Qeveri Teknike; Deputetët: Kauzë unanime e opozitës

Reagimet e deputetëve për “Koha Jonë”: Qeveria teknike, një kauzë unanime e grupit parlamentar

 Nga: Redjon Shtylla

Pas miratimit me sukses dhe në unanimitet të Parlamentit shqiptar të reformës në drejtësi, partia opozitare më e madhe në vend ka artikuluar idenë e një qeverie teknike. Grupi parlamentar dhe kryetari Basha ka shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe kërkon kontributin e çdo force politike në këtë drejtim. Lulzim Basha i komunikoi opinionit publik kushtin e ri të PD-së dhe ajo lidhet me një qeveri teknike, që të përgatisë zgjedhjet e ardhshme, të lira dhe të ndershme. Basha ka nënvizuar se me Ramën Kryeministër dhe Tahirin ministër i Brendshëm, tjetërsimi dhe kriminalizimi i votës është i sigurt. Për të shmangur këtë, kreu i opozitës tha se duhet të krijohet qeveria teknike ose me marrëveshje politike (duke u ndarë LSI-PS) ose me protesta masive.

Swiss Digital Desktop Reklama

Partia Demokratike me aleatët e saj shprehen se kusht i vetëm që opozita të pranojë që të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës, janë me një qeveri teknike, e cila do të sigurojë që të ketë votë të lirë. Selia blu insiston se qeveria aktuale nuk siguron dot zgjedhje të lira, por ky kusht i ri nuk pranuar nga garda e vjetër e PD-së, të cilët janë shumë skeptikë. Në një reagim, ish-ministrja e Integrimit, aktualisht deputete, Majlinda Bregu nënvizoi se qeveria teknike duke ndarë Ramën nga Metën nuk mund të ndodhë, pasi është e pamundur që të ndahet çifti i palumtur që ka sytë tek pushteti.  Edhe Genc Ruli ka shtuar se krijimi i një qeverie teknike kërkon konsensus të gjerë politik, gjë që aktualisht nuk shikohet në horizont. Ai argumentoi se PD, LSI dhe PS kanë interesa krejt të ndryshme ndaj dhe qeveria teknike e kërkuar nga Basha ka shumë pak mundësi të ndodhë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Koha Jonë”, kontaktoi me deputetë të PD-së, për të mësuar si qëndron e vërteta e këtij kushti të PD-së dhe pse po kontestohet nga garda e vjetër. Kështu, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i pyetur nëse deklaratat e disa deputetëve kundër krijimit të qeverisë teknike, a e dëmtojnë grupin parlamentar ka theksuar se në të tilla deklarata ai nuk sheh asnjë gjë tjetër përveçse tituj sensacionalë dhe prononcime analitike lidhur me këtë çështje. Ai veçon gjithashtu se të tilla mesazhe nuk e dëmtojnë vendimin e opozitës. “Është e vërtetë që qeveritë teknike formohen në raste krizash politike. Po kaq e vërtetë dhe e sigurt është që kjo qeveri dhe ky Kryeministër kanë treguar qartazi, në raste konkrete (si zgjedhjet në Korçë apo në ato lokale në 2015), se nuk dinë dhe nuk duan të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme”,- ka shtuar Paloka.

Më tej, i pyetur nëse vendimi për një qeverie teknike u mor me miratimin e deputetëve të PD-së apo nga struktura të larta, Paloka ka pohuar se “ë këto kushte opozita ka deklaruar dhe është e vendosur të shkojë në zgjedhje me një qeveri që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, sido që t’i vëmë emrin”. Dhe teksa shqetësimi që kanë demokratët janë pikërisht zgjedhjet e ardhshme, të cilat po afrojnë e presin që PD-ja pret të dalë fituese, Paloka hedh idenë se nëse Kryeministri Rama nuk do të pranojë këtë kusht të opozitës, nuk do të pranojë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje, “atëherë të jeni të bindur se situata që do të krijohet, do ta bëjë të pashmangshme formimin e qeverisë teknike, por fatkeqësisht pasojat do të jenë më të rënda”,- ka përfunduar Paloka.

 

 

Reagimet e deputetëve

Albina Deda: Qeveria teknike, një  kauzë unanime e grupit të PD-së

Deputetja e Qarkut Lezhë, Albina Deda, e shikon qeverinë teknike si një siguri që votat nuk do të vidhen e nuk do të ketë të inkriminuar. Në një reagim për gazetën “KJ”, Deda ka theksuar se, “grupi parlamentar dhe kryetari Basha shtrin dorën e bashkëpunimit dhe insiston dhe kërkon kontributin e çdo force politike në këtë drejtim, ashtu siç insistuam për arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi”. Më tej, deputetja shton se kryeministri Rama ka dëshmuar se për të mbajtur pushtetin mbron kriminelët, hajdutët, imoralët, perversët, sulmon gjykatat, Presidentin, nuk njeh kushtetutën”. “Madje ju e patë të gjithë, shqiptarët e panë që me 139 vota me konsensus për reformën në drejtësi, nuk e la pa sjellë edhe votën e Armando Prengës për t’i bërë 140. Reforma zgjedhore është një shans si për Ramën dhe për Metën, për të treguar se i duan zgjedhjet e lira”. Gjithashtu, Albina Deda hedh poshtë idetë se vendimi i PD-së për qeveri teknike nuk është pranuar dhe mbështetur nga grupi, duke shtuar se: “vendimet e PD-së dhe kauzat që kemi ndërmarrë kanë qenë dhe janë vendime unanime të grupit parlamentar dhe kryesisë së strukturave drejtuese. Ka gjithmonë rrahje mendimesh, por qëllimi dhe shqetësimi i secilit prej nesh është që si këto kauza ti shërbejnë vendit, qytetarëve dhe parimeve për të cilat është krijuar PD-ja”.

Luçiano Boçi: Me këtë Kryeministër nuk ka proces zgjedhor të lirë

Edhe për deputetin demokrat, Luçiano Boçi të tilla lajme apo deklarata e ashtuquajtura kundra, në thelb nuk janë të tilla. I pyetur nga “Koha Jonë”, nëse të tilla qëndrime i humbin PD-së fuqinë për kushtin e ri, ai shton se:”Është diskutuar nga ndonjë deputet, arsyeja e një kërkese të tillë, e cila pavarësisht diferencave, konvergon në një pikë”. Sipas tij, kjo pikë lidhet me sigurinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lidhur me këtë, ai nënvizon se “këtu gjithë deputetët e PD-së janë të qartë dhe të vetëdijshëm që me këtë Kryeministër nuk mund të pretendohet një proces zgjedhor i drejtë dhe i lirë”. Më tej, duke folur për idenë dhe pse nevojitet një qeveri teknike, deputeti parashtron disa pika e që janë: “Rastet e shtuara të korrupsionit dhe marrjes së përfitimeve monetare nga menaxhimin i kontrolluar i kanabisit nga strukturat shtetërore, përforcon emergjencën e kësaj qeverie teknike. Jemi para një situatë të instalimit në Shqipëri të një demokracie-mall tregu. Mall këmbimi, të cilin e blen dhe e shijon ai që hedh paratë dhe jo të një demokracie vlerash e shërbyese të qytetarit. Kjo duhet ndryshuar urgjentisht dhe thellësisht! Autoret e shndërrimit të saj në të tillë “derexhe” nuk mund të jenë asesi garantuesit e shpirtit të saj që është vota e lirë”.

 Astrit Veliaj: PD-ja në qeveri teknike nuk shkon pa përçarjen e koalicionit qeverisës

 Ndryshe e sheh situatën deputeti Astrit Veliaj, i cili gjatë reagimit të tij për “Koha Jonë”, ka nënvizuar se secili ka këndvështrimin e tij, për të menduar se si është më e mira për PD-në. Veliaj shton se ata që nuk janë për një mazhoritet të ri, janë pak nga grupi parlamentar i PD-së. “Duke analizuar këto tre vitet e këtij koalicion PS-LSI, duket e qartë që nuk ka qenë një koalicion i qëndrueshëm, gjë që të cilën e kanë treguar përplasjet herëpashershme! Por a do donte partia demokratike një qeveri teknike? Po sigurisht, një opozitë ka si qellim rrëzimin e pushtetit në mënyrë demokratike pavarësisht se si ka funksionuar maxhoranca për çfarëdo lloj opozite do ishe e mirë qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”,- nënvizon deputeti. Gjithashtu, e rëndësishme veçon ai, është që PD-ja të punojë për të rritur elektorabilitetin e saj. Veliaj pohon edhe faktin se opozita nuk duhet të shpresojë tek patericat e ndonjë parti tjetër, për rolin e saj. “Por në asnjë mundësi nuk ka PD-ja për ta çuar në qeveri teknike pa përçarjen e koalicionit si shkak i mosmarrëveshjeve të tyre midis aleatëve të mazhorancës”,- shtoi Astrit Veliaj.

Mimoza Hajdarmataj: Qeveria teknike, grupi demokrat kompakt si me reformën në Drejtësi

Edhe deputetja e qarkut Kukës, Mimoza Hajdaramntaj shprehet se qeveria teknike është e vetmja mundësi që Shqiptarët të kenë besim te vota tyre dhe se qeveria aktuale nuk siguron zgjedhje të lira. Ajo shton më tej se: “PD dhe kryetari i saj z. Lulzim Basha kanë konfirmuar vazhdimisht qëndrimin se zgjedhjet e ardhshme politike duhet të bëhen vetëm sipas standardeve të një shteti ligjor, pra të lira, të pa trafikuara, të pa dhunuara e të pranuara ndërkombëtarisht. A mund ti sigurojë këto standarte Edi Rama, Saimir Tahiri apo i gjithë sistemi i inkriminuar qe ata kanë ngritur këto vite? Sigurisht që jo. Lidhur me këtë deputetja shton se: “Në këto kushte vetëm një qeveri teknike dhe një gjithë përfshirje politike do ta kryente këtë detyrë”.  Për sa i përket qëndrimeve dhe zërave kundër në grupin e saj, deputetja Hajdarmataj nënvizon se:” Nisur nga qëndrimet që kam konstant deri tani në forumet drejtuese, mua më duket se grupi është kompakt si për reformën në drejtësi ashtu edhe për qëndrimet e pritshme për reformën zgjedhore”. Për të qeveria teknike është një subjektizëm politik por si deputete e opozitës, shprehet se demokratët do të jenë të unifikuar për të arritur në një zgjidhje të logjikshme të kësaj emergjence kombëtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?