Protestë në shesh për teatrin, sherr dhe akuza në Parlament

Seanca e sotme e Kuvendit është zhvilluar me tensione të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Socialistët kanë futur për miratim me procedurë të përshpejtuar ligjin që lejon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave në truallin e tij. Opozita deklaron se ky ligj është një vjedhje e hapur e pronës publike dhe një aferë korruptive. Deputetët e opozitës kanë premtuar se ligji nuk do të lejohet në kalojë, në asnjë mënyrë. Ndërkohë artistët të mbështetur nga qindra qytetarë kanë që në orët e para të mëngjesit të cilët protestojnë jashtë seancës së Kuvendit kundër miratimit të këtij ligji.

Debatet në Parlament

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka qenë më i ashpër së kurrë në foltore e Kuvendit. Ai ka akuzuar direkt Edi Ramën, ministrat e qeverisë dhe disa deputetë të PS-së për lidhje me krimin dhe afera të rënda kriminale. Akuzat e Bashës kanë sjellë reagimin e opozitës. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla tha se do të kërkonte përjashtimin e Lulzim Bashës për fjalorin e përdorur.
“Keni sjellë projektligj për të pastruar 200 mln euro të drogës dhe po përdorni procedurën me emergjencë. Mos zgërdhini, hajdutë, qepeni gojën, ruani rendin. Por që mos t’i përgjigjesh as pyetjeve të opozitës ç’kuptim ka, nëse bedelët e kryehajdutit nuk u përgjigjen pyetjeve, ca mendoni se jeni, po i vini flakën Kuvendit, thirrini mendjes. Ku ju çon mendja mor fatkeqë. Mendoni se do mbuloni vjedhjen e shekullit. Mendoni se do mbyllni gojën me një palo etike. Kodi i etikës është mos u merr me ministra të lidhur me krimin dhe drogën”,– tha Lulzim Basha.

Kreu i PD-së akuzoi deputetët të mazhorancës si persona të përfshirë direkt në trafik droge dhe ngjarje kriminale. Basha foli dhe për përgjime ku janë kapur deputetë të PS që kanë bërë pazare për trafikantë. “Ju kanë kapur përgjimet e huaja. Nuk keni më besimin e askujt, ua kanë hequr vizën”,- tha Basha duke ju përgjigjur akuzave të Sekretarit të PS-së, Taulant Balla
E ashpër në qëndrimet e saj ishte dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në fjalimin e mbajtur në Kuvend, Kryemadhi i bëri një apel ndërgjegjes së deputetëve të Partisë Socialiste. Ajo tha se sot ata kanë votat, por u kujtoi se mjaftojnë 100 veta për të zbythur mazhorancën, si në Rrugën e Kombit. “Ne sot nuk i kemi votat për ta rrëzuar ligjin famëkeq të vjedhjes së pronës publike. Ju i keni dhe shumë mirë, por ju e dini shumë mirë që mjaftojnë vetëm 100 veta për tu zbythyr nga krimi, vjedhja dhe hajdutëria juaj. Ju e patë shumë mirë se ç’ndodhi me rrugën e Kukësit sepse nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me taksën e Rrugës se Kombit, nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me taksën e Check-up-it të famshëm, nuk u mjaftuat duke i vjedhur shqiptarët me PPP-të”,- tha Kryemadhi.
Kryemadhi pati dhe një mesazh për Edi Ramën duke i kujtuar se nuk mund të blejë çdo gjë me para në këtë vend.
“Besoj në Zot dhe duke besuar në Zot uroj që edhe ju të Rilindjes të besoni në Zot për të ndërtuar themelin e familjes gjë që e keni shkatërruar. Unë do të jem në rresht të parë, prandaj e them këtë betim përpara rruspave të Edi Ramës. Rruspave që furnizohen me karburantin e krimit dhe parave të krimit dhe të drogës. Do të jem në rresht të parë, o Edi Rama, aty sepse ti nuk ke parë gjë akoma. Sot ti me paratë e drogës mbyll gojën e televizioneve. Sot ti me paratë e drogës blen pronarët e televizioneve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e deputetëve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e Prokurorisë. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e policëve. Sot me paratë e drogës mbyll gojën e dëshmitarëve. Por gojën e shqiptarëve të cilët nuk te besojnë më, nuk ke për ta mbyllur dot sepse ti je vetëm. Dhe duhet ta dish që paraja nuk është shok i mirë. Paraja është shok i keq që të merr në qafë dhe të hedh atje ku ti nuk pret dot”,- tha Kryemadhi.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ministri Arben Ahmetaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla ishin sot përfaqësuesit e PS që mbrojtën ligjin që sanksionon shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Ministrja Kumbaro tha edhe një herë se godina rrezikon shembjen dhe mund të sjellë rrezik aktorët gjatë punës së tyre.
Ministri Arben Ahmetaj, në përgjigje të pyetjeve të LSI, renditi llogaritë ekonomike të këtij projekti. Ai tha se për artin do të ketë më shumë investime dhe artistët do të ketë ambiente shumë më komode për ushtrimin e aktiviteteve.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se teatri do të bëhet, ndërsa akuzoi opozitës se proteston për çdo gjë të re që bëhet në Tiranë. Në fjalën e tij në Parlament, Balla tha se opozita nuk ka një axhende, pasi në një vit nuk ka sjellë asnjë pr/ligj në parlament. “Ndërtimi i Teatrit të ri është një lajm i mirë. Këtë e di edhe Luli dhe Saliu, e di edhe deputeti më vulë humbur i partisë së Lulit. Problemi i Lulit dhe Saliut është se ata e shohin çdo lajm të mirë për shqiptarët si lajm të keq për opozitën. Sikurse një javë më parë patë lajmin e mirë për negociatat. Sot po protestoni prapë. Por për çfarë protestoni?! Përgjigjja është e shkurtër, protestoni se nuk keni çfarë të bëni gjë tjetër. Ju nuk keni axhendë, nuk keni ekip, nuk keni program dhe le të më thotë njëri një pr/ligj që ka sjellë opozita. Se për të protestuar keni protestuar për gjithçka dhe kundër gjithçkaje”,- tha Taulant Balla.

Protesta e artistëve dhe qytetarëve
Qindra qytetarë, aktivistë dhe artistë po protestojnë sot para parlamentit. Ata bëjnë thirrje për moskalimin e projektligjit që do t’i hapte rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar. Kauzës së artistëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar u janë bashkuar edhe qindra qytetarë të tjerë, të cilët po protestojnë para parlamentit, ku deputetët priten të votojnë projektligjin e kundërshtuar për teatrin, të cilin qeveria Rama e ka hartuar si një masë të jashtëzakonshme për të shembur teatrin aktual kombëtar, duke i dhënë një pjesë të tokës publike kompanisë zhvilluese Fusha sh.p.k me qëllim ndërtimin e një teatri të ri.

FOTOGALERI/ CFARË PO NDODH SOT NË KUVEND DHE JASHTË TIJ

SHKARKO APP