Pse nuk është aq e vështirë ”lufta” për ndryshim?
Nga: Astrit Patozi
Për të ndryshuar politikëbërjen në Shqipëri nuk ka nevojë që t’i mundësh apo t’i rrëzosh të tre bashkë dhe, as secilin prej tyre veç e veç.
Ndaj nuk ka pse të mendosh dhe apo të ëndërrosh një betejë epike me balozë të zinj apo një revolucion me shpata, sepse, as ka për të ndodhur dhe, as është e nevojshme.
Mund ta arrish të njëjtin rezultat me qetësi, përkushtim dhe realizëm, duke mobilizuar kryesisht atë masë të madhe të zhgënjyerish, të cilët më 25 prill thjesht duhet të zgjedhin dhe më pas të numërohen si fuqia alternative.
Që do të thotë se mjafton t’u heqësh nga duart timonin vetëm dhe t’ua zbehësh sado pak atë forcë të pamerituar pushteti dhe automatikisht e ke realizuar objektivin e parë.
Në këtë sfidë, sa të bukur, aq edhe jo të lehtë, nuk ka nevojë, as për viktima dhe, as për heronj, por thjesht për pak kurajo dhe inteligjencë për të kuptuar se për çdo popull vjen një ditë ora kur thuhet boll. Dhe pikërisht kjo kohë ka ardhur.