Publikoi raportin mjeko-ligjor, Meta në krah të Lelës: Dhuna dhe ato pamje të turpshme nuk kishin nevojë për ekspertizë
Gazetari Alfred Lela i dhunuar gjatë protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” shenja të dhunës në trup të shkaktuar nga policia mëngjesin e 18 majit, por edhe dëshminë mjeko-ligjore që e fakton një gjë të tillë.
Raporti konstaton një sërë shenjash dhune në sipërfaqe të trupit si maviosje, gërvishtje por edhe humbje ekuilibri apo marrje mendsh gjatë lëvizjes së qafës.
Kryeministri Rama, i ftuar në emisionin “Real Story” në Neës 24, mohoi që Lela të ishte dhunuar, ndërsa shtoi se policët kishin bërë detyrën, gazetari i vë përpara këto fakte.
Lela thotë po ashtu se po bëhet gati ta çojë çështjen në gjykatë.
Dhe lidhur me këtë ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili teksa shpërndan në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, shprehet se dhuna dhe ato pamje të turpshme nuk kishin nevojë për ekspertizë!
“Dhuna dhe ato pamje të turpshme nuk kishin nevojë për ekspertizë!”, shprehet Presidenti Meta në reagimin e tij.
Më herët, gazetari paralajmëroi nisjen e një procesi ligjor.
Statusi i plotë i Alfred Lelës
Eksperti mjeko-ligjor (i shtetit) ka parë këto shenja dhe të tjera, që specifikohen në raportin zyrtar, që Rama, Lleshi e të tjerë lokalë, por edhe ndërkombëtarët, të cilat e ngrenë zërin edhe për macet e humbura, nuk ua kanë zënë sytë.
Ja ku i kanë, në rrugë e sipër për në gjykatë. Ndoshta nuk i sheh as gjykata. Të gjithë këta bashkë mund të mos kenë sy, por, sa për vete, atë zë që kam nuk ma heshtin dot.