Presidenti rrëzon mashtrimin e Ramës

Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje publikisht, kryeministrit Edi Rama, i cili e ka akuzuar se po minon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe ka aluduar për “kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi. Nga Presidenca, duke iu referuar letrës që Rama ka marrë si “provë”,  Meta i rrëzoi akuzat duke cituar fjalë për fjalë atë çfarë i kishte shkruar Komisionerit të KE-së, në të cilën theksonte ndër të tjera se “mbetej besimplotë që shtetet anëtare do të aprovojnë rekomandimin tuaj për të hapur negociatat gjatë këtij muaji”.

Presidenti  tha: “Jo vetëm dje, por edhe sot, pas rrjedhjes nga qeveria në një televizion në vendin tonë, ku bëhej publike letra që unë i kisha dërguar Komisionerit për Zgjerimin, gjoja sikur unë isha kundër hapjes së negociatave dhe që e anonçoi i pari “Tao Tao” dhe i bëri jehonë “Zonja e Bilalit”, po ju bëj të ditur se këtë letër unë e kisha dërguar për të ndihmuar Komisionin Evropian që të ishte më i vëmendshëm për një çështje kritike si integriteti i Gjykatës Kushtetuese dhe ku dilte sikur problemi ishte krijuar nga Presidenti i Republikës”.

Meta në vijim ka cituar saktësisht letrën në të cilën ai shprehej lidhur se “shprehem besimplotë në vendimin tuaj për çeljen e negociatave” dhe ka theksuar edhe në vijim me ironi, duke e përsëritur këtë mesazh drejtuar kryeministrit, “në nder të Zonjës së Bilalit”.

Akuzat e Ramës ndaj Presidentit sot në Twitter

“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin pro dhe Presidentin e vet kundër vendit e kundër vetë Brukselit.. Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin.. Shqipëria mund ta marrë, mund të mos e marrë Po-në që meriton nga Këshilli Europian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!”.

SHKARKO APP