Nikoll Lesi: Djallëzia e kryeministrit në përplasjen me BE, synon spostimin e vëmendjes nga skandalet korruptive
Nga Nikoll LESI-
Edi Rama po shkon me vetdije në një përplasje publike me BE. Nuk ka ndodhur në këto 30 vite që një kryeministër të mos ndalojë në hovin e tij për të marrë gjitha pushtetet, kur Europa i bën thirrje të mos hedh hapa të tjerë që rrezikojnë demokracinë dhe kur sjellin përplasje të mundshme civile.
Natyrisht që ka patur, dikur, tendenca nga Presidenti Berisha ndër vitet 1992-1996, por edhe ai ndalonte kur dilte tabela ndërkombëtare me mbishkrimin STOP. Edhe kryeministri Fatos Nano frenonte kur përballë kishte bllok ndërkombëtarësh që e atakonin. Edhe kryeministri Ilir Meta ishte i kujdesshëm në raport me aleatët e rëndësishëm ndërkombëtarë.
Ndërsa Edi Rama ecën me vrik drejt përplasjes me Europën.
Dhe nuk e bën pa një qëllim.
Duke qenë prej muajsh, sidomos javët e fundit, nën breshërinë e opozitës, te një pjese të mediave te lira dhe krejt rrjeteve sociale kundër tij; atij, pra Edi Ramës i duhet patjetër një spostim vëmendje nga skandalet, sidomos nga ky i inceneratorëve. Edhe Prokurori më i thjeshtë dhe pa ndonjë eksperiencë e shikon se është një vjedhja e madhe në dhjetra milionë euro dhe që nuk ka Zot që e shpëton atë, apo ata, që kanë firmosur në një aferë haptazi korruptive. Së paku dy ministra dhe ish-ministra shkojnë në burg, pa hap e mbyll sytë, pra për një minutë.
Natyrisht që arrestimi i ministrave mund të sjellë hapjen e gojës së ndonjërit që nuk ja mban të rrijë në të ftohtin e dimrit në qeli.
Dhe po foli, sirenat shkojnë më lart në Qeveri!
Ndaj kryeministri, duke qenë mjeshtër në lojërat dhe shantazhet apo pazaret politike, e ka gjetur me djallëzi spostimin e vëmendjes nga skandali i fundit. Më mirë një zhurmë e madhe ndërkombëtare se sa arrestime në Tiranë, kjo është motoja e qeverisë në këtë rast. Sajuan përbukuri që krejt media e Shqipërisë dhe publiku të interesohet me shumë për enderrën europiane se sa të milionat e eurove që ka vjedhur qeveria, pra tani kazani zien se si Rama nuk pyet BE, se pse Gjermania nuk na jep vazhdimin e negociatave, se ç’tha komisioneri e si përgjigjet Elisa, se ca llomotit Taulanti dhe pse kryeministri e voton Kodin Zgjedhor duke mos dëgjuar Europën.
Asnjë fjalë më për inceneratorët!
Lojë e thurrur me kujdes, për momentin, e kryeministrit.
Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese janë shkatërrim i sistemit demokratik dhe vlerave europiane, ku synojmë të arrijmë, porse Edi Rama e ka në kokë skemën e përplasje me Brukselin, bile duke ditur se nuk do ti hapin negociatat e kapitujve, se nuk plotëson asnjë nga 15 kushtet, do mundohet në dhjetor kur të dështojë të justifikohet se “mos hapjen e negociatave BE-ja e bëri nga inati se nuk iu nënshtrova”. Pra jo se nuk është korrekte qeveria shqiptare, por ngaqë kundërshtoi BE-në, ata nga inati nuk i hapin konferencën e parë ndërqeveritare Bruksel-Tiranë.
Kjo mazhorancë, më pak përjashtime, e ka strategji të mirëpërcaktuar se më mirë një Shqipëri që mbretërohet nga Edi Rama me mikun turk, Erdogan dhe aleatin e ri Vuçiç se sa të ketë mbi kokë komisionerët dhe kontrollorët e BE.
Nëse fillojnë kapitujt e negociatave me BE, nuk ka më qe Edi Rama vendos pa kontrollin e Brukselit. Natyrisht deri në prill, pasi pas datës 25 ai ikën pa drejtim dhe nuk do ketë njeri që do ti hapi celularin më. As Elisa e Taulanti nuk e qasin më, mundet Damiani apo edhe ndonjë ministër që do ti telenojë nga burgu.
E megjithatë Edi Rama nuk është kundërshtar i lehtë. Ai mbart paksa nga Enveri (si diktator), nga Saliu i parë (si autokrat) dhe nga Nano (si korruptiv).
Kush e njeh Edi Ramën habitet se si ka ndryshuar 180 gradë nga ai Edi që shkruante në gazetën KOHA JONE, dikur ndër vitet 1992-1997 e ku pena e tij drithëronte regjimin e kohës.
Por ai ka shkruar me dorë dhe ka menduar me mendje se si do jetë Shqipëria kur ta drejtojë unë!
Dhe e pamë këto 8 vite!
Për të qenë korrekt me veten dhe të vertetën, Edi Rama në dy mandatet e para si kryetar bashkie në Tiranë punoi admirueshëm, por më pas… E dreqosi!
Dhe ja ku jemi, në momentin që ai duhet të iki.