PS: Basha shpërbleu të “pavarurit” Ristani e Bushati

Një ditë pasi Këshilli Kombëtar i PD-së zgjodhi ekipin e ri drejtues, Partia Socialiste ka ironizuar zgjedhjen e disa prej emrave në postet drejtuese të partisë më të madhe opozitare.

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti theksoi se tashmë është e qartë edhe për opinionin publik se shumë nga personat që deri dje kanë mbajtur poste drejtuese të institucioneve të pavarura, dhe që shpesh herë janë vënë nën akuzë për shkelje të ligjt, treguan sipas saj se kanë qenë në shërbim të PD, dhe tashmë janë shpërblyer nga kjo forcë politike.

Gjylameti u ndal tek ish-kryetarja e Autoritet të Mediave Audiovizive, Endira Bushati, e vënë shpesh herë nën shënjestrën e akuzave për shkelje të ligjit, tashmë drejtuese e departamentit të Administratës Publike në PD.

Gjylameti kujtoi edhe rastin e Nertila Qafzezit, e cila pak muaj më parë ishte në krye të së ashtuquajturës “protestë e pavarur” e të larguarve nga administrata. Por për deputeten e PS, ajo ishte kundërshtarja e Bushatit në postin e ri në strukturat e të djathtëve.

“Nuk do të kishim folur asnjë çast për zgjedhjet e brendshme në Partine Demokratike, nëse nuk do të kishte disa momente që shkojnë përtej PD-së dhe drejtuesve të saj dhe shënojnë disa fenomene tejet negative dhe të papëlqyera për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Për shembull, ish Kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, të famshmes AMA, zonja Endira Bushati, që në muajt e fundit ishte kthyer në simbolin e institucionit të pavarur nga politika, doli që paska qenë aq e lidhur me pushtetin e deri djeshëm, sa vetëm një javë pasi u zëvendësua nga Kryetari i ri i AMA-s, zonja Bushati u zgjodh në Kryesine e PD-së dhe u emërua drejtuese e Departamentit të Administratës Civile.

Por kush ishte personi që kishte përballë zonja Bushati në konkurrim? Askush më pak se ish organizatorja e grevës, gjasme të pavarur, të të larguarve nga puna. Pikërisht zonja që organizoi grevën e urisë dhe që pretendonte se ishte e pavarur nga politika dhe mbronte të drejtat e nëpunësve civil, vjen dhe konkurron për të hyrë në Kryesine e Partisë Demokratike”, tha Gjylameti 

SHKARKO APP