PS e akuzon se është i dëbuar nga Zvicra për drogë, reagon kandidati i Berishës: Ja çfarë kam bërë!

14 Maji po afrohet, dhe PS-ja ka kërkuar çregjistrimin në KQZ, të kandidatit të Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha që sipas tyre ka qenë i dëbuar nga Zvicra në 1997 për posedim të lëndëve narkotike.

Në letrën që është firmosur nga Eridian Salianji, Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PS, thuhet se Komisioneri duhet që të kryejë një hetim të plotë dhe të shpejtë ndaj Tushës, pasi sipas vlerësimit të tyre, ai nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë një kandidat.

Vetë Rezeart Tusha në një deklaratë për mediat, thekson se në KQZ ai ka dorëzuar formularin përkatës ku deklaron se ka një kundravajtje në Zvicër për shkelje të lejes së qëndrimit, dhe jo për lëndë narkotike sipas pretendon PS-ja.

”KQZ-ja më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qëndrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet”,-thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë

Të nderuar bashkëqytetarë të Shijakut dhe rrethinave. Të dashur vëllezër e motra shqiptarë! Siç mund ta keni parë, mediat pranë pushtetit, me porosi qeveritare, kanë nisur kundër meje një seri sulmesh bazuar në shpifje e shtrembërime.

Së pari, kjo dëshmon se i ka kapur paniku për humbjen pritshme më 14 maj, dhe shpresojnë ta mundin Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj në tavolinë. Përpjekja për të më skualifikuar mua si kandidat të koalicionit “Bashkë fitojmë”, nuk bëhet se u intereson e vërteta, por se e dinë se çfarë i pret në Shijak këto zgjedhje.

Së dyti, unë dua të sqaroj opinionin publik në lidhje me atë që qeveria dhe mediat pranë saj quajnë “dënim”. Fakt ky që ndodhet vetëm në imagjinatën e tyre, jo në dokumente zyrtare.

KQZ-ja më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qëndrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet.

Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ”dënim”, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit. Kjo është e vërteta me dokumente, të cilat do t’i vë në dispozicion të medias dhe publikut bashkë me këtë deklaratë.

Kjo është pjesë e luftës politike, përpjekje amorale e qeverisë për të më skualifikuar nga zgjedhjet. Nuk u vë faj, se u është bërë huq që, ose i vjedhin zgjedhjet, ose i fitojnë pa asnjë kundërshtar përballë. E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë. Për shijakasit e mi kam vetëm një thirrje: mos u trembni! Bashkë fitojmë!

SHKARKO APP