Pse po e shtyn sulmin Irani ndaj Izraelit?

Analistët kanë thënë se ideja që Irani është duke e vonuar hakmarrjen, sepse po e shijon efektin psikologjik, është më shumë një arsyetim, sesa një strategji e mirëfilltë.

Ata janë pajtuar që debatet e brendshme intensive, kompleksiteti i koordinimit me grupet bashkëpunuese, dhe vlerësimi i rreziqeve të lidhura me sulmin, janë disa prej faktorëve që kanë kontribuuar në hezitimin e Iranit shkruan Europa e Lirë.

Zimmt ka thënë se Irani po përballet me “dilemë të madhe”, sepse derisa Khamenei dhe Garda Revolucionare Islamike e Iranit dëshirojnë të frenojnë Izraelin, ka zëra në Iran që janë të shqetësuar se një sulm i shkallës së gjerë mund të përfshijë Iranin në luftë me Izraelin, dhe madje edhe me Shtetet e Bashkuara.

Por nëse është marrë vendimi si të jetë përgjigjja pas vrasjes së Haniyehut, koordinimi me Hezbollahun dhe anëtarë tjerë të të ashtuquajturit Boshti i Rezistencës – rrjeti i grupeve rajonale të Teheranit – është një proces që merr kohë.

Një tjetër faktor që ndikon në vendimmarrjen e Iranit është edhe rritja e pranisë së ushtrisë amerikane në rajon, madje edhe më tepër sesa në prill, kur Irani e pati kryer një sulm të pashembullt me raketa kundër Izraelit.

Dëshira e Iranit është të kryejë sulm hakmarrës, jo aq dobët që të mos ketë as efekt simbolik, por edhe jo aq të fuqishëm që të shkaktojë një përshkallëzim të pakontrolluar, që çon drejt një lufte të madhe.

Prandaj, Teherani, ose do të detyrohet të kryejë sulm të zbehtë, ose një të tillë që rrezikon luftë të madhe.

Gjithë bota ka qenë në pritje të një sulmi “të shpejtë” iranian në dy javët e fundit, dhe kjo pritje ka rezultuar shpesh me histeri në rrjetet sociale, me parashikime që një sulm i Iranit dhe aleatëve të tij, përfshirë grupin militant të Libanit, Hezbollah, mund të ndodhë brenda orësh.

“Mendoj se ata e shijojnë këtë periudhë, duke e parë Izraelin në pritje, dhe duke paguar një çmim të madh ekonomik dhe psikologjik”, ka thënë Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Mirëpo, pritja është thikë me dy tehe që dëmton edhe Iranin me aleatët e tij.

“Ndikimi negativ në Izrael, qoftë stresi që shkaktohet, mobilizimi ushtarak, por edhe pasojat ekonomike, nuk janë të kufizuara vetëm në Izrael, por prekin edhe Iranin dhe Libanin”, ka paralajmëruar Michael Horowitz, shef i inteligjencës në Qendrën konsultuese Le Beck International, me bazë në Bahrejn.

SHKARKO APP