Propozimi i Blushit: Parlamenti të bëhet me 100 deputetë
Zgjedhjet parlamentare po afrojnë. Shpesh herë është diskutuar për numrin e deputetëve. Për disa numri 140 është shumë. Në të njëjtën linjë është dhe Kryetari i partisë Libra, Ben Blushi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur skeptik mbi mundësinë që parlamenti i ardhshëm të jetë më i pranueshëm se ky që kemi aktualisht.
“Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaçeve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament, duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra”, ka deklaruar Blushi.
Sipas Blushit, një mënyrë për ta përmirësuar situatën është kufizimi i mandateve të deputetëve në 100 njësi.
“Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për të penguar ujqërit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë”, ka shtuar Blushi në postimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

