PS në garë me gra, PD me burra për 6 marsin
Nga: Redjon Shtylla
Afro 655 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashkitë në vend, që do të mbahen më 6 mars. Fillimisht përplasja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës se kush është PD-ja reale, u vendos nga Gjykata e Tiranës, e cila vërtetoi se Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike. Po ashtu Partia Demokratike është regjistruar në KQZ-së dhe ka dorëzuar edhe propozimet për listën e kandidatëve për anëtarë të KZAZ-ve.
Emiriana Sako e cila vijon të drejtojë Durrësin, ka gjetur mbështetjen e strukturave të PS-së. Kurse Lulzim Basha do të hyjë në garë me Luan Hotin, aktualisht kryetar i PD dega Durrës. Nga ana tjetër, Sali Berisha do të ketë kandidat Ardian Mukën. Në Shkodër socialistët do të garojnë me prefekten e qarkut, Majlinda Angoni.
Aktualisht Shkodra drejtohet nga kryetarja në detyrë, Voltana Ademi, e vetmja bashki që drejtohet ende nga demokratët. Kurse, emri më i kuotuar nga PD në këtë është Xhemal Bushati. Berisha është mes ish-deputetit Bardh Spahia dhe Voltana Ademit. Në Lushnje socialistët kanë propozuar për kandidate Eriselda Sefën, aktualisht është kryetare e komanduar në këtë bashki.
Ajo që bie në sy është që socialistët janë në garë jo me emra të fortë. Ata mesa duket po trajtojnë si një garë stërvitore dhe në garë janë me kandidate gra, që në disa bashki mbajnë postin e kryetarit. Edhe në qeveri më shumë se gjysma e ministrive janë gra. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, të paktën PS-ja po shkon në garë me emra jo të bujshëm politikisht.
Pa ulur vlerat individuale të kandidateve, mund të themi se ato nuk janë as personazhe kryesorë të PS-së. Kurse PD-ja vijon të qëndrojë tek burrat, kurse Sali Berisha tek emra që kanë mbështetje në zonat ku do të ketë zgjedhje.
Gara e 6 marsit për PS-në duket si limonatë, për sa kohë fituan edhe mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit, kurse për PD-në do të jetë një test, për të parë se në sa bashki do të fitojnë dhe nga ana tjetër, është edhe Sali Berisha, që ende nuk dihet sesi do të marrë pjesë në zgjedhje.