Protesta, Boçi: Provokimeve do ju përgjigjemi me qetësi, Rama ka dy rrugë

Flet për “Koha Jonë”, deputeti demokrat, Luçiano Boçi tregon për protestën e së  hënës

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partia Demokratike po përgatitet për të përshkallëzuar protestën e saj, nisur me bllokimin për një orë të rrugëve kryesore. Të hënën, opozita e bashkuar, ka pohuar se do bllokojë akset rrugore, si një sinjal të një aksioni qytetar. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një intervistë për “Koha Jonë”, shprehet se, bllokimi i rrugëve është një protestë qytetare me simbolikë të theksuar. Por a do të jetë kjo një protestë e dhunshme? Deputeti i mohon kategorikisht indikacionet që të çojnë tek dhuna, por nuk mohon se ka informacione se individë të infiltruar shkaktojnë provokime. Më tej Boçi nënvizon se:”Rama ka dy rrugë: ose t’i lërë vendin zgjedhjeve të lira duke dalë normalisht nga dera “e zezë” e Kryeministrisë ose për “të zezën e vet” të vazhdojë të ngulë këmbë si mushka. Zgjedhja tani i takon atij. Ne e kemi bërë tashmë prej shumë ditësh tonën”.

Z.Boçi, opozita do të përshkallëzojë protestën nisur nga e hëna, ku do të bllokojë disa nga akset kryesore kombëtare në vend. Cili është skenari i këtij aksioni? Do të jetë paqësore apo edhe mund të degjenerojë në dhunë?

Do jetë një protestë qytetare me simbolikë të theksuar. Bllokimi i akseve nuk është qëllim në vetvete, por sinjal i fortë i inicimit të një aksioni politik qytetar mosbindës, në të gjithë territorin e vendit. Kohëzgjatja është e paracaktuar në një orë, nga 11:00 deri në 12:00. Dhuna është tërësisht e përjashtuar nga ne. Provokimeve të stimuluara, të cilat nga informacionet tona nuk do të mungojnë nga individë të caktuar të infiltruar ose dhe nga forcat e rendit të urdhëruara, do t’i përgjigjemi me qetësinë e 64 ditëve të protestës. Kultura e re e të protestuarit paqësisht është tashmë vendosur nga ne. Kjo nuk do të thotë që ne do të tolerojmë në infinit neglizhencën, asnjë presionin qeveritar e aq më pak çdo lloj forme dhune, të atyre që janë përgjegjësit e rrënimit të demokracisë e dhunimit të votës së lirë.

Durimi nuk mund të jetë i sosur për një Kryeministër i cili për pleshtin e pushtetit të vet kërkon të djegë gjithë Shqipërinë. Durimi është sosur për qytetarët që shohin çdo ditë t’i vritet shpresa, t’i rrëmbehet dinjiteti, t’i grabitet vullneti i lirë, t’i përçudnohet fjala, të rripet e vidhet nga hajdutë të bërë politikanë e politikanë të shndërruar në hajdutë.

Z.Basha ka thënë përshkallëzim të protestës, çfarë do të thotë kjo?

Akti simbolik i së hënës do të pasohet dhe me aksione të tjera masive dhe me mesazhe të qarta, në të drejtën që ka çdo opozitë për të mos lejuar që vendi të rrëshqasë drejt një autokracie banditeske me një demokraci fasadë, fatet e së cilës nga duar e njerëzve kanë kaluar në duar e bandave që Shqipërinë e shohin si territor sundimi, ku mund të bëjnë ligjin dhe jo të drejtohen nga ligji. Në aksionin tonë ne nuk jemi nisur për të bërë sehir Ramën, por për ta detyruar Ramën që me hir ose pahir t’i hapë rrugë votës së lirë me një qeveri teknike si garante e vullnetit të zgjedhësve. Qytetarët dhe fatet e tyre nuk mund të jenë peng i një deliranti që kujton se është “i lidhur” nga “ndërkombëtarët” e tij, tek qendra e botës, dhe as të një mashtruesi lagjeje i rrethuar me të fortë lagjeje. Rama ka dy rrugë: ose t’i lërë vendin zgjedhjeve të lira duke dalë normalisht nga dera “e zezë” e kryeministrisë ose për “të zezën e vet” të vazhdojë ngulë këmbë si mushka. Zgjedhja tani i takon atij. Ne e kemi bërë tashmë prej shumë ditësh tonën.

Protesta do të mbarojë brenda disa orëve apo do të vijojë pa orar në të gjithë vendin?

Është e fiksuar nga ora 11:00-12:00, njëkohësisht në të gjitha akset kryesore të vendit. Këtu nuk ka vend për ekuivok skenarësh.

Negociatori gjerman, David McAllister do të vijë pikërisht në fillim të javës, i cili do të tentojë të zgjidh ngërçin politikë. Sipas jush, a do të jetë java e ardhshme vendimtare për gjetjen e konsensusit?

Java e ardhshme pritet të përvijojë rezultate të pritshme për konsensusin, konsensus që fillon me ngritjen e qeverisë teknike e vazhdon me pikat e tjera që përfshijnë rregullimin e klimës zgjedhore dhe vendosjen e teknikaliteteve që ndihmojnë mosdevijimin e mosvjedhjen e votës. Qeveria teknike kësisoj nuk është kusht, por është porta për të hyrë në konsensus. Vendosmëria jonë nuk është kaprico politike, por është modalitet i domosdoshëm politik për t’i dhënë vendit zgjedhje reale, të padiskutuar nga krimi, nga blerja nga presioni apo çdo lloj veprimi që e shtrembëron votën e lirë. Në këto momente nuk bëhet fjalë për pushtetin e një partie por bëhet fjalë për fatin e sistemit për fatin e demokracisë. Kauza jonë nuk është kauzë e ngushtë politike por është kauzë qytetare, për qytetarët e për vendin. Ne nuk jemi nën emocionet e rotacionit politik por jemi në shqetësimin e humbjes tërësore të vlerave për të cilat përmbysëm diktaturën më të egër dhe për të cilën kemi i investuar dhe ëndërruar tashmë 26 vite.

Në media po përflitet se opozita ka skenarë të rrethojë Kryeministrinë, mund të na flisni pak më shumë për këtë plan të mundshëm të PD-së? Do të tentohet të “shkarkohet” të martën Kryeministri?

Këto i përkasin tufës së lajmeve “fake” për të sfumuar vlerën e protestës së opozitës dhe qytetarëve. Në 64 ditë atje atë Kryeministër fare mirë mund ta kishim kapur prej veshi 64 katër herë. Nuk është kaq trim pavarësisht se rrethohet me “të fortë”, sepse ka treguar që e trembin jo vetëm kapsollat e fishekzjarrët, por dhe tullumbacet kur plasin. Por ne kemi vendosur ta bëjmë që t’i mbushet mendja e jo ta bëjmë thjeshtë të mbushë poturet. Shkarkimi i tij tashmë de fakto nga ne e qytetarët është bërë. Po presim vetëm formalizimin de jure që nuk është i largët.

Ky përshkallëzim i protestës, do të vijojë me zgjedhjet në Kavajë. Cili është skenari i PD-së në ditën e zgjedhjeve? Pengesë e procesit zgjedhor apo bojkotim nga ana e qytetarëve ndaj zgjedhjeve?

Zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë. Protesta do jetë madhështore me mesazhe të qarta e të sakta. Ne, Kavaja, Shqipëria nuk e negociojmë dhe nuk do ta lejojmë vdekjen e demokracisë në Shqipëri.

SHKARKO APP