PS arrogante me përjashtimet, PD lojë me bilbilat

Nga: Redjon Shtylla

Shumë pak deputetë të opozitës do të jenë pjesëmarrës në seancat e ardhshme plenare në Parlament, pasi Partia Socialiste me fuqinë e numrave që ka në Kuvend, përjashton çdo javë kundërshtarët, nga të dyja kampet e PD-së, por më shumë nga të Berishës. Viti 2023 nisi me kaos në Kuvendin e Shqipërisë, tempulli që ka në dorë jetën e çdo qytetari, dhe vijon fryma e sherrit dhe rrëmujës, njëjtë si të jemi para një metropoli.

Sot u përjashtuan me vendimin të Sekretariatit të Etikës edhe 6 deputetë. Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti nuk do të lejohen në seancë për 10 ditë, ndërsa Lindita Metaliaj është përjashtuar për 5 ditë dhe Greta Bardeli për 3 ditë.

Më 16 shkurt, Byroja e Kuvendit mbajti në fuqi vendimin e Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar për 10 ditë nga punimet Sali Berishën dhe Flamur Nokën, si dhe për 5 ditë Edi Palokën dhe Belind Këlliçin. Vendimi për gjashtë deputetët e tjerë u mor pas kërkesës së grupit parlamentar të PS-së, të cilët akuzojnë kolegët demokratë për pengim të vazhdueshëm të mbarëvajtjes së punimeve në seancat plenare.

A është normale kjo sjellje e maxhorancës me opozitën, kur maxhoranca ka qeverinë, dhe opozita vetëm fjalën? Përjashtimet po kthehen në një normë, dhe në Kuvend ka rregulla, por që duhet që të zbatohen për të gjithë. Si në rastin që një deputet i PS-së voton në vend të koleges në mungesë, apo edhe shumë izolim të hapësirës opozitare.

Kryeministri Edi Rama është në kulmin e arrogancës dhe abuzimit me pushtetin. Pas çdo skandali, para një opozite të dyshimtë, e kalon me një larje duarsh, pra i dorëzon ministrat. Fuqia e një qeverie dhe maxhorance është të tregojë aftësi dhe përmirësim të jetës të qytetarëve, kurse opozita të bëjë kritikën e duhur, të denoncojë abuzimet dhe nëse është e aftë edhe të dokumentojë aferat korruptive.

Zhurma nuk është arma që e demaskon një keqqeverisje, sepse përveç kaosit që krijohen, në Kuvend kalojnë dhe votohen projektligje që janë për Shqipërinë, pra opozita në vend që të gjejë gabime, i kalon ato me bilbila.

Pra një maxhorancë dhe qeveri arrogante nuk duhet dhe nuk është në rrugën që duhet të jetë një udhëheqje, dhe nga ana tjetër, nëse një opozitë bën lojëra me bilbila, me përçarje në grup, jo vetëm që nuk është alternativë për të nesërmen, por shuan çdo fije shprese që ata që duan rokadë dhe ndryshim të qeverisjes.

SHKARKO APP