Pse Edi Rama nuk shkon në Kosovë?

-Kryeministri shqiptar mungoi në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, mungoi dhe dje në ceremoninë e Kishës Katolike për falënderimin e shqiptarëve që përballuan eksodin gjatë luftës. Pas padisë së Haradinaj dhe fyerjeve ndaj liderëve të Prishtinës a mos kryeministri i Shqipërisë ka frikë të përballet me shqiptarët e Kosovës?

Gjatë një jave në Kosovë janë zhvilluar dy ceremoni solemne kombëtare ku drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar janë ftuar të marrin pjesë. E para ishte më 15 janar, përkujtimi i 21-vjetorit të Masakrës së Reçakut ku u vranë barbarisht 45 shqiptarë nga forcat paramilitare serbe. Ceremonia e dytë me përmasa kombëtare u mbajt dje në Prishtinë. Drejtuesit e Kishës Katolike në Kosovë, Dioqeza Prizren-Prishtinë organizuan një takim të titulluar “Faleminderit Shqipëri”, në shenjë mirënjohje për pritjen që shqiptarët u bënë shqiptarëve të Kosovës, në vitet 1998-1999, për shkak të gjenocidit të regjimit serb. Në të dyja këto ceremoni të rëndësishme për dy shtetet kryeministri Edi Rama ka munguar pa asnjë arsye bindëse. Si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama duhet të ishte në përvjetorin e Masakrës së Reçakut për të dhënë një sinjal të qartë ndaj qëndrimeve të Serbisë. Dy muaj më parë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç mohoi publikisht në emër të shtetit serb se vrasja e 45 shqiptarëve, mes të cilëve fëmijë dhe gra, është bërë nga Serbia dhe e cilësoi si një sajesë. Masakra e Reçakut është krimi makabër që bëri Millosheviçi e ku gjithë bota ktheu sytë nga tragjedia e popullit shqiptar në Kosovë dhe të vendosej ndëshkimi i Serbisë për krimet. Mohimi serb synon të zhbëjë gjithë luftën dhe jo vetëm një masakër. Ndaj dhe përkujtimi dhe dënimi i gjenocidit është jo vetëm nderim për viktimat, por dhe një mision kombëtar që bota të mos harrojë se kush ishin vrasësit dhe kush ishin viktimat në përplasjen mes serbëve dhe shqiptarëve për Kosovë. Edi Rama jo vetëm që nuk mori pjesë në këtë ceremoni, por nuk gjeti kohë të shkruante dy rreshta në rrjetet sociale si drejtues i qeverisë së Shqipërisë.  Mungesa e djeshme e Kryeministrit Edi Rama në Kosovë është sërish e pajustifikuar. Ipeshkëv i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji si organizator i aktivitetit, në mënyrë publike u drejtoi ftesa të gjithë autoriteteve shtetërore në Prishtinë dhe Tiranë që të merrnin pjesë në këtë takim. Në takim nuk munguan liderët e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, si dhe drejtues të institucioneve kryesore në Prishtinë. Aktiviteti zhvillohej për Shqipërinë dhe në këtë tryezë ftesës ju përgjigj Presidenti Ilir Meta, Ministri i Diasportës dhe ish-kryeministri gjatë kohës së Luftës së Kosovës, Pandeli Majko.

Mos pjesëmarrja e Kryeministrit të Shqipërisë, në një ceremonie të organizuar në Kosovë për Shqipërinë është sërish një sinjal neglizhimi që Edi Rama i bënë autoritetit të Kosovës. Edi Rama dje nuk ka pasur asnjë aktivitet publik dhe nuk ka asnjë axhendë të deklaruar për vizita jashtë shtetit. Ndaj në pamje të parë duket se thjesht e ka neglizhuar dhe njëherë Kosovën. Në këto mungesa ka dhe një pyetje që shtrohet për kreun e qeverisë lidhur me mungesën e tij në ceremonitë e shtetit tjetër shqiptar në Ballkan. A mos vallë Edi Rama ka frikë të përballet me liderët e Kosovës dhe i druhet reagimit qytetar në Prishinë? Dyshimet për këtë frikë përballje nuk janë të kota. Kryeministri Edi Rama, me qëndrimet që ka mbajtur, provokimet, sulmet verbale dhe paditë personale ndaj liderëve të Kosovës është kthyer në njeriun më pak të dëshiruar në Prishtinë. Provokimet e tij nisën që në vizitën e parë si kryeministër në vitin 2013, kur në fjalim kryesor në Parlament “harroi” të përmendte Ibrahim Rugovën duke fyer kështu historinë politike të Kosovës dhe LDK-së.

Tre vite më pas, po në Parlamentin e Kosovës hodhi idenë e Presidentit të përbashkët Shqipëri-Kosovë duke dëmtuar imazhin e një shteti që kërkon njohjen e pavarësisë. Në 2018 në skenë doli ideja e shkëmbimit të territoreve dhe mbështetja që Edi Rama i dha këtij projekti u cilësua si gafa e tij më e rëndë në raport me Kosovën. Kur shkëmbimi i territoreve u rrëzua, Edi Rama doli me një ide edhe më të dëmshme, Mini Shengenit-Ballkanit dhe krijimin e një zone të përbashkët me Serbinë, pa Kosovën. Sikur të mos mjaftonin gjithë telashet që i ka sjellë Kosovës, Edi Rama shkoi edhe më tej duke paditur kryeministrin Ramush Haradinaj. Pas gjithë këtyre gafave të dëmshme kundër shtetit tjetër shqiptar dhe reagimeve kundër tij që kanë arritur kulmin, a mundet Edi Rama të shkojë në Kosovë?

Mili Xhani

SHKARKO APP