“Presioni i interesave monopoliste”. Ilir Zela jep dorëheqjen nga AKEP
Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Ilir Zela ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i këtij institucioni. Rreth dy vite nga marrja e detyrës, Zela njofton dorëheqjen përmes një letre drejtuar, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, për dijeni edhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Në letrën drejtuar kryeparlamentarit Ruçi, Zela thotë se i ka shërbyer publikut me përkushtim dhe se në asnjë moment nuk ka lejuar që interesat publike të nëpërkëmben nga presioni i pandërprerë i interesave monopoliste. Gjithashtu në letër, Zela thotë se ka dhënë dorëheqjen edhe si anëtar i këshillit mbikëqyrës të AKEP.
“Prej datës, 22 nëntor 2017 kam patur privilegjin që me besimin dhe mbështetjen e plotë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ti shërbej publikut në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Me paqen e njeriut që i ka shërbyer publikut me përkushtim shembullor, në këtë detyrë apo në angazhime publike të mëhershme, pa lejuar në asnjë moment që interesat publike të nëpërkemben nga presioni i pandërprerë i interesave monopoliste, ju njoftoj dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit të Këshillit Drejtues të AKEP”-shkruan Zela në letrën e dorëheqjes së tij.
Dorëheqja e Ilir Zelës vjen në momentin kur qeveria “Rama” ka rritur presionin ndaj mediave, sidomos atyre online. Vetëm gjatë javë të fundit janë mbyllur një sërë portalesh dhe në Kuvend janë dy projektligje që cilësohen si goditje ndaj medias dhe fjalës së lirë. AKEP është institucioni përgjegjës që zbaton vendimin final për mbylljen e mediave online dhe në jo pak raste kërkesat e qeverisë për mbyllje të portaleve orientohen nga qëndrimet politike të këtyre mediave.
Por veç qëndrimeve të qeverisë kundër medias, Zela flet në letrën e tij për një tjetër rrezik që i kanoset medias. Ai përmend presione të pandërprera nga interesa monopoliste, një konfirmim ky i rrezikut të grupeve të caktuara mediatike për të dominuar në mënyrë të pandershme tregun.
KOHA JONË SONDAZH

