Prezantimi ndryshe i VKM-ve para Kryeministrisë, tre ministrat zbulojnë vendimet
Për herë të parë, ministrat e qeverisë ”Rama 3”, pas mbledhjes të Këshillit të Ministrave, kanë dalë nga kryeministria për të folur përballë gazetarëve për vendimet. Zv/kryeministri dhe ministër i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se tradita e re që ka krijuar qeveria ”Rama 3” për informimin publik pas mbledhjeve të qeverisë është kjo, dalja para Kryeministrisë dhe informimi përmes gazetarëve të pranishëm.
”Sot kaluam tek FSHZH, 30 mln dollarë për të vazhduar punën në terren për të plotësuar angazhimin që kemi ndërmarrë para qytetarëve. Në të njëjtën kohë dua të ndaj edhe një vendim tjetër, për ndërtimin e një qendre në “5 maj”, ku hapet rruga punimeve, nëpërmjet shpronësimeve me këmbim. Qytetarët do të marrin sipërfaqet sipas ligjit. Dua të ndaj me studentët, kaluam tre marrëveshje me qeverinë gjermane, brenda paktit të universitetit 20 mln euro hua që do të shkojnë për rikonstruksion të godinave të Universiteteve Publike. Kemi filluar punën para disa viteve”.
Ministrja e Turizimit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se pastrimi nuk bëhet vetëm nga Bashkitë, dhe se do të ketë një program trajnimesh.
”Qeverisja vendore duhet që të përllogarisë mbetjet. Ka qenë një punë e gjatë nga Ministria e Mjedisit për kryqësimin e të dhënave për propozimin e një metodologjie për të gjitha Bashkitë që do të na japë një metodologji më të qartë. Objektivi është menaxhimi i territorit, nuk bëhet dot vetëm nga Bashkitë, kjo metodologji na jep një tablo më të qartë. Do të shoqërohet me një paketë trajnimesh”.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se është nënshkruar një marrëveshje midis programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare. Marrëveshja quhet “Star 3” dhe bashkon donatorë që janë të përfshirë në modernizimin e qeverisjes vendore duke krijuar një fond të përbashkët. Donatorët janë BE, Suedia dhe Zvicra.
”Sot miratuam në mbledhjen e radhës një marrëveshje mes programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë. Është një instrument që është përdorur që prej vitit 2013. Ky program është i treti në radhë dhe quhet “Star3”, bashkon disa donatorë që janë të përfshirë në reformën e decentralizimit dhe modernizimin e qeverisjes vendore. Është krijuar një fond i përbashkët. Donatorët janë BE, Suedia dhe Zvicra. Ky program do të shkojë për të përsosur edhe më tej shërbimet në nivel lokal. Do ketë instrumenta monitorimi të përformacës së qeverisjes vendore. Besoj që suksesi do të jetë i garantuar. I tillë ka qenë edhe në dy marrëveshjet e para”.