Prigozhin urdhëron trupat e tij të kthehen në Ukrainë
-Zëri i Amerikës-
Në një përpjekje, në dukje, për të zbutur krizën me Moskën, kreu i grupit Wagner Yevgeny Prigozhin urdhëroi mercenarët e tij të shtunën të ndalonin përparimet e tyre drejt kryeqytetit rus dhe të ktheheshin në kampet e tyre në Ukrainë.
Zoti Prigozhin tha se donte të shmangte gjakderdhjen në Rusi. Ai nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.
Autokolona e mercenarëve të grupit Wagner njoftohet se kaloi në qytetin rus Voronezh, duke përparuar me shpejtësi drejt Moskës të shtunën, pasi, me sa duket, arritën të merrnin kontrollin e Rostov-on-Don-it, një qytet me më shumë se një milion banorë afër kufirit me Ukrainën.
Në Rostov, banorët e konfuzuar filmuan me telefonat e tyre luftëtarët mercenarë të Grupit Wagner, automjetet e blinduara dhe tanket luftarake, ndërsa ata zunë pozicionet e tyre, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Udhëheqësi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pohoi se luftëtarët e tij hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, pa qenë nevoja për përdorimin e armëve dhe se askush nuk u vra gjatë asaj që ai e quan një “marshim drejtësie”. Pretendimet e tij nuk mund të verifikoheshin.
Presidenti rus Vladimir Putin u zotua se do ta shtypë atë që ai e quajti një kryengritje të armatosur, të cilën e krahasoi me Luftën Civile të Rusisë një shekull më parë.
Një gazetar i agjencisë Reuters pa helikopterët e ushtrisë ruse të hapin zjarr ndaj një autokolone të armatosur të grupit Wagner, ndërsa përparonin drejt qytetit Voronezh. Qyteti ndodhet rreth 520 kilometra në jug të Moskës.
Pasiguria ka mbretëruar rrugët e kryeqytetit rus, ndërsa janë vënë barriera në Sheshin e Kuq.
“Ambiciet e tepërta dhe interesat e veta kanë çuar në tradhti”, tha zoti Putin në një fjalim televiziv.
Ai paralajmëroi mercenarët e grupit Wagner të shtunën se rebelimi i armatosur është tradhti dhe kushdo që merr armët kundër Rusisë do të ndëshkohet.
Hetimi Kriminal
Të premten, Shërbimet Sekrete të Rusisë nisën një hetim penal ndaj Yevgeny Prigozhinit duke e akuzuar atë për krengritje të armatosur. Sipas kryeprokurorit rus, për këtë vepër penale parashikohet dënim me burg deri në 20 vjet.
Shërbimet sekrete ruse këmbëngulën se nuk ka asnjë fakt mbi akuzat e ngritura nga Prigozhini të premten se ministria ruse e mbrojtjes kreu sulm ajror ndaj një baze të Wagner-it duke vrarë 2 mijë mercenarë.
Zoti Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse, se kishte vepruar sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, për bombardimin e pozicioneve të trupave të tij në Ukrainë.
“Ministri i Mbrojtjes mbërriti posaçërisht në Rostov për të kryer një operacion për të shkatërruar Wagnerin”, shkroi ai në rrjetin sociale Telegram.