Protesta, Kërpaçi: Të rinjtë si tremben dhunës, edhe nga PS kërkojnë që Rama të largohet

Intervistë për “Koha Jonë”, kryetarja e LRI-së: Opinioni publik, ai ndërkombëtar, figura brenda PS, e çdo qytetar i thjeshtë që është nën presionin e Rilindjes kërkojnë largimin e Ramës

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Të rinjtë nuk i tremben dhunës, intimidimit apo formave burracake të përdorura kundrejt tyre, prandaj në datë 16 shkurt, do të jetë një protestë masive e të rinjve dhe të rejave të vendit të cilët do të kërkojnë largimin e kryeministrit”, është ky mesazhi i fortë që vjen nga deputetja e LSI-së, njëherësh edhe kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrimin, Floida Kërpaçi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kërpaçi tregon më shumë për protestën e kësaj të shtune përballë Kryeministrisë. E pyetur pse opozita thërret shqiptarët në protestë, ajo jep disa nga arsyet. “Premtimet e pambajtura të tij, arroganca e pushtetit, taksat e larta e të padrejta, varfëria ekonomike ku ka zhytur familjet shqiptare, hallet që vetëm rriten mbi shpatullat e dobëta të popullit”. Për më tepër, Kërpaçi nënvizon fort se largimin e Ramës nuk e kërkon vetëm opozita. “Të gjithë njerëzit, opinioni publik, ai ndërkombëtar, figura brenda Partisë Socialiste, e çdo qytetar i thjeshtë që është nën presionin e Rilindjes kërkojnë largimin e Edi Ramës”. Më fund, deputetja thotë se Kryeministri Rama ka vënë në rrezik hapjen e negociatave me BE-në. “Integrimi Europian i Shqipërisë meriton çdo sakrificë dhe data 16 shkurt i shërben pikërisht këtij misioni madhor”.

16 shkurti po afron por si do të largohet Edi Rama nga pushteti? A ka një skenar opozita që mund të çojë vendin drejt një aksion radikal për largimin e kryeministrit?

Është tashmë e faktuar se Edi Rama i vodhi zgjedhjet, pra i vodhi pushtetin popullit. Do ishte një moment i mirë që ai të reflektonte dhe të largohet. Të gjithë njerëzit, opinioni publik, ai ndërkombëtar, figura brenda Partisë Socialiste, e çdo qytetar i thjeshtë që është nën presionin e Rilindjes kërkojnë largimin e Edi Ramës. Vendi ka nevojë për një qeveri tranzitore, e cila do të ngjallte besimin e të gjitha palëve tek zgjedhjet e lira, të ndershme dhe në funksionimin normal demokratik të institucioneve, në zbatimin e reformave të domosdoshme për sfidat që kemi përpara. Nga komunikimet që kemi me qytetarët, protestat  e njerëzve të thjeshtë që shpresa u është vjedhur, e bukën e tyre po e hanë oligarkët që mbajnë Ramën në pushtet padrejtësisht, do të jenë të pandalshme. Sinjali për tu larguar, Edi Ramës i ka ardhur edhe nga Washingtoni. “Zëri i Amerikës” publikoi përgjimet zyrtare të Prokurorisë, ku faktohej se Rilindja në zgjedhjet e 2017 ka bashkëpunuar me krimin për të manipuluar zgjedhjet dhe blerë votat. Ai mund të mbylli gojën e prokurorisë këtu por kur vjen nga media zyrtare e Departamentit te Shtetit të SHBA, kuptohet që është momenti të bëhen gati valixhet. Premtimet e pambajtura të tij, arroganca e pushtetit, taksat e larta e të padrejta, varfëria ekonomike ku ka zhytur familjet shqiptare, hallet që vetëm rriten mbi shpatullat e dobëta të popullit, janë të gjitha arsye për të protestuar në datë 16 dhe gjithë këto halle populli do i kthejë në forcë për ta bërë datën 16 shkurt, një moment reflektimi të thellë shoqëror ku do ti vihet fundi njëherë e përgjithmonë modelit qeverisës të papërgjegjshmërisë, ku ata që paguhen me taksat e qytetarëve nuk kujdesen për hallet e vërteta të popullit.

Çfarë pritet të ndodhë para kryeministrisë më 16 shkurt dhe çfarë duhet të presin shqiptarët pas 16 shkurtit?

16 shkurti është protesta e njerëzve, e shqiptarëve dhe e halleve të tyre. Kjo e shtunë e datës 16 shkurt është momenti për tu ngritur ndaj Ramës dhe qeverisë së Rilindjes. Ata premtuan më shumë vende pune, ulje taksash e më shumë zhvillim, të gjitha premtime të pambajtura. Në të vërtetë, familjet shqiptare kanë më pak vende pune, taksa më të larta dhe rinia jonë po largohet nga vendi sepse u mungojnë mundësitë dhe shpresa. Shqipëria është shtëpia jonë dhe duhet të ndalojmë largimin e rinisë. Kjo është arsyeja pse ne dhe qytetarët Shqiptarë po dalim në rrugë, për tu bërë zëri i të gjithë Shqiptarëve që janë lënë në baltë nga kjo qeveri. Për tu ngritur si popull për më shumë vende pune, për taksa më të ulëta, për arsim e shëndetësi më të mirë, në mënyrë që Shqiptarët të dëshirojnë të jetojnë këtu në vend të largimit. Të rinjtë çdo ditë po kërkojnë në mënyrë të pashpresë largimin nga vendi jonë, sepse nuk marrin arsim cilësor, nuk u garantohet punësimi i mirëpaguar dhe jetesa është bërë e papërballueshme. 79% e të rinjëve kërkojnë largimin e pashpresë nga vendi ynë, sepse politikat që ndiqen nuk i mbështesin dhe nuk iu japin mundësi të barabarta për të punuar dhe jetuar në Shqipëri. Në datë 16 shkurt, do të protestojmë kundër sistemit që Edi Rama ka instaluar në Shqipëri, sistemin e antivlerave ku të rinjtë, qytetarë, familjare me vlera, integritet dhe dëshirë për të punuar për vendin, nuk promovohen dhe suportohen sepse sistemi i antivlerave të Edi Ramës mbështet një grup njerëzish të lidhur ngushtësisht me krimin dhe drogën. Tani është koha për tu dëgjuar çdo i ri dhe e re, çdo qytetar i vendit tonë e për ti thënë qeverisë së Ramës, boll më me premtimet boshe. Tani është koha ta bëjmë Shqipërinë një vend ku të gjithë ndihen si në shtëpi.

Nëse kryeministri Edi Rama përdor forcën me policinë, ju si do të reagoni?

Kryeministri Rama mos të guxoj të përdori forcën e policisë kundër të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të vendit që do të protestojnë për familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Segmente të caktuara të Policisë së Shtetit nën urdhrat e Edi Ramës, janë futur në mënyrë të paligjshme në ambientet universitare, duke ushtruar dhunë ndaj studentëve. Përgjigjja që studentët dhe të rinjtë i dhanë këtij Kryeministri dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre ishin protestat masive me qëllim të vetëm largimin e Edi Ramës. Të rinjtë nuk i tremben dhunës, intimidimit apo formave burracake të përdorura kundrejt tyre, prandaj në datë 16 shkurt, do të jetë një protestë masive e të rinjve dhe të rejave të vendit të cilët do të kërkojnë largimin e kryeministrit. Do të kërkojnë largimin e Edi Ramës për përbuzjen që ka treguar ndaj të rinjve me politika denigruese duke detyruar 79% të të rinjve për tu larguar nga vendi ynë. Do të kërkojnë largimin e Edi Ramës, sepse ai ka shkatërruar të ardhmen e të rinjve në Shqipëri dhe të familjeve të tyre. Ajo që bashkon të gjithë qytetarët Shqiptar është dakordësia për nevojën e largimit të Edi Ramës, si e vetmja mënyrë për ti hapur një kapitull të ri zhvillimit ekononomik të vendit dhe për të çliruar familjet Shqiptare nga jetesa plot halle, strese, probleme që keqqeverisja e papërgjegjshmëria e Edi Ramës ka shkaktuar te ta.

Çfarë ndodh nëse Edi Rama nuk dorëhiqet?

I vetmi plan është shpëtimi i Shqipërisë nga Edi Rama për ti hapur rrugën hapave të nevojshëm që qershori 2019 të jetë muaji i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Edi Rama është i vetmi që nuk ka interes në hapjen e negociatave, pasi ai e di shumë mirë që nëse hapen negociatat nuk do ketë mundësi të mashtrojë shqiptarët, ti vjedhë ata me konçesione e PPP që ja jep miqve, apo të denigrojë të rinjtë, mediat, mjekët, pedagogët, etj. Por ne nuk mund të sakrifikojmë të ardhmen tonë, rrugëtimin europian të Shqipërisë e shqiptarëve për 1 njeri të vetëm. Integrimi Europian i Shqipërisë meriton çdo sakrificë dhe data 16 shkurt i shërben pikërisht këtij misioni madhor.

SHKARKO APP