Projektligji i plotë i PD-së për hetimin ndërkombëtar të CEZ
PD-ja ka depozituar sot në Kuvend, projektligjin për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ, të cilin ia drejton kryeparlamentarit Ilir Meta "për shqyrtim dhe miratim". Ja çfarë thuhet në të:
PROJEKTLIGJI I PLOTE
PËR LEJIMIN E HETIMIT TË PAVARUR NDËRKOMBËTAR MBI AKUZAT PUBLIKE TË NGRITURA MBI CËSHTJEN “CEZ SHPËRNDARJE SH.A.” Në mbështetje të neneve 78, 83 pikat 1 dhe 2 dhe 84 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
1.Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse,nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji.
2.Qëllimi i ligjit është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithëanshëm të fakteve të bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës.
3.Dispozitat e këtij ligji zbatohen për procedimet në lidhje me veprat penale për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë Shqiptare, që në çastin e miratimit të këtij ligji, janë nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këtë kuptim:
1.“Organ ligjzbatues i huaj” nënkupton një strukturë të specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”.
2.“Cështja “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare” nënkupton:
a) hetimin mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive;
b) hetimin mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
3. “Struktura përgjegjëse” nënkupton cdo organ të administratës shtetërore, person juridik a fizik, publik apo privat, shqiptar apo i huaj, që disponon dokumente, prova, të dhëna apo fakte, të vlefshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
Neni 3-Bashkëpunimi me organet ligjzbatuese të huaja
1.Në emër të Republikës së Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuarapër hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
2.Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose vendeve të Bashkimit Europian, të cilat shprehin gadishmërinë për të ndihmuar në hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm të akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Objekt i marrëveshjes është caktimi i prokurorëve të organit ligjzbatues të huaj për të hetuar mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për personat përgjegjës.
3.Strukturat përgjegjëse i ofrojnë organit ligjzbatues të huaj bashkëpunimin e tyre të plotë dhe të gjithëanshëm, për hetimin e akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, duke i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet, faktet, provat apo të dhënat e kërkuara prej tyre.
4.Prokurori i Përgjithshëm vendos në dispozicion të organeve ligjzbatuese të huaja të gjitha dokumentet, faktet, provat apo të dhënat e siguruara deri më tani nga organi i prokurorisë në kuadër të hetimeve mbi cështjen“CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
5.Autoritetet shqiptare asistojnë anëtarët dhe punonjësit hetues të organeve ligjzbatuese të huaja, për aktivitetet e tyre të pavarura në Shqipëri, nëse kjo kërkohet prej tyre.
6.Prokurori i Përgjithshëm, me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, me vendim, mund të ngrejë struktura të veçanta për zbatimin e bashkëpunimit sipas pikës 1 të këtij neni. Në vendimin për ngritjen e një strukture të tillë përcaktohen më hollësisht detyrat dhe detyrimet e tij. Komunikimi me organin ligjzbatues të huaj kryhet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
7.Këshilli i Ministrave të sigurojë fondet financiare për të mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme për hetimin e plotë nga ana e organit ligjzbatues të huaj.
Neni 4-Legjislacioni i zbatueshëm
Në masën që nuk bien në kundërshtim me rregullat e veçanta të vendosura nga ky ligj, rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, ligji nr. 10193, datë 3.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, janë plotësisht të zbatueshme nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 5
Hetimi i akuzave
1.Organi ligjzbatues i huaja, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar sipas pikës 2 të nenit 3 të këtij ligji, ka të drejtë:
a) të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri;
b) të marrë prova dhe të mbajë çdo dokument dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në përputhje me legjislacionin shqiptar;
c) të këqyrë mjedise apo dokumente;
d) të ndërmarrë cdo veprim procedural dhe/ose veprime të tjera, që mund të jenë të nevojshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm, për përfundimin e hetimit dhe/ose përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim.
2.Nëse veprimet ose aktivitetet hetimore që ndërmerren nga organet ligjzbatuese të huaja duhet të mbështeten nga një vendim prokurorie apo gjykate, sipas ligjeve shqiptare, procedohet pa asnjë vonesë në përmbushjen e tyre nga autoritetet shqiptare. Ekzekutimi i çdo veprimi, që kërkon forcë ose kufizon të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryhet në pajtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Neni 6
Thirrja e personave
1.Organi ligjzbatues i huaj ka autoritetin për të dorëzuar thirrjet dhe dokumente të tjera pranë personave dhe organeve brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëpërmjet organeve kompetente shqiptare, apo drejtpërdrejt, me korrier diplomatik, me shërbim postar ose dorazi.
2.Nëse organi ligjzbatues i huaj kërkon paraqitjen personale të një personi për qëllimet e pyetjes, ballafaqimit ose hetimit, autoritetet gjyqësore shqiptare, sigurojnë paraqitjen e tyre, njëlloj si në rastin e një thirrjeje për t’u paraqitur para një gjykate shqiptare ose një prokurori shqiptar. Personat e thirrur për efekt të hetimit, janë të detyruar të paraqiten në orën dhe vendin e përcaktuar, përndryshe urdhërohet shoqërimi i tyre i detyrueshëm.
3.Nëse organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, thërrasin një person me banim a qëndrim jashtë shtetit, ai, gjatë qëndrimit në Shqipëri, nuk i nënshtrohet ndjekjes penale për një vepër penale të ndryshme të kryer para hyrjes në territorin shqiptar dhe as nuk dërgohet të vuajë një dënim penal, bazuar në një vendim të brendshëm gjyqësor, të lëshuar para hyrjes në Shqipëri. Ky rregull nuk zbatohet, nëse personi i thirrur, pavarësisht mundësisë së dhënë, nuk është larguar nga territori shqiptar brenda 15 ditëve pas njoftimit se prania e tij/saj nuk vazhdon të jetë e nevojshme. Kjo periudhë nuk përfshin periudhën brenda së cilës personi i thirrur nuk mund të largohej nga territori shqiptar për shkaqe të ligjshme e të dokumentuara.
4.Personat e thirrur nga jashtë shtetit kanë të drejtën e kalimit lirshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, për këtë qëllim. Autoritetet shqiptare mbështesin, lehtësojnë dhe përshpejtojnë kalimin e këtyre personave dhe çdo sendi pasuror që ata kanë me vete, që lidhet me thirrjen ose praninë nëvendin dhe orën e përcaktuar nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 7
Këqyrja, kontrolli dhe sekuestrimi i provave
1.Për efekt të hetimit të plotë dhe të gjithëanshëm, cdo autoritet publik, person juridik apo fizik, shqiptar apo i huaj, është i detyruar të vendos në dispozicion të organit ligjzbatues të huaj, objekte, sende apo dokumente, si dhe të lejojë kqyrjen dhe marrjen e kopjeve të tyre, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme.
2.Organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, kanë të drejtë të kërkojnë dhe të realizojnë kontrolle, sipas rregullave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale.
3.Me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, autoritetet gjyqësore shqiptare urdhërojnë këqyrjen e mjediseve private ose sekuestrimin e materialeve, në lidhje me provat e kërkuara në kuadër të hetimit.
4.Këqyrja dhe sekuestrimi kryehet nga autoriteti kompetent gjyqësor shqiptar, në praninë e personelit të organit ligjzbatues të huaj, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
5.Nëse një palë e tretë ka përftuar të drejtat e pronësisë në mirëbesim dhe një autoritet shtetëror ose palë e dëmtuar, pretendon pronësinë mbi materialet, dokumentet ose të ardhurat nga krimet e dyshuara, të cilat janë sekuestruar, ato kthehen vetëm nëse organi ligjzbatues i huaj konfirmon se nuk janë më të nevojshme për hetimin, ose pas përfundimit të procedimit të lidhur me provat e sekuestruara.
6.Nëse tashmë ka filluar procedimi penal, në lidhje me materialet, dokumentet ose të ardhurat nga krimi, të sekuestruara sipas pikës 1 të këtij neni, atëherë ky procedim shtyhet për sa kohë materialet janë të nevojshme për procedimin që po realizohet nga organi ligjzbatues i huaj në përputhje me këtë ligj.
7.Sekuestrimi vazhdon për kohën minimale të mundur për përfundimin e procedimit dhe të drejtat e palëve të treta, që mund të kenë posedim ose pronësi të ligjshme mbi materialet, merren parasysh nga autoriteti procedues. Në cdo rast, nëse është e nevojshme, këto sende, objekte apo dokumente mund të konfiskohen, sipas rregullave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
8.Nëse, në përfundim të procedimit, objektet e sekuestruara i rikthehen pronarit në një gjendje të dëmtuar ose nuk i kthehen atij/asaj brenda 60 ditëve nga mbarimi i gjykimit pranë autoriteteve kompetente, tek të cilat objektet janë përdorur si provë, pronari zhdëmtohet nga Republika e Shqipërisë. Pretendimi për zhdëmtim paraqitet nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm. Si mjet i fundit, pronari i objekteve mund të paraqesë një pretendim për kompensim brenda 3 vjetëve nga mbarimi përfundimtar i gjykimit.
Neni 8
Seancat nëpërmjet telefonit, videokonferencës ose lidhjeve të tjera të ngjashme
1.Organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, mund të aplikojnë marrjen në pyetje, në distancë, të dëshmitarëve ose ekspertëve që janë brenda ose jashtë territorit të Shqipërisë, nëpërmjet telefonit, videokonferencës ose lidhjeve të tjera të ngjashme.
2.Marrja në pyetje në distancë e dëshmitarëve ose ekspertëve zhvillohet nga autoritetet gjyqësore vendore, në praninë e personelit të organit ligjzbatues të huaj, në pajtim me rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Neni 9
Masat paraprake
1.Çdo autoriteti shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligjzbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, çdo informacion për veprat penale që kanë lidhje me cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil, apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit.
2.Me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj dhe në pajtim me legjislacionin e brendshëm, autoriteti gjyqësor shqiptar merr masat paraprake për ruajtjen e provave, materialeve, dokumenteve, të ardhurave të krimit dhe çdo sendi tjetër pasuror që është i përdorshëm në procedim. Në këtë rast, organi ligjzbatues i huaj mund të kërkojë masa të veçanta për sigurinë dhe konfidencialitetin e provave.
Neni 10
Shtyrja e procedimit të tjera
Autoriteti gjyqësor shqiptare mund të shtyjnë zhvillimin e procedimeve të tjera penale, nëse kjo mund të cenojë zhvillimin e procedimit penal të filluar sipas këtij ligji. Autoriteti gjyqësor shqiptar informon organin ligjzbatues të huaj.
Neni 11
Konfidencialiteti
1. Veprimet hetimore dhe/ose procedurale, apo kërkesat e organit ligjzbatues të huaj trajtohen si tepër konfidenciale.
2. Të gjithë autoritetet shqiptare, duke përfshirë organet e zbatimit të ligjit dhe organet e tjera të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në ekzekutimin e kërkesave apo veprimeve të kryera nga organi ligjzbatues i huaj, i nënshtrohen detyrimit rigoroz për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit, për të cilin vihen në dijeni për shkak të detyrës. Veçanërisht, nëse është e justifikuar për arsye të konfidencialitetit apo sigurisë, emrat, faktet dhe rrethanat që u referohen veprave penale, që lidhen me procedimet që kryhen nga organi ligjzbatues i huaj, mund të redaktohen.
3. Autoritetet shqiptare, përfshirë autoritetet gjyqësore, me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, zbatojnë rregullat e ruajtjes së sekretit shtetëror dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në lidhje me informacionin që gjendet në dokumentet që hartohen apo administrohen nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 12
Shpenzimet
1.Këshilli i Ministrave i siguron Prokurorisë së Përgjithshme buxhetin e nevojshëm për të mbuluar cdo shpenzim financiar të nevojshëm për përmbushjen e veprimtarive të përcaktuara në marrëveshjenenënshkruar sipas pikës2 të nenit 3 të këtij ligji.
2.Prokuroria e Përgjithshme siguron burimet e nevojshme financiare, njerëzore dhe logjistike, për realizimin pa asnjë pengesë të veprimtarisë së pavarur hetimore të personelit të organit ligjzbatues të huaj, të ngarkuar për zbatimin e marrëveshjes së parashikuar në pikën 2 të nenit 3 të këtij ligji.
Neni 13
Privilegjet dhe imunitetet
1.Anëtarët e personelit të organit ligjzbatues të huaj, që ngarkohen me realizimin e veprimeve në kuadër të marrëveshjes së parashikuar në pikën 2 të nenit 3 të këtij ligji, kur janë të pranishëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtën e privilegjeve dhe imuniteteve funksionale që u jepen diplomatëve, sipas së drejtës ndërkombëtare, në pajtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
2.Sendet personale apo zyrtare të anëtarëve të personelit të organit ligjzbatues të huaj, mbulohen nga të njëjtat privilegje dhe imunitete, të parashikuara sipas pikës 1 të këtij neni, nëse janë të pranishëm në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3.Mjediset që përdoren përgjithmonë ose përkohësisht nga anëtarët e personelit të organit ligjzbatues të huaj janë të pacenueshme. Nëpunësit e Republikës së Shqipërisë nuk hyjnë në to, përveçse me pëlqimin e anëtarëve të personelit të organit ligjzbatues të huaj. Pasuritë, sendet dhe mjetet e transportit të personelit të përmendur kanë imunitet ndaj kontrollit, bllokimit ose ndonjë forme tjetër ndërhyrjeje.
4.Arkivat dhe dokumentet e personelit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, janë gjithëashtu të pacenueshme. Nëse komunikimi ndërmjet këtij personeli dhe autoriteteve të tjera është me korrier, korrieri dhe çanta e vulosur që përmban dokumentet janë të pacenueshme.
5.Nga imunitetet e caktuara nga ky nen mund të hiqet dorë vetëm me pëlqimin e veçantë, me shkrim, të drejtuesve të organit ligjzbatues të huaj dhe në pajtim me rregullat e zbatuara nga e drejta ndërkombëtare.
Neni 14
Lejimi i hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale
Cdo dispozitë ligjore në fuqi, përfshirë dispozitat e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, të cilat pengojnë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin, apo dënimin, e personave që gjenden përgjegjës penalisht për cështjen“CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, shfuqizohet.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare më të parë.
Miratuar në datën ____/____/2015.
RELACION
MBI PROJEKTLIGJIN
PËR LEJIMIN E HETIMIT TË PAVARUR NDËRKOMBËTAR MBI AKUZAT PUBLIKE TË NGRITURA MBI CËSHTJEN “CEZ SHPËRNDARJE SH.A.”
Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe CEZ a.s.” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike. Në bazë të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike" (i ndryshuar) (neni 45), CEZ Shpërndarje si shoqëri e liçensuar për furnizimin e përdoruesve me energji elektrike, është e detyruar të sigurojë furnizimin me energji elektrike te konsumatoreve të energjisë elektrike. Për këtë shërbim aplikohen tarifat përkatëse që në bazë të nenit 28 të ligjit të sipërcituar shqyrtohen dhe miratohen nga ERE.
Mirëpo CEZ a.s. nuk zbatojë kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në këto kushte, në Tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licensës së CEZ a.s dhe orientoi Qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 Nentor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fituesi të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains, Gharavi & Lazareff”.
Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ a.s., studio ligjore ndërkombëtare këshillojë Qeverinë Shqiptare t’i hiqte licensën CEZ shpërndarje dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, CEZ a.s duhet të mbante përgjegjësi për:
a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a.s. sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milion Euro;
b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
c) Likujdimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milion Euro.
Përvec, padive civile, studio ligjore ndërkombëtare këshillonte Qeverinë të ngrinte kallëzim penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ si dhe përgatiti një plan masash të cilat duhet të ekzekutoheshin nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar. Ky kallzim është depozituar në Avokatura e Shtetit me nr. 526/34 prot., datë 24.07.2013 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Më 5 mars 2013 CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 19 Prill 2013 studio ligjore ndërkombëtare, i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim. Më 28 Gusht 2013 është nënshkruar kontrata me BDO dhe më pas me Becker Buttner Held që do të përfundonte në 8 javë Vlerësimin Teknik të Cez sh.a dhe BDO. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cënimin e interesave ekonomikë të Republikës së Shqipërisë në rast se nuk ndërmerren në mënyrë urgjente disa masa të caktuara.
Në Shkurt 2014 janë përgatitur Raportet e ekspertëve (Vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër CEZ a.s. dhe nga CEZ a.s.), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga Qeveria dhe Raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të Kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në 10 Shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(i) CEZ a.s. nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 Vleresimi i Padive BDO);
(ii) kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ a.s., e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 Raportit BDO);
(iii) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(iv) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA ( fq75-79 BDO);
(v) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24 % kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vi) e gjithe vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vii) paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazëm të kontraktuara nga CEZ (fq.92-97 i raportit BDO);
(viii) CEZ a.s. kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion ne vitin 2007 në 53 milion në Janar të vitit 2013;
(ix) CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZ a.s. në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq.100 BDO);
(x) heqja e licensës nga ERE ishte mëse e drejtë;
(xi) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 Miliard lek (fq. 102-106 i BDO);
(xii) paditë e paraqitura nga CEZ a.s. janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq.132 BDO);
(xiii) paditë në lidhje me taksat të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliard Lekë (fq.125 i BDO).
Pavarësisht detyrimi që kompania CEZ a.s. i detyrohej shtetit shqiptar në minimumin e saj kapte vlerën 1 bilion Euro (500 milion USD CEZ a.s. i detyrohet vetëm KESH dhe OST), Qeveria deklaroi se kishte arritur të zgjidhte me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i dhënë CEZ a.s. 95 milion Euro. Por kjo marrëveshje arrihet në një situatë kur CEZ a.s. pretendonte 200 milion EURO në një arbitrazh investimesh, ndërkohë që kjo kompani ishte e ekspozuar karshi shtetit shqiptar në një padi Arbitrazhi Tregtar nga 1-3 bilion euro.
Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar Qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ a.s., përvec konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë CEZ a.s. apo kanë qenë të punësuar nga CEZ a.s.
Për të gjitha faktet mësipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, i janë shkaktuar shtetit shqiptar miliona EURO dëm ekonomik, të cilat përbëjnë vepër penale dhe që kanë nevojë për një hetim të plotë dhe të thelluar, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët e kësaj vjedhje të rëndë që i është bërë xhepave të cdo shqiptari.
Mirëpo, në vitin 2015, nga media janë bërë publike disa fakte të rënda, për një tjetër aferë të rëndë korruptive, që ka lidhje gjithashtu me kompaninë CEZ. Ish kryeministri dhe kreu aktual i parlamentit, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, studio ndërkombëtare ligjore e Qeverisë shqiptare “Clifford Chance” pretendon se Kreytari i Kuvendit ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.
Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011. Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA për mbledhjen e borxhit. Sipas raportit të avokatit ndërkombëtar të Qeverisë Shqiptare: “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion.”. Ilir Meta është i vetmi ish kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një video nga emision Fik Fare, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish ministrin e ekonomisë, Dritan Prifti.
Emri i Ilir Metës është lakuar si i lidhur me aferën e CEZ edhe nga ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hejsek. Hejsek në dëshminë e tij më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, thotë se Ilir Meta, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka negociuar që Çekët e CEZ të punonin me DIA, duke e prezantuar biznesmenin si njeriun që kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Clifford Chance shkruan që hetimi i rastit DIA-CEZ mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsioni dhe mashtrimit në Shqipëri.
Për vetë kompleksitetin që kanë këto dy cështje, si dhe për faktin se në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit (përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Energjitikës, Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, etj.), vlerësojmë se një hetim i pavarur nga ekspertë ndërkombëtar të organeve ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo vendeve të Bashkimit Europian, do të garantonte besueshmëri tek opinioni publik, se hetimi është i plotë dhe i përgjegjshëm. Hetimi nuk mund të kryehet vetëm nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare, për shkak se bëhet fjalë për të hetuar drejtuesit kryesor politik dhe shtetëror në vend. Presioni politik ndaj organit të prokurorisë dhe kërcënimet e vijueshme që i bëhen sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale, nuk krijojnë anjë premisë për të patur një hetim të plotë dhe të pavarur.
Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo cështje të hetohet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, nën një ekspertizë të specializuar ndërkombëtare. Askush dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të keqpërdor interesin e shqiptarëve dhe t’i vjedhë ato me skema mashtruese dhe kriminale. Një hetim i plotë ndërkombëtar, do të hidhte dritë mbi këto fakte të bëra publike, dhe do të rikthente besimin tek opinioni publik, se abuzuesit me pushtetin ndëshkohen.
Për këtë qëllim propozojmë për miratim nga Kuvendi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””. Ky projektligj ka për objekt përcaktimin e rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse, nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Qëllimi i ligjit është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithëanshëm të fakteve të bëra publike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës. Dispozitat e tij do të zbatohen për procedimet në lidhje me veprat penale për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë Shqiptare, që në çastin e miratimit të këtij ligji, janë nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht, propozohet që një strukturë e specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”, të ketë mundësi të hetojë mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive; si dhe të hetojë mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuara për hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e ligji, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose vendeve të Bashkimit Europian, të cilat shprehin gadishmërinë për të ndihmuar në hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm të akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Objekt i marrëveshjes do të jetë caktimi i prokurorëve të organit ligjzbatues të huaj për të hetuar mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për personat përgjegjës.
Organi ligjzbatues i huaja, do të ketë të drejtë të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri; të marrë prova dhe të mbajë çdo dokument dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në përputhje me legjislacionin shqiptar; të këqyrë mjedise apo dokumente; apo të ndërmarrë cdo veprim procedural dhe/ose veprime të tjera, që mund të jenë të nevojshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm, për përfundimin e hetimit dhe/ose përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim. Në cdo rast, nëse veprimet ose aktivitetet hetimore që ndërmerren nga organet ligjzbatuese të huaja duhet të mbështeten nga një vendim prokurorie apo gjykate, sipas ligjeve shqiptare, procedohet pa asnjë vonesë në përmbushjen e tyre nga autoritetet shqiptare. Ekzekutimi i çdo veprimi, që kërkon forcë ose kufizon të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryhet në pajtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Çdo autoriteti shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligjzbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, çdo informacion për veprat penale që kanë lidhje me cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil, apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit.
Në përfundim, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, Qeveria Shqiptare ka hequr dorë nga cdo procedim (përfshirë procedimin penal) për cështjet që lidhem me aferën CEZ Shpërndarje. Ky ndalim, përvecse del jashtë fushës së veprimtarisë së një marrëveshje tregtare mirëkuptimi, cenon autoritetin e prokurorisë për të ndëshkuar cdo krim që kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qeveria, e vetëdijshme se në cështjen “CEZ Shpërndarje” janë konsumuar vepra të tmerrshme penale, për shkak se është shkaktuar një dëm financiar në miliona Euro, ka tentuar ti jap vetes dhe zyrtarëve të CEZ, imunitet dhe paprekshmëri nga ndjekja penale. Pra, me pak fjalë ka tentuar të amnistojë cdo krim të kryer.
Ky është një parashikim i papranueshëm në një shtet demokratik, sepse cdo krim, pavarësisht nëse kryhet nga Kryeministri, ministri, apo zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, apo nga kompani të fuqishme tregtare, duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye, projektligji parashikon se cdo dispozitë ligjore në fuqi, përfshirë dispozitat e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, të cilat pengojnë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin, apo dënimin, e personave që gjenden përgjegjës penalisht për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, shfuqizohet.
Miratimi i këtij projektligji, jo vetëm i hap rrugë një hetimi të plotë dhe real për aferat e mësipërme korruptive dhe antiligjore, por mbi të gjitha provon se Shqipëria është një shtet demokratik, kur krimet hetohen dhe autorët/përgjegjësit ndëshkohen sipas ligjit. Është momenti që cdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, mbi interesin e ngushtë personal apo partiak, të vendos interesin publik dhe mirëqenien finanaciare të shtetit dhe qytetarëve shqiptar.
KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
DEPUTETI
EDI PALOKA
PROJEKTLIGJ PËR LEJIMIN E HETIMIT TË PAVARUR NDËRKOMBËTAR MBI AKUZAT PUBLIKE TË NGRITURA MBI CËSHTJEN “CEZ SHPËRNDARJE SH.A.” Në mbështetje të neneve 78, 83 pikat 1 dhe 2 dhe 84 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI: Neni 1
Objekti dhe qëllimi/1.Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse,nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji.
2.Qëllimi i ligjit është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithëanshëm të fakteve të bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës.
3.Dispozitat e këtij ligji zbatohen për procedimet në lidhje me veprat penale për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë Shqiptare, që në çastin e miratimit të këtij ligji, janë nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këtë kuptim:
1.“Organ ligjzbatues i huaj” nënkupton një strukturë të specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”.
2.“Cështja “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare” nënkupton:
a) hetimin mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive;
b) hetimin mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
3. “Struktura përgjegjëse” nënkupton cdo organ të administratës shtetërore, person juridik a fizik, publik apo privat, shqiptar apo i huaj, që disponon dokumente, prova, të dhëna apo fakte, të vlefshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
Neni 3
Bashkëpunimi me organet ligjzbatuese të huaja
1.Në emër të Republikës së Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuarapër hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
2.Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose vendeve të Bashkimit Europian, të cilat shprehin gadishmërinë për të ndihmuar në hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm të akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Objekt i marrëveshjes është caktimi i prokurorëve të organit ligjzbatues të huaj për të hetuar mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për personat përgjegjës.
3.Strukturat përgjegjëse i ofrojnë organit ligjzbatues të huaj bashkëpunimin e tyre të plotë dhe të gjithëanshëm, për hetimin e akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, duke i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet, faktet, provat apo të dhënat e kërkuara prej tyre.
4.Prokurori i Përgjithshëm vendos në dispozicion të organeve ligjzbatuese të huaja të gjitha dokumentet, faktet, provat apo të dhënat e siguruara deri më tani nga organi i prokurorisë në kuadër të hetimeve mbi cështjen“CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare.
5.Autoritetet shqiptare asistojnë anëtarët dhe punonjësit hetues të organeve ligjzbatuese të huaja, për aktivitetet e tyre të pavarura në Shqipëri, nëse kjo kërkohet prej tyre.
6.Prokurori i Përgjithshëm, me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, me vendim, mund të ngrejë struktura të veçanta për zbatimin e bashkëpunimit sipas pikës 1 të këtij neni. Në vendimin për ngritjen e një strukture të tillë përcaktohen më hollësisht detyrat dhe detyrimet e tij. Komunikimi me organin ligjzbatues të huaj kryhet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
7.Këshilli i Ministrave të sigurojë fondet financiare për të mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme për hetimin e plotë nga ana e organit ligjzbatues të huaj.
Neni 4
Legjislacioni i zbatueshëm
Në masën që nuk bien në kundërshtim me rregullat e veçanta të vendosura nga ky ligj, rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, ligji nr. 10193, datë 3.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, janë plotësisht të zbatueshme nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 5
Hetimi i akuzave
1.Organi ligjzbatues i huaja, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar sipas pikës 2 të nenit 3 të këtij ligji, ka të drejtë:
a) të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri;
b) të marrë prova dhe të mbajë çdo dokument dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në përputhje me legjislacionin shqiptar;
c) të këqyrë mjedise apo dokumente;
d) të ndërmarrë cdo veprim procedural dhe/ose veprime të tjera, që mund të jenë të nevojshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm, për përfundimin e hetimit dhe/ose përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim.
2.Nëse veprimet ose aktivitetet hetimore që ndërmerren nga organet ligjzbatuese të huaja duhet të mbështeten nga një vendim prokurorie apo gjykate, sipas ligjeve shqiptare, procedohet pa asnjë vonesë në përmbushjen e tyre nga autoritetet shqiptare. Ekzekutimi i çdo veprimi, që kërkon forcë ose kufizon të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryhet në pajtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Neni 6
Thirrja e personave
1.Organi ligjzbatues i huaj ka autoritetin për të dorëzuar thirrjet dhe dokumente të tjera pranë personave dhe organeve brenda dhe jashtë Shqipërisë, nëpërmjet organeve kompetente shqiptare, apo drejtpërdrejt, me korrier diplomatik, me shërbim postar ose dorazi.
2.Nëse organi ligjzbatues i huaj kërkon paraqitjen personale të një personi për qëllimet e pyetjes, ballafaqimit ose hetimit, autoritetet gjyqësore shqiptare, sigurojnë paraqitjen e tyre, njëlloj si në rastin e një thirrjeje për t’u paraqitur para një gjykate shqiptare ose një prokurori shqiptar. Personat e thirrur për efekt të hetimit, janë të detyruar të paraqiten në orën dhe vendin e përcaktuar, përndryshe urdhërohet shoqërimi i tyre i detyrueshëm.
3.Nëse organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, thërrasin një person me banim a qëndrim jashtë shtetit, ai, gjatë qëndrimit në Shqipëri, nuk i nënshtrohet ndjekjes penale për një vepër penale të ndryshme të kryer para hyrjes në territorin shqiptar dhe as nuk dërgohet të vuajë një dënim penal, bazuar në një vendim të brendshëm gjyqësor, të lëshuar para hyrjes në Shqipëri. Ky rregull nuk zbatohet, nëse personi i thirrur, pavarësisht mundësisë së dhënë, nuk është larguar nga territori shqiptar brenda 15 ditëve pas njoftimit se prania e tij/saj nuk vazhdon të jetë e nevojshme. Kjo periudhë nuk përfshin periudhën brenda së cilës personi i thirrur nuk mund të largohej nga territori shqiptar për shkaqe të ligjshme e të dokumentuara.
4.Personat e thirrur nga jashtë shtetit kanë të drejtën e kalimit lirshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, për këtë qëllim. Autoritetet shqiptare mbështesin, lehtësojnë dhe përshpejtojnë kalimin e këtyre personave dhe çdo sendi pasuror që ata kanë me vete, që lidhet me thirrjen ose praninë nëvendin dhe orën e përcaktuar nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 7
Këqyrja, kontrolli dhe sekuestrimi i provave
1.Për efekt të hetimit të plotë dhe të gjithëanshëm, cdo autoritet publik, person juridik apo fizik, shqiptar apo i huaj, është i detyruar të vendos në dispozicion të organit ligjzbatues të huaj, objekte, sende apo dokumente, si dhe të lejojë kqyrjen dhe marrjen e kopjeve të tyre, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme.
2.Organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, kanë të drejtë të kërkojnë dhe të realizojnë kontrolle, sipas rregullave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale.
3.Me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, autoritetet gjyqësore shqiptare urdhërojnë këqyrjen e mjediseve private ose sekuestrimin e materialeve, në lidhje me provat e kërkuara në kuadër të hetimit.
4.Këqyrja dhe sekuestrimi kryehet nga autoriteti kompetent gjyqësor shqiptar, në praninë e personelit të organit ligjzbatues të huaj, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
5.Nëse një palë e tretë ka përftuar të drejtat e pronësisë në mirëbesim dhe një autoritet shtetëror ose palë e dëmtuar, pretendon pronësinë mbi materialet, dokumentet ose të ardhurat nga krimet e dyshuara, të cilat janë sekuestruar, ato kthehen vetëm nëse organi ligjzbatues i huaj konfirmon se nuk janë më të nevojshme për hetimin, ose pas përfundimit të procedimit të lidhur me provat e sekuestruara.
6.Nëse tashmë ka filluar procedimi penal, në lidhje me materialet, dokumentet ose të ardhurat nga krimi, të sekuestruara sipas pikës 1 të këtij neni, atëherë ky procedim shtyhet për sa kohë materialet janë të nevojshme për procedimin që po realizohet nga organi ligjzbatues i huaj në përputhje me këtë ligj.
7.Sekuestrimi vazhdon për kohën minimale të mundur për përfundimin e procedimit dhe të drejtat e palëve të treta, që mund të kenë posedim ose pronësi të ligjshme mbi materialet, merren parasysh nga autoriteti procedues. Në cdo rast, nëse është e nevojshme, këto sende, objekte apo dokumente mund të konfiskohen, sipas rregullave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
8.Nëse, në përfundim të procedimit, objektet e sekuestruara i rikthehen pronarit në një gjendje të dëmtuar ose nuk i kthehen atij/asaj brenda 60 ditëve nga mbarimi i gjykimit pranë autoriteteve kompetente, tek të cilat objektet janë përdorur si provë, pronari zhdëmtohet nga Republika e Shqipërisë. Pretendimi për zhdëmtim paraqitet nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm. Si mjet i fundit, pronari i objekteve mund të paraqesë një pretendim për kompensim brenda 3 vjetëve nga mbarimi përfundimtar i gjykimit.
Neni 8
Seancat nëpërmjet telefonit, videokonferencës ose lidhjeve të tjera të ngjashme
1.Organi ligjzbatues i huaj, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore shqiptare, mund të aplikojnë marrjen në pyetje, në distancë, të dëshmitarëve ose ekspertëve që janë brenda ose jashtë territorit të Shqipërisë, nëpërmjet telefonit, videokonferencës ose lidhjeve të tjera të ngjashme.
2.Marrja në pyetje në distancë e dëshmitarëve ose ekspertëve zhvillohet nga autoritetet gjyqësore vendore, në praninë e personelit të organit ligjzbatues të huaj, në pajtim me rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Neni 9
Masat paraprake
1.Çdo autoriteti shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligjzbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, çdo informacion për veprat penale që kanë lidhje me cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil, apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit.
2.Me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj dhe në pajtim me legjislacionin e brendshëm, autoriteti gjyqësor shqiptar merr masat paraprake për ruajtjen e provave, materialeve, dokumenteve, të ardhurave të krimit dhe çdo sendi tjetër pasuror që është i përdorshëm në procedim. Në këtë rast, organi ligjzbatues i huaj mund të kërkojë masa të veçanta për sigurinë dhe konfidencialitetin e provave.
Neni 10
Shtyrja e procedimit të tjera
Autoriteti gjyqësor shqiptare mund të shtyjnë zhvillimin e procedimeve të tjera penale, nëse kjo mund të cenojë zhvillimin e procedimit penal të filluar sipas këtij ligji. Autoriteti gjyqësor shqiptar informon organin ligjzbatues të huaj.
Neni 11
Konfidencialiteti
1. Veprimet hetimore dhe/ose procedurale, apo kërkesat e organit ligjzbatues të huaj trajtohen si tepër konfidenciale.
2. Të gjithë autoritetet shqiptare, duke përfshirë organet e zbatimit të ligjit dhe organet e tjera të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në ekzekutimin e kërkesave apo veprimeve të kryera nga organi ligjzbatues i huaj, i nënshtrohen detyrimit rigoroz për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit, për të cilin vihen në dijeni për shkak të detyrës. Veçanërisht, nëse është e justifikuar për arsye të konfidencialitetit apo sigurisë, emrat, faktet dhe rrethanat që u referohen veprave penale, që lidhen me procedimet që kryhen nga organi ligjzbatues i huaj, mund të redaktohen.
3. Autoritetet shqiptare, përfshirë autoritetet gjyqësore, me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj, zbatojnë rregullat e ruajtjes së sekretit shtetëror dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në lidhje me informacionin që gjendet në dokumentet që hartohen apo administrohen nga organi ligjzbatues i huaj.
Neni 12
Shpenzimet
1.Këshilli i Ministrave i siguron Prokurorisë së Përgjithshme buxhetin e nevojshëm për të mbuluar cdo shpenzim financiar të nevojshëm për përmbushjen e veprimtarive të përcaktuara në marrëveshjenenënshkruar sipas pikës2 të nenit 3 të këtij ligji.
2.Prokuroria e Përgjithshme siguron burimet e nevojshme financiare, njerëzore dhe logjistike, për realizimin pa asnjë pengesë të veprimtarisë së pavarur hetimore të personelit të organit ligjzbatues të huaj, të ngarkuar për zbatimin e marrëveshjes së parashikuar në pikën 2 të nenit 3 të këtij ligji.
Neni 13
Privilegjet dhe imunitetet
1.Anëtarët e personelit të organit ligjzbatues të huaj, që ngarkohen me realizimin e veprimeve në kuadër të marrëveshjes së parashikuar në pikën 2 të nenit 3 të këtij ligji, kur janë të pranishëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtën e privilegjeve dhe imuniteteve funksionale që u jepen diplomatëve, sipas së drejtës ndërkombëtare, në pajtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
2.Sendet personale apo zyrtare të anëtarëve të personelit të organit ligjzbatues të huaj, mbulohen nga të njëjtat privilegje dhe imunitete, të parashikuara sipas pikës 1 të këtij neni, nëse janë të pranishëm në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3.Mjediset që përdoren përgjithmonë ose përkohësisht nga anëtarët e personelit të organit ligjzbatues të huaj janë të pacenueshme. Nëpunësit e Republikës së Shqipërisë nuk hyjnë në to, përveçse me pëlqimin e anëtarëve të personelit të organit ligjzbatues të huaj. Pasuritë, sendet dhe mjetet e transportit të personelit të përmendur kanë imunitet ndaj kontrollit, bllokimit ose ndonjë forme tjetër ndërhyrjeje.
4.Arkivat dhe dokumentet e personelit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, janë gjithëashtu të pacenueshme. Nëse komunikimi ndërmjet këtij personeli dhe autoriteteve të tjera është me korrier, korrieri dhe çanta e vulosur që përmban dokumentet janë të pacenueshme.
5.Nga imunitetet e caktuara nga ky nen mund të hiqet dorë vetëm me pëlqimin e veçantë, me shkrim, të drejtuesve të organit ligjzbatues të huaj dhe në pajtim me rregullat e zbatuara nga e drejta ndërkombëtare.
Neni 14
Lejimi i hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale
Cdo dispozitë ligjore në fuqi, përfshirë dispozitat e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, të cilat pengojnë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin, apo dënimin, e personave që gjenden përgjegjës penalisht për cështjen“CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, shfuqizohet.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare më të parë.
Miratuar në datën ____/____/2015.
RELACION MBI PROJEKTLIGJIN
PËR LEJIMIN E HETIMIT TË PAVARUR NDËRKOMBËTAR MBI AKUZAT PUBLIKE TË NGRITURA MBI CËSHTJEN “CEZ SHPËRNDARJE SH.A.”
Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe CEZ a.s.” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike. Në bazë të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike" (i ndryshuar) (neni 45), CEZ Shpërndarje si shoqëri e liçensuar për furnizimin e përdoruesve me energji elektrike, është e detyruar të sigurojë furnizimin me energji elektrike te konsumatoreve të energjisë elektrike. Për këtë shërbim aplikohen tarifat përkatëse që në bazë të nenit 28 të ligjit të sipërcituar shqyrtohen dhe miratohen nga ERE.
Mirëpo CEZ a.s. nuk zbatojë kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në këto kushte, në Tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licensës së CEZ a.s dhe orientoi Qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 Nentor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fituesi të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains, Gharavi & Lazareff”.
Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ a.s., studio ligjore ndërkombëtare këshillojë Qeverinë Shqiptare t’i hiqte licensën CEZ shpërndarje dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, CEZ a.s duhet të mbante përgjegjësi për:
a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a.s. sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milion Euro;
b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
c) Likujdimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milion Euro.
Përvec, padive civile, studio ligjore ndërkombëtare këshillonte Qeverinë të ngrinte kallëzim penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ si dhe përgatiti një plan masash të cilat duhet të ekzekutoheshin nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar. Ky kallzim është depozituar në Avokatura e Shtetit me nr. 526/34 prot., datë 24.07.2013 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Më 5 mars 2013 CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 19 Prill 2013 studio ligjore ndërkombëtare, i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim. Më 28 Gusht 2013 është nënshkruar kontrata me BDO dhe më pas me Becker Buttner Held që do të përfundonte në 8 javë Vlerësimin Teknik të Cez sh.a dhe BDO. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cënimin e interesave ekonomikë të Republikës së Shqipërisë në rast se nuk ndërmerren në mënyrë urgjente disa masa të caktuara.
Në Shkurt 2014 janë përgatitur Raportet e ekspertëve (Vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër CEZ a.s. dhe nga CEZ a.s.), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga Qeveria dhe Raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të Kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në 10 Shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(i) CEZ a.s. nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 Vleresimi i Padive BDO);
(ii) kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ a.s., e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 Raportit BDO);
(iii) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(iv) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA ( fq75-79 BDO);
(v) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24 % kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vi) e gjithe vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vii) paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazëm të kontraktuara nga CEZ (fq.92-97 i raportit BDO);
(viii) CEZ a.s. kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion ne vitin 2007 në 53 milion në Janar të vitit 2013;
(ix) CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZ a.s. në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq.100 BDO);
(x) heqja e licensës nga ERE ishte mëse e drejtë;
(xi) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 Miliard lek (fq. 102-106 i BDO);
(xii) paditë e paraqitura nga CEZ a.s. janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq.132 BDO);
(xiii) paditë në lidhje me taksat të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliard Lekë (fq.125 i BDO).
Pavarësisht detyrimi që kompania CEZ a.s. i detyrohej shtetit shqiptar në minimumin e saj kapte vlerën 1 bilion Euro (500 milion USD CEZ a.s. i detyrohet vetëm KESH dhe OST), Qeveria deklaroi se kishte arritur të zgjidhte me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i dhënë CEZ a.s. 95 milion Euro. Por kjo marrëveshje arrihet në një situatë kur CEZ a.s. pretendonte 200 milion EURO në një arbitrazh investimesh, ndërkohë që kjo kompani ishte e ekspozuar karshi shtetit shqiptar në një padi Arbitrazhi Tregtar nga 1-3 bilion euro.
Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar Qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ a.s., përvec konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë CEZ a.s. apo kanë qenë të punësuar nga CEZ a.s.
Për të gjitha faktet mësipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, i janë shkaktuar shtetit shqiptar miliona EURO dëm ekonomik, të cilat përbëjnë vepër penale dhe që kanë nevojë për një hetim të plotë dhe të thelluar, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët e kësaj vjedhje të rëndë që i është bërë xhepave të cdo shqiptari.
Mirëpo, në vitin 2015, nga media janë bërë publike disa fakte të rënda, për një tjetër aferë të rëndë korruptive, që ka lidhje gjithashtu me kompaninë CEZ. Ish kryeministri dhe kreu aktual i parlamentit, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, studio ndërkombëtare ligjore e Qeverisë shqiptare “Clifford Chance” pretendon se Kreytari i Kuvendit ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.
Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011. Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA për mbledhjen e borxhit. Sipas raportit të avokatit ndërkombëtar të Qeverisë Shqiptare: “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion.”. Ilir Meta është i vetmi ish kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një video nga emision Fik Fare, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish ministrin e ekonomisë, Dritan Prifti.
Emri i Ilir Metës është lakuar si i lidhur me aferën e CEZ edhe nga ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hejsek. Hejsek në dëshminë e tij më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, thotë se Ilir Meta, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka negociuar që Çekët e CEZ të punonin me DIA, duke e prezantuar biznesmenin si njeriun që kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Clifford Chance shkruan që hetimi i rastit DIA-CEZ mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsioni dhe mashtrimit në Shqipëri.
Për vetë kompleksitetin që kanë këto dy cështje, si dhe për faktin se në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit (përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Energjitikës, Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, etj.), vlerësojmë se një hetim i pavarur nga ekspertë ndërkombëtar të organeve ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo vendeve të Bashkimit Europian, do të garantonte besueshmëri tek opinioni publik, se hetimi është i plotë dhe i përgjegjshëm. Hetimi nuk mund të kryehet vetëm nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare, për shkak se bëhet fjalë për të hetuar drejtuesit kryesor politik dhe shtetëror në vend. Presioni politik ndaj organit të prokurorisë dhe kërcënimet e vijueshme që i bëhen sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale, nuk krijojnë anjë premisë për të patur një hetim të plotë dhe të pavarur.
Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo cështje të hetohet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, nën një ekspertizë të specializuar ndërkombëtare. Askush dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të keqpërdor interesin e shqiptarëve dhe t’i vjedhë ato me skema mashtruese dhe kriminale. Një hetim i plotë ndërkombëtar, do të hidhte dritë mbi këto fakte të bëra publike, dhe do të rikthente besimin tek opinioni publik, se abuzuesit me pushtetin ndëshkohen.
Për këtë qëllim propozojmë për miratim nga Kuvendi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””. Ky projektligj ka për objekt përcaktimin e rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse, nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Qëllimi i ligjit është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithëanshëm të fakteve të bëra publike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës. Dispozitat e tij do të zbatohen për procedimet në lidhje me veprat penale për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë Shqiptare, që në çastin e miratimit të këtij ligji, janë nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht, propozohet që një strukturë e specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.”, të ketë mundësi të hetojë mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive; si dhe të hetojë mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuara për hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e ligji, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose vendeve të Bashkimit Europian, të cilat shprehin gadishmërinë për të ndihmuar në hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm të akuzave të bëra publike mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare. Objekt i marrëveshjes do të jetë caktimi i prokurorëve të organit ligjzbatues të huaj për të hetuar mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për personat përgjegjës.
Organi ligjzbatues i huaja, do të ketë të drejtë të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri; të marrë prova dhe të mbajë çdo dokument dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në përputhje me legjislacionin shqiptar; të këqyrë mjedise apo dokumente; apo të ndërmarrë cdo veprim procedural dhe/ose veprime të tjera, që mund të jenë të nevojshme për realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm, për përfundimin e hetimit dhe/ose përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim. Në cdo rast, nëse veprimet ose aktivitetet hetimore që ndërmerren nga organet ligjzbatuese të huaja duhet të mbështeten nga një vendim prokurorie apo gjykate, sipas ligjeve shqiptare, procedohet pa asnjë vonesë në përmbushjen e tyre nga autoritetet shqiptare. Ekzekutimi i çdo veprimi, që kërkon forcë ose kufizon të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryhet në pajtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Çdo autoriteti shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligjzbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, çdo informacion për veprat penale që kanë lidhje me cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil, apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit.
Në përfundim, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, Qeveria Shqiptare ka hequr dorë nga cdo procedim (përfshirë procedimin penal) për cështjet që lidhem me aferën CEZ Shpërndarje. Ky ndalim, përvecse del jashtë fushës së veprimtarisë së një marrëveshje tregtare mirëkuptimi, cenon autoritetin e prokurorisë për të ndëshkuar cdo krim që kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qeveria, e vetëdijshme se në cështjen “CEZ Shpërndarje” janë konsumuar vepra të tmerrshme penale, për shkak se është shkaktuar një dëm financiar në miliona Euro, ka tentuar ti jap vetes dhe zyrtarëve të CEZ, imunitet dhe paprekshmëri nga ndjekja penale. Pra, me pak fjalë ka tentuar të amnistojë cdo krim të kryer.
Ky është një parashikim i papranueshëm në një shtet demokratik, sepse cdo krim, pavarësisht nëse kryhet nga Kryeministri, ministri, apo zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, apo nga kompani të fuqishme tregtare, duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye, projektligji parashikon se cdo dispozitë ligjore në fuqi, përfshirë dispozitat e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, të cilat pengojnë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin, apo dënimin, e personave që gjenden përgjegjës penalisht për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare, shfuqizohet. Miratimi i këtij projektligji, jo vetëm i hap rrugë një hetimi të plotë dhe real për aferat e mësipërme korruptive dhe antiligjore, por mbi të gjitha provon se Shqipëria është një shtet demokratik, kur krimet hetohen dhe autorët/përgjegjësit ndëshkohen sipas ligjit. Është momenti që cdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, mbi interesin e ngushtë personal apo partiak, të vendos interesin publik dhe mirëqenien finanaciare të shtetit dhe qytetarëve shqiptar.
KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
DEPUTETI EDI PALOKA
KOHA JONË SONDAZH

