Presidenti Nishani: Jam edhe unë ! Gati për tryezën e partive PS-LSI-PD-PDIU

Pavarësisht se partitë politike kanë gati një vit që punojnë reformën në drejtësi sërish procesi është në ngërç. Partia Demokratike ka bojkotuar dy mbledhjet e fundit të komisionit të ekspertëve. Sado entuziastë të jenë në Partinë Socialiste për kalimin e reformës në pranverë, pa opozitën një projekt i tillë do ishte i mangët ose më saktë nuk kalon me vota.

Në këtë situatë, ku marrëveshja duket ende larg dhe fati i reformës është lënë në duar të ekspertëve partiakë, të cilët herë mblidhen e shumëherë nuk flasin me njeri tjetrin, zgjidhja më e mirë drejt konsensusit është ajo që ka propozuar kreu i shtetit, Bujar Nishani. Presidenti ka kërkuar një tryezë politike mes kreut të PS-së, Edi Rama, kreut të PD, Lulzim Basha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Por edhe me disa kryetarë partish parlamentare si raund i dytë, por pasi të takoj treshen e madhe të politikës. Në takimin e zhvilluar dje me gazetarët, Kreu i Shtetit  Bujar Nishani tha se ishte i gatshëm të shërbente si ndërmjetës i një takimi të madh mes palëve duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve politike për reformën më të rëndësishme. Më pas, pasi Rama-Meta-Basha dhe partitë e tjera të kenë rëndë dakord për gjërat që i ndajnë, marrëveshja politike të zbatohet nga ekspertët në hartimin e reformës në drejtësi. Dhe është e drejtë që Kryetari i Shtetit ta kryesojë takimin, pasi është Numri Një i Shtetit.

“Përtej sugjerimeve të drejta të Komisionit të Venezias, reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe afatgjatë, të merret edhe mendimi i Presidentit. Reforma në drejtësi nuk mund të jetë shprehje e vullnetit përmes retorikash. Përgjegjësia e procesit mbetet tek lidershipi politik i cili duhet të përcaktojë piketat ku duhet të kalojë ky proces. Ndaj i ftoj ata të ulen në një tryezë dhe ti lënë hapësirën ekspertëve ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Presidenti do të japë ndihmesën e tij mes palëve”,- tha dje Kreu i Shtetit. Një takim i tillë do të shmangte lojërat në prapaskenë mes forcave politike, aq me tepër se çdo gjë do të jetë nën monitorim të hapur e të prerë nga Ambasadori amerikan Donald Lu. Ai e ka deklaruar publikisht se ky është një kusht dhe një kerkesë e SHBA. Nuk ka se ç’të thotë me tepër Donald Lu!

Ky takim i kryesuar nga Presidenti i Republikës duhet të zhvillohet edhe për një arsye tjetër  se do tregonte seriozitetin e shtetit. Në debatin për reformën në drejtësi janë angazhuar thuajse të gjitha palët, përvec Presidentit. Peshën kryesore e ka marrë Partia Socialiste, e cila indirekt ishte dhe hartuesja e draftit të parë për ndryshimet ligjore, të cilën ia rrëzoi në masë të konsiderueshme Komisioni i Venecias. Në lojë është futur Partia Demokratike me variantin e saj që pjesërisht u pranua nga Komisioni i Venecias. Lëvizja Socialiste për Integrim, e ndodhur mes dy forcave kryesore, ka kërkuar një projekt me gjithpërfshirës dhe më të hapur për qytetarët.

Juristë të pavarur, ekspertë politikë dhe ndërkombëtarët e kanë thënë fjalën e tyre. Por në këtë mori zërash ka munguar qëndrimi i Presidentit të Republikës, i cili sipas Kushtetutës është dhe personi i parë që duhet të pyetet për ndryshime kaq të rëndësishme ligjore. Në të kundërt deshmojmë se jemi një “Republikë bananesh”, siç ka plot në kontinentin amerikan. Dhe realisht në këtë proces maratonë, me dashje nga disa parti politike, kreu i shtetit është lënë në hije. Në tryezat e debatit gjatë hartimit të draftit të parë, institucioni i kreut të shtetit as nuk është thirrur formalisht. Dëgjesa publike të ekspertëve, duket se për shkak të marrëdhënieve të tensionuara PS-Presidencë kanë anashkaluar rolin e numrit një të shtetit. Po flitet për një reformë që do të ndryshojë thuajse komplet sistemin gjyqësor në vend dhe palët nuk kanë pyetur jo thjesht Bujar Nishanin, por institucionin e Presidencës. Ekspertët e PS-së mund të kenë rezerva për qëndrimet Bujar Nishanin, por është e pafalshme që në projekt të tillë të anashkalojnë  Presidentin e Republikës. PS thotë se reforma është gjithëpërfshirëse, por a mund të quhet e tillë kur nuk janë përfshirë mendimet e ekspertëve ligjorë të Presidencës? Apo të kreut të Shtetit? Projektohen ndryshime të forta drejtësie në një shtet sovran dhe në mënyrë absurde nuk pyetet as Numri Një i Shtetit !

Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik.

Pasi Komisioni i Venecias e dha variantin e tij sesi duhet bërë reforma, ngërçi është tashmë është politik. Propozimi i Presidentit është më seriozi për të mos e kthyer edhe një herë reformë në pikën e nisjes. Më mirë duhet pranuar Kryetari i Shtetit si garantues se sa të zihen përditë partitë politike, duke ia lenë fajin njëra tjetrës dhe të shtyhet reforma në “kalendat greke”, aq me tepër se  punohet fshehurazi për ta çuar vendin edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ambasadori amerikan Lu ka folur për gjithçka,por duhet ta thotë mendimin e tij publikisht edhe për Presidentin e Republikës në ofrimin e tij për Paktin e Madh mes partive për këtë reformë të gjithëpritshme.

SHKARKO APP