PS kërkon përjashtimin 10 ditë të dy deputetëve të PD: Ishin të pirë!
Partia Socialiste do t’i kërkojë Kuvendit të përjashtojë me 10 ditë nga punimet dy deputetët e PD-së, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.
Sipas socialistëve “për shkak të konsumit të pijeve alkoolike, dy deputetët bënë veprime të pahijshme dhe përdoren një fjalor banal gjatë procesit të votimit”.
Deputeti Leskaj tha se Kuvendi fillimisht duhet të marrë masë për kryeministrin që seancën e kaluar ofendoi deputetët e opozitës.
Dy deputetët demokratë, i kanë kujtuar Ramës se nuk mund të flasë me gjuhë rrugaçi ndaj deputetëve të opozitës njësoj siç ka bërë një ditë më parë kur i konsideroi “bedela”, “llaxore”, “të pafytyrë” etj. Edi Paloka deklaroi se nuk ka qenë aspak i dehur siç deklarojnë socialistët, por ka dashur të çoj në vend nderin e deputetëve demokratë.
“Absolutisht nuk kemi qenë të dehur. Por kemi qenë të revoltuar absolutisht po. Unë nuk isha në seancën e ditës së mërkurë, kur Edi Rama përdori një gjuhë rrugaçi në Parlament, ndaj kolegëve të mi parlamentarë. Sot kur ai hyri në seancë për votimin, thjesht gjeta mundësinë t’i kujtoja kush ka qenë dhe kush është. Mbase nga ata deputetë që janë në Parlament, e njoh pak më shumë Edi Ramën që kur ka qenë i ri dhe nuk mund t’i lejoj vetës dhe demokratëve të na fyej një njeri si ai. Është më minimalja që mund të bëj për demokratët të çoj nderin dhe dinjitetin e tyre në vend”, shprehet Paloka për ABC.
I pyetur për iniciativën e socialistëve për ta përjshtuar së bashku me Bujar Leskajn nga Parlamenti për 10 ditë, Paloka sqaron: “ Do të duhej që të ishte përjashtuar Edi Rama për atë gjuhë prej ordineri që përdori një ditë më parë. Janë fyerje që i kanë parë dhe dëgjuar të gjithë shqiptarët. Në ekran. Live. Këtë duhet të shohin socialistët”, tha Paloka.

KOHA JONË SONDAZH

