PS e sfidoi në basketboll e volejboll, vjen përgjigjia e LSI: Ne luajmë vetëm me pesha të rënda
Në një kohë kur nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me koalicionin PS-LSI, pasi kanë kaluar 4 vite që kur u firmos marrëveshja, ironitë mes dy palëve vazhdojnë edhe në rrjetet sociale.
Emiljano Aleksi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ka postuar një foto të animuar të kreut të LSI-së, duke ngritur pesha dhe bashkëngjitur saj shkruan: “Ne luajmë vetëm me pesha të rënda”.
Ky postim duket se vjen si një kundërpërgjigje e aktiviteteve sportive të kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Këta të fundit zgjodhën që këtë të shtunë ta kalojnë me aktivitete sportive. Nga njëra anë ishin Rama e Veliaj që sëbashku me disa gjimnazistë luajtën basketboll në fushat e reja tek Parku i Liqenit, dhe nga ana tjetër Tahiri i cili luan volejboll me disa të rinj në Pezë.
Në videon e postuar nga Tahiri në Facebook, ai shkruan: “Ne luajmë, ne fitojmë”, që në mënyrë të nënkuptuar mund të jetë një mesazh drejtuar LSI-së.