Protokoll kombëtar për virusin kinez/Manastirliu: Janë kryer analizat te 6 persona, kanë dalë negative

Mëngjesin e kësaj të hëne është mbledhur Task-Forca për koronavirusin në sallën e emergjencave në aeroportin e Rinasit. Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se në Shqipëri nuk ka rast dhe se në vend nuk mungojnë ekspertët. Ajo konfirmoi edhe njëherë se në Shqipërisë nuk ka asnjë rast me virusin e ri që e ka zanafillën në Kinë. Deri tani janë kryer analizat tek 6 persona, të cilat kanë rezultuar negative.

Manastirliu tha edhe se vetëm ditën e djeshme, me dyfishimin e personeleve mjekësore në pikat kufitare, janë vlerësuar dhe kontrolluar 4500 udhëtarë në total, të ardhur nga jashtë, veçanërisht nga Italia, ku koronavirusi ka shënuar viktimat e para. Ministria ka protokollin kombëtar të punës për të përballuar situatën, sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH-së. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, janë ata që trajnojnë bluzat e bardha në të gjitha shërbimet shëndetësore. Ministrja bëri të ditur, se strukturat e kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë janë vendosur në gjendje gatishmërie.

“Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH, janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar. Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti. Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin”.

Me përhapjen e koronavirusit në Italinë fqinje, në Shqipëri janë shtuar masat në pikat kufitare me dyfishimin e personelit mjekësor dhe me ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk. Në aeroportin e Rinasit, në portet e Vlorës e Durrësit dhe në pikat e tjera në vend, janë shtuar edhe masat mbrojtëse, me dizifektues, maska, dhoma izolimi provizor pranë këtyre pikave, për t’u spostuar më tej në karantinë spitalore nëse është e nevojshme.

https://arkiva.kohajone.com/urdhri-i-manastirliut-per-cerdhet-kopshtet-shkollat-dhe-universitetet/

https://arkiva.kohajone.com/ka-maska-per-te-gjithe-manastirliu-spitalet-jane-te-furnizuara-tregu-ka-mjaftueshem-stok/

https://arkiva.kohajone.com/task-forca-per-virusin-merkaj-policia-ka-nisur-hetimet-per-lajmet-qe-ngjallin-panik/

SHKARKO APP