Protesta e 22 Nëntorit/Selami: Do ballafaqojmë Kryeministrin me realitetin e hidhur që ka krijuar
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” nga gazetari Bashkim Hoxha, Selami i ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim e veçanërisht socialistëve të zhgënjyer, që të marrin pjesë në këtë protestë dhe për t’i dhënë të kuptojë Kryeministrit se realiteti i premtimeve të pambajtura nuk është një telajo, të cilën mund ta fshish kur nuk të pëlqen.
Deputeti demokrat tha se Qeveria nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e saj, ndërsa u ndal vecanërisht në premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës dhe shëndetësi falas. Por gjithashtu, sipas Selamit, kjo Qeveri nuk mund të pretendojë se po zbaton shtetin ligjor kur shkon dhe terrorizon familje në mes të natës apo prish ndërtimet pa asnjë paralajmërim.
“Premtuan 300 mijë vende pune, ndërkohë që papunësia është rritur. Premtuan shëndetësi falas, ndërsa sot askush nuk e përmend më. Shkojnë në mes të natës dhe terrorizojnë familje duke i prerë energjinë, kur dihet se këto familje nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë të papunë. Shkojnë dhe prishin ndërtime, në një kohë kur prona private është e shenjtë”, tha deputeti demokrat.
Në vijim ai shtoi se më 22 Nëntor do të protestohet kundër paligjshmërisë, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kundër mos mbajtjes së premtimeve,pasi kjo Qeveri ka një nga bilancet më të këqija për realizimin e premtimeve që ka bërë dhe realizimit të tyre.
“Ne nuk po protestojmë për të mbrojtur ata që nuk paguajnë, por ne po protestojmë kundër paligjshmërisë. Ne mbështesim shtetin ligjor dhe zbatimin e cdo ligji nga cilido, por nuk mund të mbështesim veprimet e paligjshme”, theksoi deputeti demokrat.
Shembulli më konkret që solli Selami në studio ishte ai i fermerëve të Belshit; atyre iu premtua se do të mbështetej kultura e duhanit, se ajo do të merrej me një çmim prej 6 mijë lekësh, ndërkohë që po merret me rreth 1.5 mijë lekë. Socialistët e Belshit janë të shqetësuar për këtë dhe i kanë telefonuar Kryeministrit, por tani, ai nuk iu hap atyre as telefonin.
Por, a janë problemet aktuale, një trashëgimi i qeverisjes së kaluar? “Jo, – u përgjigj Selami, – Ky është spekulim! Kapitulli ynë është mbyllur më 23 Qershor dhe është hapur një i ri. Kjo e tanishmja nuk mbulohet me këtë spekulim, nuk është profesionale, sepse njerëzit i besuan premtimeve."
Në lidhje me pritshmëritë e protestës, Selami tha se janë të mëdha, por sipas tij mos pretendohet se cdokush që ka problem, që është i papunë apo i varfër do të jetë nesër në protest, pasi ai e ka të pamundur për të qenë pjesëmarrës.
KOHA JONË SONDAZH

