Presidenti Nishani i Ftuar Nderi në Banketin Vjetor të Shoqatës së Njerëzve të Lirë të Qytetit të Londrës
Duke marrë fjalën, Presidenti i Republikës, u shpreh:
“Është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në Banketin vjetor të Shoqatës së Njerëzve të Lirë të Londrës, që është një ngjarje shumë e rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj Mjeshtrin dhe Oborrin e Shoqatës së Njerëzve të Lirë të Qytetit të Londrës për ftesën e këndshme për të qenë mes jush sonte në Hollin historik Guild. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Ndihmësin e Oborrit, Sër Antoni Bejlin, një mik i mirë dhe i përkushtuar i Shqipërisë, i cili më solli në vëmendje punën e rëndësishme që Shoqata juaj bën anembanë këtij qyteti të vjetër.
Ndihem veçanërisht i kënaqur të përfaqësoj vendin tim, Shqipërinë dhe popullin tim në zemrën e qendrës udhëheqëse globale financiare dhe në prani të Lordit Madhor dhe shpurës së tij. Vizita ime vjen pas një tjetër ngjarjeje historike: Shkëmbimit të Lirive Civile mes qytetit të Londrës dhe atij të Tiranës në Shtëpinë Mansion vitin që shkoi për të për festuar 101-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesë e atyre festimeve dhe më 28 Nëntor 2012, statuja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, udhëheqësit mbrojtës të qytetërimit evropian dhe krishterimit kundër Perandorisë Osmane, u përurua në qytetin e Uestminsterit, duke qëndruar sot në zemrën e qytetit të Londrës si simbol i identitetit dhe qytetërimit tonë dhe partneritetit e miqësisë në rritje mes popullit shqiptar dhe atij britanik.
Unë jam President i një vendi krenar dhe të lashtë, të vogël në përmasa dhe në famë, një vendi për të cilin 25 vite më parë jo shumë vetë kishin dëgjuar për të, dhe shumë më pak njerëz e kishin vizituar. Po them 25 vite, sepse Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë që doli nga Perdja e Hekurt duke fituar lirinë aq shumë të dëshiruar e duke shpëtuar nga njëri prej regjimeve më të egra të njohura nga historia e njerëzimit, regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Ata pak njerëz, të cilët kishin pasur mundësinë ta vizitonin Shqipërinë para sundimit komunist, ishin udhëtarë, historinë, studiues dhe shkrimtarë britanikë, siç ndodh kudo në botë.
Që nga ditët e hershme të Rilindjes evropiane, Shqipëria ka qenë një përzierje ekzotike me histori të lashtë dhe kulturë të hershme njerëzore të ngjyrosur me bukuri natyrore dhe personazhe të forta njerëzore, të cilët u faleshin perëndive dhe perëndeshave të natyrës dhe i luteshin ‘Besës’ – virtytit që i ka karakterizuar shqiptarët që nga kohët e lashta e deri më sot.
Tradita dhe kultura jonë, historia dhe jeta jonë ishte e ndërtuar mbi besimin dhe betimin.
Ne jemi krenarë për trashëgiminë tonë ilire, të përzier më vonë me perandoritë Romake dhe Bizantine, si dhe me pesë shekuj të kaluar nën sundimin osman; një vend ku Shën Pali në rrugëtimin e tij për të paraqitur dhe sjellë krishterimin në Evropë, e bekoi veten dhe predikoi shërbimin e tij të parë fetar në këto anë të botës; një tokë që u ka dhënë jetë burrave të fjalës së nderit e aq trima, sa të shndërroheshin në shpëtimtarët e vetëm të hebrenjve gjatë Holokaustit, duke e bërë Shqipërinë dhe shqiptarët një rast të rrallë mes fqinjëve tanë dhe më gjerë, një tokë që është origjina e simbolit të jashtëzakonshëm të njerëzimit, Nënë Terezës, një vend krenar për harmoninë e tij ndërfetare mes shumicës myslimane, bashkësive ortodokse, katolike dhe feve të tjera.
Një vend të cilin disa muaj më parë Papa Fraçesku e zgjodhi si shtetin e parë në Evropë për ta vizituar zyrtarisht.
Ne ishim një lloj aq i veçantë në Evropë saqë vetëm disa shkrimtarë dhe poetë si Lordi Bajron, Eduard Lear, Benjamin Disraeli, Edith Durham dhe disa artistë të tjerë, shumica e të cilëve qëlluan britanikë nga gjaku dhe virtytet, ia dolën mbanë që të vizitonin dhe të linin pas shkrimet dhe përshtypjet e tyre për Tokën e Shqipeve, për kulturën dhe traditat tona.
Ne fituam pavarësinë më 1912-n, shumë më vonë se sa vendet e tjera të rajonit tonë, por edhe ajo pati çmimin e vet. Ishte pikërisht këtu në Londër ku më 1913-n kufijtë administrativë të Shqipërisë u njohën dhe shumë historianë modernë besojnë sot e kësaj dite së po të mos kishte qenë për Sër Eduard Grein, Sekretarin e Jashtëm britanik të asaj kohe, me shumë gjasa nuk do të kishim pasur një shtet të pavarur sot.
Britanikët vazhduan të luajnë një rol të madh në Shqipëri.
Mbreti Zog i Shqipërisë, arkitekti i monarkisë shqiptare, u përpoq të adoptonte një administratë britanike dhe të ndërtonte një monarki dhe shtet të ngjashëm me modelin tuaj të sprovuar, megjithëse ai dështoi shumë vite më vonë për shkak të pushtimit italian të Shqipërisë më 1939-n.
Ishte në Londër dhe Bakingamshajr ku Mbreti Zog kaloi një pjesë të ekzilit të tij gjatë kohës së luftës dhe shumë kohë para se eshtrat e tij mbretërore u kthyen përfundimisht nga Parisi në vendlindjen e tij në vitin 2012 me një funeral shtetëror.
Në vitin 1990, kur ra Perdja e Hekurt që ndante bllokun lindor nga Evropa, Shqipëria ishte e fundit që fitoi lirinë. Pikërisht në atë kohë, ish-Kryeministrja e ndjerë Baronesha Theçer dhe disa anëtarë të nderuar të Dhomës së Ulët, u përfshinë drejtpërdrejt në shpëtimin e Shqipërisë prej regjimit komunist dhe bënë të mundur që ne t’i bashkëngjiteshim botës perëndimore.
Në saje tuajën, Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë tradicionalë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët në Kosovë u shpëtuan nga gjenocidi më i keq i kohëve moderne pas Holokaustit. Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur dhe Ballkani ka gjetur më në fund paqen, dhe Shqipëria është një mbështetëse e fuqishme e stabilitetit dhe begatisë së rajonit.
Marrëdhëniet tona janë të forta dhe solide. Që të dy popujt tanë pajtohen me paqen, janë na favor të një bote pa terrorizëm dhe pa ekstremizma ideologjike apo fetare.
Shqipëria, sërish falë mbështetjes dhe partneritetit është anëtare me të drejta të plota e aleancës më të rëndësishme në botë, e NATO-s.
Ne punojmë gjithashtu krah për krah për paqen, lirinë, dhe sundimin e ligjit ndërkombëtar në shumë institucione botërore si Kombet e Bashkuara, OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe organizata të tjera.
Këtë vit në qershor, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe të gjithë ne mezi presim të anëtarësohemi me të drejta të plota në gjirin e Bashkimit Evropian.
Siç diskutova edhe më herët gjatë takimit me Lartmadhërinë e Tij Princin e Uellsit, bashkëpunimi ynë dypalësh përqendrohet në shumë fusha, që nga sistemi ligjor dhe gjyqësor e deri te ai ushtarak, arsimor dhe ekonomik.
Kompani të mëdha britanike si Vodafone, Glaxo Smith Kline, janë shumë të suksesshme në tregun shqiptar. Ne shpresojmë se suksesi i tyre do të inkurajojë investitorë dhe kompani të tjera britanike nga të gjithë sektorët për të eksploruar mundësitë e reja të ofruara nga tregu shqiptar siç ka njoftuar edhe kohët e fundit British Petrolium.
Shpresoj që edhe Lordi Madhor do të na vizitojë duke çimentuar marrëdhëniet tona.
Sonte mbajta këtë fjalim të shkurtër, për të cilin shumë prej jush mund të mendojnë se është një leksion historie, por ka vende dhe popuj nëpër botë, historia e të cilëve e ka tejkaluar famën dhe kulturën e tyre.
Kjo është Shqipëria dhe këta janë shqiptarët.
Ju ftoj Mjeshtër dhe të gjithë anëtarët e Shoqatës të shndërroheni në Çajld Haroldët e së ardhmes, personazhit të Lordit Bajron dhe të zbuloni vendin tim me kulturën dhe bukurinë e tij, së cilës ende nuk i është hequr velloja, ku mikpritja përbën vlerën tonë dhe Besa – fjala e dhënë dhe besimi shërbejnë si filozofia jonë.
Ju faleminderit për nderimin që më keni bërë sonte mua dhe delegacionit shqiptar dhe më lejoni të përfitoj nga ky rast, për t’ju shprehur dhe përcjellë të gjithëve urimet më të ngrohta për një Vit të Ri 2015 sa më të begatë dhe një Krishtlindje sa më të gëzuar!”