PS ndez motorrët elektoralë, Veliaj: Në 2025 fitojmë mbi 74 mandate, nisim turin për hapjen e partisë

Partia Socialiste ka ndezur motorrët elektoralë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Në një intervistë televizive, drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj shpreh bindjen se mazhoranca do të rikonfirmohet sërish në qeverisjen e vendit, duke siguruar mbi 74 vota.

“Unë besoj se i kemi të gjitha mundësitë që të qeverisim të vetëm. Dhe besoj fort që nëse nuk e bëjmë këtë me arrogancë, por e bëjmë me modesti, besoj se do të kemi një rezultat edhe më të mirë, mbi 74 mandate. Por siç thashë, kjo është si ajo toka që duhet punuar në çdo brazë, jo në disa zona të suksesshme dhe disa zona jo. Ambicia ime është që në të gjithë qarkun e Tiranës të kemi një fitore të njëtrajtshme. Pra, jo vetëm Bashkia e Tiranës, Kamza dhe Vora që kanë performuar mirë, por edhe Rrogozhina e Kavaja që mund të jenë në periferi të qarkut, por janë zona shumë të rëndësishme, pavarësisht se kanë më pak vota, për t’u siguruar që Tirana ka një rezultat të njëtrajtshëm në të gjithë sipërfaqen e vet, në të gjithë territorin e vet”, thotë Veliaj.

Kreu i Bashkisë thekson se me përqendrimin e popullsisë në qarkun e Tiranës dhe roli dhe pesha në zgjedhje merr një rëndësi të veçantë. ”Ne kemi një parti që është partia më e disiplinuar dhe partia më e madhe. Sigurisht Tirana ka një rol të veçantë se Qarku i Tiranës është i vetmi qark që vazhdon të rritet. Nëse në qarqet e tjera kemi tkurrje të popullsisë që përkthehet në tkurrje të mandateve, në Tiranë kemi rritje të popullsisë dhe rritje të mandateve. Prandaj, roli i Tiranës në çdo Parlament të ardhshëm do të jetë gjithnjë e më i madh. Nëse për disa kryetarë të tjerë ose drejtues të tjerë halli me të cilin përballen është tkurrja, sfida jonë është rritja, pra si do menaxhohet kjo rritje jo vetëm në menaxhimin e qytetit, por edhe mënyrën si kjo do të përkthehet në rritje të angazhimit politik”.

Duke u ndalur në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS të zhvilluar pak ditë më parë, Veliaj nënvizoi se në nga detyrat është sigurimi i një fitoreje lineare dhe një hapje të partisë kudo. Në kuadër të këtij procesi, Veliaj bën të ditur nisjen e turit në të 27 njësitë administrative të Tiranës.

”Është Tirana që ka 27 Njësi Administrative, kemi 3 në Kamëz dhe 10 të tjera që janë në Kavajë, Vorë, Rrogozhinë. Janë 40 degë që do të shkojnë në proces hapje. Ideja është që brenda pranverës ne të jemi gati. Kemi 1 vit që të komunikojmë mesazhin e fushatës, mesazhin e Edi Ramës Kryeministër dhe të mandatit tjetër të PS, ku kemi qenë, ku kemi mbërritur dhe sa lart duhet ngritur steka e të ardhmes. Unë besoj fort që Shqipëria e 2030 nuk ka të njëjtat sfida që kishte Shqipëria e vitit 2013 apo 2015. Sot gjithmonë e më shumë po shkojmë drejt punëve të reja. Edhe politikat tona, edhe retorika e partisë tonë duhet të jetë për këto punë të të ardhmes dhe për këto ekzigjenca të të ardhmes”.

SHKARKO APP