Presidentja e Këshillit Botëror të Turizmit, Simpson: Shqipëria po përjeton zgjim të madh në turizëm
Presidente (CEO) e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, Julia Simpson në ceremoninë e hapjes së panairit të turizmit në Berlin, tha se Shqipëria po përjeton një zgjim të madh të turizmit. Ajo veçoi mikpritjen si një ndër karakteristikat tradicionale të vendit dhe vendasve. Simpson po ashtu referoi shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare, kur i cilësoi pushimet në Shqipëri si arratisje drejt një realiteti hyjnor.
”Falënderoj mikpritësit e këtij viti, Shqipërinë, është mrekulli që na bashkohet kryeministri Rama dhe ministrja Kumbaro. Shqipëria po përjeton një zgjim të madh të udhëtimit dhe turizmit dhe po kthehet në një destinacion madhor dhe jo vetëm, sidomos por jo ekskluzivisht për pushimet verore të të huajve. ITB vjen në një pikë kthese për Europën, për bizneset që kanë një gjurmë ndërkombëtare. Udhëtimi na lidh, kërkon mikpritje. Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar dhe një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptar thoshte se “të jesh një mik për 4 apo 24 orë është arratisja më e madhe drejt një realiteti hyjnor”. Ky është udhëtimi në maksimumin e vet. Si drejtues të këtij sektori, kemi detyrën të krijojmë këtë realitet”, u shpreh ajo.
Simpson u ndal te zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. “Shqipëria po e kupton siç duhet këtë. Dy vjet më parë Lumi Vjosa u shndërrua në park kombëtar të lumit të egër në Europë. Që prej asaj kohe ka pasur një valë vizitorësh për rafting dhe natyrën e egër. Është një model shumë i mirë për të rritur turizmin duke ruajtur natyrën”, tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

