PS nis punën për Komisionin e Posaçëm për reformat dhe antikorrupsionin! Nuk do të ketë bashkëdrejtim
Rezoluta anti-korrupsion e Edi Ramës në parlament nuk u votua nga opozita dhe do të përkthehet në bojkot edhe të komisionit të posaçëm që do të ngrihet për këtë reformë. Deri më tani thirrjes së kryeministrit për t’iu bashkuar komisionit anti-korrupsion, nuk i kanë dhënë përgjigje as Rithemelimi e as grupi i Bashës, megjithatë mazhoranca ua ka prerë shpresat se ndonjë prej tyre mund të ulet në tryezë si bashkëdrejtues.
Nuk ka asnjë hapësirë që komisioni t’i nënshtrohet një drejtimi bipartizan pra me dy kryetarë, duke lënë kështu opozitën përballë zgjedhjes së vetme, të jetë anëtare e pakicës pa të drejtë vetoje apo negocimi.
Mazhoranca e vënë përballë kërkesës së shefit të qeverisë për të nisur menjëherë nga puna, është duke shqyrtuar mundësitë procedurale për ngritjen e këtij komisioni dhe çuarjen në votim në një prej seancave të ardhshme plenare.
Me 76 vota pro të mazhorancës Kuvendi miratoi mbrëmjen e 27 majit Rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Rezoluta, e propozuar nga vetë socialistët që më 7 maj bashkë me thirrjen për që ta votonte e gjithë politika, nuk mori asnjë votë opozitare.
Rezoluta sipas Partisë Socialiste është një përpjekje e madhe, një koordinim dhe fuqizim i mëtejshëm i tre pushteteve kushtetuese, legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit, që do t’i japë një goditje të madhe korrupsionit dhe do të realizojë reformat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.