Pse Basha duhet të shkonte vetë tek pista e drogës

Nga Andi Bejtja/Opozita po artikulon me mënyra të ndryshme, me forma të ndryshme, direkt dhe indirekt pakënaqësinë ndaj heshtjes së dy ambasadorëve Romana Vllahutin dhe Donald Lu, për fushat e mbjella me kanabis anembanë Shqipërisë.

Në media gjen shkrime ku nënvizohet ndoshta me të drejtë se Brukseli nuk informohet si duhet nga Vllahutin për shtrirjen e kanabisit në Shqipëri. Një nga gazetat besnike të opozitës për dekada, gazeta 55, nuk nguroi ta pagëzonte pistën 1.5 km, të ashtuquajturën “pistë të drogës” në Ishëm si “Pista Vllahutin”.

Të tjera shkrime hapen me titullin “ KU është zhdukur Ambasadori Lu”, “Pse hesht Ambsadori Lu”. Një fjalim i Kryeministrit Rama në Parlament, ku e paraqiti këtë heshtje si fletëlavdërimi ka ngritur me dhjetëra teori konspirative, që nga të njohurat tashmë se Rama ka një “deal” të madh me amerikanët, të cilët kanë mbyllur sytë për çdo “krim” të qeverisë, e deri tek ato më të thjeshtat, se liderë kryesorë të opozitës përfshirë dhe kryeopozitarin, kanë fushat e veta me kanabis nga të cilat nxjerrin përfitime.

Dhe unë personalisht, prisja një reagim, nga dy aktorët kryesorë ndërkombëtarë në Tiranë, Vllahutin dhe Lu, dhe sidomos nga ky i fundit, si ish prijës i dekriminalizimit, megjithëse ka kohë që e ka varur shpatën prapa një dere që nuk e dimë ku e ka godinën, por prisja dhe pres më shumë nga të gjithë nga opozita dhe lideri i opozitës.

Ka shumë njerëz që thonë duke ngritur supet: Po çfarë të bëjë më shumë opozita, po denoncon përditë? Ashtu sikurse ka edhe disa të tjerë që thonë çfarë pret më shumë opozita të ndodhë, po pret të bjerë ndonjë avion me drogë të oborri i Kryeministrisë?

Kanabisi po shndërrohet në një rrezik kombëtar për shumë arsye dhe mbi të gjitha rreziku primar për asgjësimin total të opozitës zyrtare në Shqipëri. E para dhe më kryesorja ajo që po dëgjojmë dhe po shikojmë, dhe disa aktorë po na e vërtetojnë, është se asgjë nuk po ndodh spontanisht dhe nga njerëz që mbjellin hashash për të siguruar mbijetesën apo bukën e gojës.

Gjithçka po ndodh e organizuar nga lart poshtë dhe jo nga poshtë lart dhe për më tepër duket se ka një depozitë të vetme që i mbledh këto para. Është e qartë se këto para mund të përdoren lehtësisht për blerjen e votave, në një kohë kur më shumë se një e treta e popullsisë shqiptare jeton me jo më shumë se dy dollarë në ditë. Po të bësh një llogari të thjeshtë në një peizazh ku voton 40 për qind e popullsisë, është vetëm rreth 17 për qind e shqiptarëve që vendos fatin e zgjedhjeve dhe rreth 5-6 për qind që e ndryshon rezultatin në çdo situatë. Me kaq shumë sa ka rënë tregu i votës me 20 $, çdo mazhorance fatkeqësisht nuk i duhen më shumë se 5 milionë $ për të ndryshuar rezultatin në të gjithë Shqipërinë.

Në një situatë kur dhe opozita dhe Partia Demokratike nuk po krijon frymë, Dibra mund të përsëritet lehtësisht në të gjithë Shqipërinë, me votim elektronik, pa votim elektronik, me ligj të mirë zgjedhor, pa ligj të mirë zgjedhor, me vëzhgimin e OSBE-së, të USA e të gjithë Botës Demokratike.

Në këtë situatë është tepër me vend shqetësimi i intelektualit dhe publicistit Fatos Lubonja për mungesën e rrotacionit. Nuk do të matet asnjëherë performanca e qeverisë, shqiptarët nuk do të kenë asnjëherë mundësi t’i vënë kësaj qeverie notën që meriton. “Qeveris keq dhe fito”, “Vidh dhe fito” po kthehen në psikozë rehatuese për Qeverinë. Dhe për të qetësuar ata zëra naivë që mendojnë se ekonomia shqiptare mund të marrë frymë nga kanabisi, sipas një raporti të një shërbimi sekret të një vendi fqinj, më shumë se 80 për qind e parave të fituara nga kanabisi në Shqipëri janë investuar jashtë Shqipërisë.

Por, ndryshe nga Lubonja, unë nuk mendoj se ky është rrezik putinizmi, se një pjesë jo e vogël e rusëve kanë disa arsye pse e duan Putinin, që lidhen me ekonominë, rikthimin e një krenarie kombëtare të humbur, etj etj. Këtu nuk ka asgjë të ngjashme, sepse nuk kemi as mafiozë vizionarë, që përveç vetes mendojnë dhe paksa për vendin. Këtu kemi thjesht mafiozë pushtet mbajtës, matrapazë votash, që nuk do arrijnë të quhen kurrë burra shteti, që pasi fitojnë me vota të blera, jo vetëm kërkojnë të na bindin që po qeverisin mirë, por fillojnë besojnë edhe vetë që po qeverisin shkëlqyeshëm. Në këtë dëshpërim dhe një pjesë e shqiptarëve e kanë gjetur zgjidhjen, me ikje, ose të paktën me ëndrrën për të ikur. Ndërsa opozita shqiptare, duket se nuk e ka gjetur zgjidhjen akoma dhe është me e rrezikuara për t’u asfiksuar.

Ka vetëm një zgjidhje: Opozita dhe lidershipi i saj mos bëjnë opozitë vetëm me konferenca shtypi dhe nga foltorja e parlamentit. Opozita dhe lidershipi i saj përpara se të shkojnë të qahen ne Bruksel dhe Uashington për Kanabisin duhet ta marrin kosën në dorë këtu. Nuk ka nevojë as për demonstrata, as për protesta, as për ngjirje zëri, as për trashje zëri.

Ndaj, si qytetar që mendon se fatet e Shqipërisë këtë herë varen dhe mos asfiksimi i opozitës,  prisja dhe pres që vetë Lulëzim Basha të shkonte te pista në Ishëm. Unë prisja dhe pres që vetë Lulëzim Basha me këmbët e veta dhe me kosë në dorë, së bashku me të gjithë deputetët e PD-së, mos shkojë të instalohet në Dibër, po të shkojë në çdo parcelë kanabisi kudo të jetë në çdo cep të Shqipërisë me kosë në dorë. Unë pres që dhe Majlinda Bregu dhe Eduard Selami, para se të merren me Bashën, të shkojnë dhe ata atje në fushat me kanabis me Kosë në dorë. Dhe pastaj të shikojmë çdo të bëjë Vllahutin, çdo të bëjë Lu, çdo të bëjë media ndërkombëtare, çdo të bëjë Uashingtoni e Brukseli.

Punëtorët e parë që duhet çmbjellin kanabisin në Shqipëri, nuk duhet të jenë ata policë që çohen me grafikë enkas, po vetë anëtarët e opozitës shqiptare me në krye Lulëzim Bashën. Lulëzim Basha duhet të rrallojë avionin dhe të shtojë furgonin me gjithë PD-në brenda, në të gjithë Shqipërinë, në çdo fshat, në çdo cep të saj, jo thjesht dhe vetëm për të shpëtuar vetveten, po për të shpëtuar gjithë Shqipërinë, nga një deformim i madh elektoral dhe nga ngjitja e krimit në sallonin VIP të politikës dhe në segmentet më të larta të shtetit. Ndryshe zyrtarizoni koalicionin me Edi Ramën dhe as mos qani e as mos u ankoni më për Dibrën dhe gjithë Dibrat që do vinë më pas.

Syri.net

SHKARKO APP