Protestuesit në Serbi hynë Parlament, po në Shqipëri? Berisha tregon se si do ta rrëzojë Ramën
Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë shembullin e protestave të Serbisë, atje ku opozita nuk pranon zgjedhjet, duke bërë thirrje që ky model të ndiqet në Shqipëri.
Së pari dua të përshëndes opozitën serbe, e cila me zërin e saj po i tregon vendit, mobokratit, diktatorit të bazuar te bandat, Vuçiçit, padronit të Edi Ramës.
Ajo është një shkallë përgjegjësie ndaj vendit të tyre, ndaj vlerave të lirisë që ata besojnë.
E vërteta është dhe dua të garantoj çdo shqiptar, se Aleksandër Vuçiç nuk bën zgjedhje të lira. Por Edi Rama bën zgjedhje shumë më pak të lira se Aleksandër Vuçiç. Vuçiç dhe Rama përdorin Bjellovukët e tyre, banditët e tyre, përdorin mediat, përdorin rrugë të paligjshme për të kontrolluar votën.
Por Edi Rama këto mjete i ka shumë më të kontrolluara se Vuçiç.
Por çfarë duhet të nxjerrim ne një mësim dhe këtu është e gjithë përpjekja ime me ju të dashur miq dhe çdo qytetar shqiptar.
Secili nga ne duhet të shtrojë një pyetje: a ka zgjedhje me Edi Ramën, dhe nëse i japim përgjigje drejt kësaj pyetje, ne i japim edhe zgjidhjen problemit.
Por nëse ne mendojmë, gabojmë se ka zgjedhje me Edi Ramën, ne veçse bëhemi bashkautorë në një farsë elektorale të shëmtuar. Veçsa firmosim grabitjen e radhës të votës së shqiptarëve nga Edi Rama. Pra, çdo demokrat dhe opozitar, është koha e fundit të shtrojë pyetjen: a mund të bëhen zgjedhje normale me Edi Ramën? Cilido që mendon e garantoj se bën një gabim të rëndë politik të jetës së tij.
Me Edi Ramën, me makinerinë gjigante të blerjes së votës, me makinerinë e frikësimit dhe kontrollit të zgjedhjeve, me ushtrinë e terroristëve të kuq të votës siç janë patronazhistët dhe aktivistët, me gjykatat që kontrollon gjer në palcë, ata që besojnë se zgjedhjet me Edi Ramën mund të fitohen, ata bien në një utopi, ndërkohë që i bëjnë një shërbim të madh Edi Ramës.
Opozita e Beogradit u fut në parlament sepse mobokrati i Serbisë u grabiti votën. Opozita shqiptare duhet të largojë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile armikun më të egër të tyre dhe të lirisë së tyre. Unë besoj se kjo është rruga që duhet të ndjekin dhe ju garantoj se kjo rrugë është rruga e fitores.
Pra, në qoftë se jam sot këtu, në qoftë se unë vazhdoj këtë betejë, nuk do vazhdoja kurrë një betejë të humbur, nuk do vazhdoja kurrë një betejë që nuk fitohet.
Por jam i bindur se është në dorën tonë, në vullnetin tonë, në fuqinë tonë që të largojmë Edi Ramën dhe të fitojmë këtë betejë.
Kauza është e drejtë, e vërteta është në anën tonë. Nuk duhet të pranojmë kurrë këtë statuskuo që ekziston”, -tha Berisha ditën e sotme.