Presidenti Nishani kthen mbrapsht sërish për shqyrtim një ligj të mazhorancës
Presidenti Nishani kthen mbrapsht sërish për shqyrtim një ligj të mazhorancës, pikërisht atë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.
“Përmes këtij ligji, duke realizuar edhe një interpretim të neneve 156 dhe 159 të Kushtetutës është autorizuar në mënyrë absolute Ministri i Financave në marrjen e borxhit të huaj dhe të brendshëm.
Por në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme”, argumenton Nishani.
Duke shtuar se qëllimi i vetëm ka qenë t’i jepet sa më tepër fleksibilitet Ministrit të Financave në marrjen e borxhit, në përzgjedhjen e subjekteve kreditore private, në përzgjedhjen e këshilltarëve, agjentëve fiskalë dhe ndërmjetësve të borxhit shtetëror, duke shmangur procedurat e prokurimit të cilat janë të referuara në ligjin nr. 9643/2006 ”Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar.
Së Dyti, problemi që ngrihet në nivel kushtetues ka lidhje me interpretimin e nenit 156 të Kushtetutës dhe problemin që ka Ministri i Financave në detyrimin e ratifikimit në Parlament të ‘marrëveshjeve ndërkombëtare’ me subjekte private.
Propozuesit e ligjit pretendojnë se ‘Autorizimi që organet e ekzekutivit duhet të marrin në kuptim të neneve 156 dhe 159 të Kushtetutës, realizohen nëpërmjet rregullimeve ligjore, përkatësisht, në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe në ndryshimet e propozuara në këtë ligj’.
Pra, propozuesit e ligjit kanë ezauruar detyrimin kushtetuese të autorizimit nga ana e Kuvendit për Ministrin e Financave në marrjen e borxhit me faktin se ‘kufiri i borxhit’ vendoset në ligjin për buxhetin që miratohet çdo vit. Dhe i vetmi problem të cilin shohin se duhet të rregullohet përmes ligjit është rregullimi i rasteve kur borxhi merret nga subjekte private të huaja.
Në fakt, neni 156 i Kushtetutës nuk mund të lexohet kaq përciptazi”, vlerëson gjithashtu kreu i shtetit.