Progres-raporti/ Nishani: Shpresojmë të miratohet edhe nga Këshilli i Ministrave të BE
Presidenti Nishani priti në një takim Ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, me rastin e dorëzimit të raportit vjetor të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë si dhe Komunikatën mbi politikën e zgjerimit të BE-së.
Presideni Nishani vlerësoi rekomandimin e sotëm të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi, ç’ka përbën një lajm të mirë për Shqipërinë dhe për të gjithë popullin shqiptar.
Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi përpjekjet e Komisionit, Parlamentit Europian dhe të gjithë vendeve anëtare për afrimin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë drejt BE-së.
Vendosja e Shqipërisë në axhendën aktive të BE-së, është një sinjal inkurajues dhe pozitiv si për vendin tonë ashtu edhe për rajonin ku ne gjendemi.
Kreu i Shtetit përcolli shpresën që ky rekomandim i Komisionit të marë miratimin e vendeve anëtare gjatë takimit që do të zhvillojë Këshilli i Ministrave, në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për integrim.
Presidenti Nishani gjithashtu theksoi domosdoshmërinë për të reflektuar dhe përqëndruar përpjekjet në sfidat e mëdha që ka përpara Shqipëria, në të ardhmen e afërt të saj.
KOHA JONË SONDAZH

