun shqiptar, jetën, shpirtin dhe historinë e tij.
Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj.
Përmes gjuhës së pasur filmike, ata përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë.
Ne jemi sot këtu për të nderuar në 85-vjetorin e lindjes Dhimitër Anagnostin, por në fakt, duke nderuar Anagnostin, nderimi shkon edhe për të gjithë ata artistë e mjeshtra të mëdhej, që themeluan dhe ngritën filmin shqiptar.
Shkon për të gjithë ata punëtorë të palodhur të kulturës tonë kombëtare, që tek emri i Dhimitër Anagnostit, kanë njërin prej përfaqësuesve më dinjitozë, aq sa ashtu si italianët mburren me Felinin e tyre të madh, edhe ne shqiptarët të mburremi me Dhimitër Anagnosti.
Në vlerësim dhe me mirënjohje për veprën tuaj të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe për gjithë kontributin e shquar, për artin dhe kulturën tonë kombëtar, në ditën tuaj të lindjes, kam kënaqësinë t’ju vlerësoj me dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, të shqiptarit më të gjallë ndër shqiptarët e gjallë, të atij personaliteti që përcaktoi shekuj më parë identitetin dhe rrugën europiane të kombit tonë.
Ta gëzosh i dashur Dhimitër!
Gëzuar dhe ju paçim jetëgjatë!”