Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë Hanukan, Festivalin tradicional hebre të Dritave

Në mjediset e Institucionit të Kreut të Shtetit shqiptar u festua për të dytin vit radhazi, Hanukaja, Festivali i Dritave e i lirisë së besimit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Parlamentit, të Qeverisë, krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të Bashkësisë Hebreo-Shqiptare, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe personalitete të ndryshme.

Në fjalën e tij me këtë rast festiv, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u shpreh:

“I nderuar zoti Zëvendëskryetar i Kuvendit,

I nderuar zoti Ambasador Cohen,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,

Zotërinj Ministra dhe Deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj!

Mirëmbrëma të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Ndihem shumë i nderuar që, për të dytin vit radhazi, kremtojmë së bashku këtë ditë të shënuar për komunitetin hebre këtu në Shqipëri, por dhe të gjithë hebrenjtë në mbarë botën, Hanukan.

Hanuka, ose siç njihet ndryshe Festivali i Dritave dhe i Përkushtimit, na bën të kujtojmë sonte me mirënjohje dhe respekt të thellë përpjekjet dhe luftën për liri dhe të drejtën e besimit fetar e të ushtrimit të tij. Që nga kohët e lashta e deri në ditët tona, diktatorët dhe tiranët janë përpjekur t`u mohojnë njerëzve lirinë dhe të drejtën e ushtrimin e besimit të tyre. Por, Hanukaja me dritën e saj ndriçon përpjekjet shumë shekullore e vetëmohuese të popullit hebre në kërkim të lirisë dhe të vetëvendosjes, të ushtrimit të besimit fetar dhe traditave e zakoneve të lashta.

Shembulli dhe historia e Hanukas, e revoltës ndaj padrejtësisë dhe tjetërsimit të fesë, kulturës dhe zakoneve na frymëzon dhe na mëson gjithashtu se, besimi në vlerat tradicionale, përkushtimi dhe vetëmohimi përbëjnë shtyllat mbi të cilat njerëzit duhet të mbështeten për të kapërcyer pengesat dhe padrejtësitë, për një jetë në paqe e në harmoni.

Hanuka shërben për të kremtuar besimin dhe traditat e popullit të lashtë hebre dhe përmes flakës së qirinjve për të ndriçuar e iluminuar mirësinë tek brezat e rinj, që të besojnë e shpresojnë në një të ardhme më të sigurt e të begatë.

Por, për shekuj me radhë dhe ne shqiptarët, kemi qenë të privuar nga liria dhe e drejta e besimit të të parëve, si dhe nga e drejta e përdorimit të gjuhës e kulturës sonë, ndaj ndoshta më shumë se kushdo tjetër e kuptojmë dhe nderojmë këtë ditë të shënuar të popullit hebre.

Në traditat më të mira të popullit shqiptar, ato të mikpritjes dhe të harmonisë fetare, kremtimi i sotëm, këtu në Institucionin e Presidentit të Republikës, merr një kuptim të veçantë. Populli shqiptar dhe ai hebre lidhen nga një miqësi historike dhe tradicionale, e cila u sprovua dhe u forcua akoma më shumë gjatë periudhës së tmerrshme të Holokaustit, kur hebrenjtë në momente ekzistenciale u njohën me kodin e nderit të shqiptarëve BESËN dhe si rrallë kund në Evropë, gjetën strehë e shpëtim në vendin tonë. Ne shqiptarët sot ndjehemi krenarë që, në këtë periudhë të tmerrshme shfarosje e persekutimi të hebrenjve, të ofrojmë mikpritjen tonë.

Ndaj sonte, uroj nga zemra që drita e qirinjve të Hanukas të ndriçojë e mrekullojë zemrat tona e të fëmijëve tanë, e që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më. Që drita dhe shpresa të mundin errësirën dhe shtypjen, e që njerëzit ta respektojnë e duan më shumë njeri-tjetrin, ashtu siç poeti ynë i madh Naim Frashëri shprehet tek ‘Fjalët e Qiririt’:

Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,

Njëri-tjatërin të njihni.

 

Të nderuar zonja e zotërinj,

Të dashur të ftuar!

 

Le të shërbejë kjo ditë e ndezjes së qirinjve të Hanukkah-s, si një ditë devotshmërie ndaj vlerave më të mira që ne ndajmë dhe si një mesazh për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Gëzuar Festën e Dritave, të kremten e lirisë së besimit! Gëzuar Hanukan!”

 

Në këtë Festival të Dritave, Ambasadori i Shtetit të Izraelit, David Cohen, i cili është në prag mbarimit të misionit të tij diplomatik, vuri në dukje se: “Sasia e vajit të Hanukas përfaqëson një simbolikë të madhe për mua si Ambasador i Shtetit të Izraelit në Shqipëri, duke qenë se më kujton bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Përfitoj nga rasti që t’i uroj shëndet të mbarë Presidentit Nishani dhe suksese në misionin e tij fisnik, duke e falënderuar që e ka shndërruar festimin e Hanukas në një traditë në Institucionin e Presidentit dhe t’u uroj të gjithë anëtarëve të bashkësisë hebraike një Hanuka sa më të gëzuar.”

 

Ndërsa Kryetari i Bashkësisë Hebreo-Shqiptare, Geri Kureta duke shprehur mirënjohjen për Kreun e Shtetit dhe Zonjën e Parë për festimin e Hanukas në Institucionin e Presidentit, theksoi se bashkësia e vogël, por edhe vjetër e hebrenjve shqiptarë, do të vazhdojë në gjurmët dhe besimin e të parëve, të cilët gjetën strehë dikur në këtë vend të bekuar duke u bërë pjesë dinjitoze e tij, e duke pasuruar edhe më shumë mozaikun e larmishëm shqiptar të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare.

 

Të pranishmit në ceremoni vizituan një ekspozitë me foto të shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit si dhe një program të shkurtër muzikor me valle shqiptare dhe izraelite nga grupi i valltarëve të vegjël të “Qendrës së Kërcimit Mimoza”.

 

SHKARKO APP