Projekti më i madh urban i Europës – Qyteti port i Hamburgut

25 vjet pas marrjes së vendimit nga Këshilli i qytetit, kantieri më i madh urban në Europë ka arritur kulmin e tij. Pavarësisht nga krizat, ndërtimi i lagjes së re të Hamburgut në breg të detit, është duke ecur mirë.

Andreas Kleinau vështron me optimizëm nga dritarja e zyrës së tij në port. Drejtori i menaxhimit të projektit urban HafenCity Hamburg GmbH, hedh sytë mbi lagjen historike të magazinave të portit dhe mbi ndërtesat moderne me apartamente banimi dhe zyra, në rrugën Osakaallee. “Nga ana optike shkojnë shumë! E kuqja tipike e tullave të Hamburgut bën bashkë të vjetrën dhe të renë,” thotë Kleinau, të cilit iu desh të dëgjonte para fundvitit edhe kritika të shumta.

Kritika më e rëndë thoshte se lagjia e re “thith” fuqinë blerëse të qytetit, i cili ashtu kështu lufton me pasojat e pandemisë. Kleinert e hedh poshtë akuzën, se mungojnë lidhjet midis portit dhe qendrës së qytetit: “Ka shumë rrugë, më këmbë ose me autobus apo metro, nën tokë ose mbi tokë duke kapërcyer një nga urat e shumta që të çojnë nga qendra në Elbë. Por këto lidhje mund të përmirësohen edhe më shumë. Tani ne jemi duke bërë bashkë në qytet interesat tona, për të punuar për gjetjen e zgjidhjeve për këto çështje.”

Projekti më i madh urban i Europës

Historia filloi 25 vjet më parë me marrjen e vendimit nga parlamenti i qytetit të Hamburgut, Këshillit të qytetit. Në atë kohë ishte e vështirë të imagjinoje se si një koleksion i mykur bazenash porti, magazinash të zbrazura, deposh dhe vinçash mund të kthehej në një lagje mahnitëse me projekte ndriçuese, si Filarmonia e Elbës dhe Kulla e Elbës. Lagjia e re me 150 hektarë sipërfaqe banimi, zyrash, aktivitetesh kulture dhe parkimi, me 2,4 milionë metra katrorë sipërfaqe planimetrie, tërheq sot jo vetëm hamburgasit dhe banorët e rinj por edhe firmat, hotelet dhe muzeumet ndërkombëtare. Guri i parë i themelit u hodh më 9 prill 2001.

Për Hamburgun, qytet i pavarur (land federal) dhe qytet port, projekti i Elbës është ende një gur prove: 25 vjet ndërtim, plot me skandale, ndalime punimesh dhe vdekje investitorësh. Më kryesorja është Filarmonia e Elbës, që shkruajti histori edhe me rritjen e madhe të shpenzimeve (nga 60 milionë eurot e propozuara fillimisht, projekti harxhoi gati një miliardë euro). Sot, qyteti, investitorët dhe kompanitë e shfrytëzimit bëjnë një bilanc pozitiv pas kapërcimit të pandemisë së COVID-19: Që me hapjen në vitin 2017, pallati i koncerteve i quajtur “Elphi”, ka pasur një boom të vërtetë, edhe ndërkombëtarisht.

Volum gjigand investimesh

Për më tepër “në HafenCity janë investuar deri në vitin 2020 rreth 13 miliardë euro, prej të cilave dhjetë miliardë janë investime private. Rreth 3 miliardë janë investime publike, prej të cilave gjysma financohet sërish nga shitjet e tokave të ndërtimit”, llogarit Andreas Kleinau dhe shpjegon se që me fillimin e projektit HafenCity, qyteti i pavarur dhe port i Hamburgut, i futi tokat në një të ashtuquajtur asete të posaçme të qytetit dhe portit. Nga shitja e tokave u financuan projekte infrastrukture si ndërtimi i rrugëve, urave ose parqeve. Gjysma tjetër e investimeve publike si për shembull për universitetin, shkollat ose ndërtimet kulturore vijnë nga buxheti i qytetit shoqëruar nga mjetet financiare të federatës.

Kalim nate krah transoqeanikëve të mëdhenj

Fokusi është drejtuar tek mijëra vizitorët që vijnë me transoqeanikë nga e gjithë bota në portin e Hamburgut, ankorohen aty, kalojnë natën dhe duan të konsumojnë. Në hotelin “The Westin”, hotelin me katër yje që ndodhet direkt pranë Filarmonisë së Elbës për shembull, donin të kalonin natën kur u hap hoteli pesë vjetë më parë, aq shumë njerëz sa që turma nuk mund të përballohej. Njerëzit që jepen pas muzikës dhe arkitekturës, nga Gjermania dhe vendet e tjera nuk kanë pasur si synim të vizitojnë vetëm sallën e koncerteve në ish magazinat, Kaispeicher A. Menaxherja e përgjithshme Madeleine Marx thotë se: “Ideja e një salle koncertesh që të ketë hotelin e vet me çmime të arsyeshme, ka funksionuar.” Hoteli me pishinë dhe një hapësirë të madhe relaksimi, që shtrihet në qendrën e vjetër të magazinave dhe pas harqeve me më shumë se 1000 dritare të mëdha të Elfit, ka qenë shumë i ngarkuar”, thotë drejtoresha e hotelit. Nëpërmjet Filarmonisë së Elbës, Hamburgu është kthyer në pikë turistike të preferuar në nivel ndërkombëtar.

“Pandemia arriti t’i jepte një shtysë kësaj tendence në fakt,” konfirmon Michael Otremba nga kompania Hamburg Tourismus GmbH. Në shifra kjo do të thotë më shumë se 1,5 milionë fjetje në një muaj të vetëm të verës. 88 mijë vetë punojnë në sektorin e turizmit në qytetin port.

Kritika për kantierin më të madh të ndërtimit në Europë

Ndërkohë vinçat e ndërtimit vazhdojnë punën. Për shembull në Überseequartier, ku është duke u ndërtuar një qendër tregtare nëntokësore. Edhe themelet për tre hotele të tjera janë hedhur. Turistët që vijnë me anije do të kalojnë direkt nga terminali i anijeve në qendrën tregtare. Ky truk arkitektonik, në brendësi një kilometër e gjatë, kritikohet shumë nga biznesmenët e qytetit port. A është duke filluar lufta e konkurrencës? Madeleine Marx nga Westin mendon se potenciali i qytetit port nuk është shfrytëzuar plotësisht: “Që para 30 vjetësh ne pyesnim “edhe një hotel tjetër”? Nga do vijnë gjithë këta turistë? Por deri tani ka pasur turistë sa të duash.” Ajo mendon se rezervat më të mëdha për Hamburgun ndodhen tek tregjet e huaja, pikërisht përtej detit.

Mundësira shumë të mëdha ka përshembull Kulla e Elbës që pritet të ndërtohet, një grataçelë 245 metra e lartë, me një investim prej një miliardë dollarësh, që ndodhet në lindje të qytetit port, në krah të urës së Elbës dhe që mendohet t’i japë fund projektit HafenCity. Financimi është ende i pasigurt, në katin e 55 është planifikuar të ndërtohet një platformë panoramike. Me hotelin “Nobu”, që ndodhet në lartësi marramendëse dhe bashkëpronar Robert de Niron, firma e ndërtimit Signa ka vendosur të ndërtojë një hotel luksoz.

 Anja Steinbuch, Michael Marek

SHKARKO APP