Presidenti Nishani zhvillon një takim me nxënësit pjesëmarrës në Projektin e OSBE

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, duke falënderuar Kreun e Shtetit për mbështetjen e këtij Projekti, vuri në dukje se demokracia lulëzon me angazhimin aktiv dhe kuptimplotë të qytetarëve ku përfshihen edhe të rinjtë. “Për t’u bërë qytetarë aktivë, ata duhet të njohin institucionet demokratike të vendit të tyre dhe të kuptojnë se si funksionojnë ato. Të rinjtë duhet të dinë se si ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.” – theksoi Ambasadori Raunig.

Presidenti Nishani vlerësoi nismën e OSBE-së duke e konsideruar këtë takim me të rinjtë, të cilët përfaqësojnë rrethe të ndryshme si një mundësi e mirë komunikimi dhe inkurajimi veçanërisht.

“Në çastin që kurajua vritet dhe mbahet e mbyllur, nuk promovohet e nuk mbështetet, atëherë vetë produkti i njeriut kur vjen dhe kalon në fazat e pjekurisë dhe të formimit të tij të plotë, nuk është ai që duhet të ketë një shoqëri e lirë dhe demokratike, të cilën sot për fat të mirë, brezi juaj e ka si mundësi. Unë dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka kurajua. Pa kurajë është e vështirë të frymëzojmë vetveten. Pa kurajë është e vështirë të angazhohemi për të parë larg. Pa kurajë është e vështirë që inspirimet, mendimet, kapacitetet, dëshirat dhe objektivat që kemi t’i bëjmë të pranishme.” – theksoi mes të tjerash Presidenti Nishani.

“Do të kërkoja nga ju si mik, si prind, si politikan, edhe si President i Republikës, me dëshirën e madhe që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë edhe më e përgjegjshme, më e përgatitur, më dinamike që të mbani në boshtin e gjithë veprimtarisë dhe mendimit tuaj e të mos e humbisni asnjëherë kurajën dhe mos lejoni askënd t’jua cenojë, t’jua prekë dhe t’jua dëmtojë atë!” – i këshilloi Presidenti Nishani nxënësit pjesëmarrës në Projektin e OSBE-së.

Presidenti Nishani i inkurajoi nxënësit që ajo që mendojnë e që besojnë thellë në ndërgjegjen, mendjen, zemrën dhe shpirtin e tyre, pavarësisht se dikujt mund të mos i duket më e drejta, ta bëjnë të pranishme duke ngritur zërin e tyre. “Duke ngritur zërin e fortë të argumentit, logjikës dhe këmbënguljes! Shqipëria ka shumë nevojë për këtë. Vendi ynë ka arritur shumë, por ende ka shumë punë për të bërë dhe jeni ju ata që do t’i bëni ato. Dëshiroj t’ju shoh shumë më tepër të angazhuar, edhe në komunitetin ku jetoni.” – nënvizoi Presidenti Nishani.

Takimi u përmbyll me pyetje nga nxënësit pjesëmarrës në Projektin e OSBE-së, interesimit të të cilëve Kreu i Shtetit iu përgjigj me kënaqësi, duke zhvilluar me ta një bashkëbisedim të lirë dhe të hapur lidhur me çështje të ndryshme si arsimi, rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit të tij, punësimi i ardhshëm, studimi jashtë vendit dhe kthimi në atdhe i studentëve shqiptarë, përfshirjes së tyre të mundshme në politikë, etj.

SHKARKO APP