Pushtimi i Ukrainës/ Basha: Qeveria të bëjë një plan masash për të siguruar ushqime dhe karburant

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat, nisur edhe nga pushtimi rus i Ukrainës, tha se qeveria ”Rama 3” duhet të bëjë një plan masash për të siguruar ushqime dhe karburant.

”Qeveria të ulët TVSH për ushqimet e shportës nga 20% në 6%, të ulet taksa ”Rama” 240 lekë nga karburanti”,-tha Basha, duke treguar se këto janë dy propozimet e PD-së për krizën që mund të përhapet në Europë, e që do të prekë në këtë rast edhe Shqipërinë.

“Është e qartë për të gjithë se agresioni rus kundër Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimi i drithërave e karburanteve deri te shërbimet. Prandaj kërkoj që qeveria të bëjë transparencë për gjendjen e rezervave të shtetit, për planin e masave apo masat që ka ndërmarrë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve është e qartë për të gjithë. Më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të vështirë të sigurojnë ushqimin për fëmijët e tyre. Prandaj është parësore dhe e menjëhershme detyra që Qeveria të ketë gati një plan masash që të sigurohet rezerva ushqimore dhe t’i gjendet pranë familjeve në nevojë. Duhet menjëherë marrja e masave konkrete edhe në drejtim të pasojave që do të vijnë nga rritja e çmimet të naftës”.

SHKARKO APP