Procesit i Berlinit, Majlinda Bregu: Na duhen më pak fjalë. Financime serioze dhe zbatime pa vonesa
Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi sot në Tiranë, Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal, një hap drejt Tregut Unik të BE”. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu në nisje të fjalimit të saj dënoi sulmin terrorist në Kosovës ku mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku.
“Një Evropë që vë në qendër të politikave të saj njeriun, që reformohet duke e afruar gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor, është investimi më i mirë për paqen dhe sigurinë e të gjithë kontinentin tonë! Më pak se pas një viti, kur Tirana priti Samitin BE – Ballkan Perëndimor, po bëhen përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit. Por sot, unë nuk e pata aspak të lehtë të flisja qetësisht për bashkëpunimin rajonal, thelbi i së cilit qëndron tek garantimi i sigurisë dhe forcimi i marrëdhënieve të mira. Kosova është në zi. Një polic kosovar, një baba, si mijëra të tjerë që veshin uniformën e tyre çdo ditë për sigurinë e vendit, u vra në krye të detyrës, duke na kujtuar edhe një herë më shumë sakrificat e mëdha që bëhen për të siguruar dhe ruajtur paqen, por edhe nevojën e padiskutueshme që autorët e një krimi si ky, të mbajnë përgjegjësi”,-tha Bregu.
Bregu tha se Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa shtoi se konfliktet po vijojnë të pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike. Ish-ministrja e Integrimit, vuri më tej theksin në zhvillimin e strategjive për t’ju përshtatur botës, e cila po ndryshon vazhdimisht dhe e ardhmja s’mund të jetë vetëm pasqyrë për të shkuarën.
“Të investosh për të ardhmen do të thotë të përqafosh ndryshimin, inovacionin dhe përparimin, adoptimin e teknologjive të reja, zhvillimin e strategjive dhe përshtatjen me një botë gjithmonë e më shumë në ndryshim. Do të thotë të kesh atë qasjen largpamëse që të dikton se bota po ndryshon vazhdimisht dhe e ardhmja s’mund të jetë vetëm pasqyrë për të shkuarën. Ndërsa po nisim një sezon intensiv takimesh të rëndësishme të nivelit të lartë BE-BP, do të na duhen më pak fjalime me fjalë të bukura dhe gjithnjë e më shumë punë konkrete, fokus në përfitimin maksimal nga qasja me tregun e BE-së, financime serioze e zbatime pa vonesa”,-tha Bregu.