Qeveria do të rishikojë edhe tre koncesione
Koncesioni për administrimin e pullave fiskale, ai për markimin e karburantit si dhe llotaria kombëtare janë në prag të rishikimit, proces i cili mund ta çojë qeverinë në arbitrazh me kërkesa për dëmshpërblim prej miliona dollarësh.
Vetëm pak kohë më parë, deputetë të Komisionit të Ekonomisë i kërkuan Ministrit të Financave shpjegime në lidhje me anullimin e disa koncesioneve.
Pas përballjes me kompaninë çeke CEZ të cilës do ti paguajë një faturë të kripur, qeveria shqiptare duhet të mobilizojë sërish forcat për një tjetër çështje në arbitrazh ndërkombëtar për shkak të anullimit të kontratave.
Kompania amerikane “Rapiscan”, e kontraktuar në kohën e “qeverisë Berisha” për skanimin e mallrave në doganë, i është drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar për prishjen e kontratës nga qeveria shqiptare dhe ka kërkuar dëmshpërblim në shumën 359 milionë dollarë.
Po nuk përfundon këtu. Ministria e Financave aktualisht është duke rishikuar edhe tre koncesione të tjera të cilat janë kundërshtuar ashpër edhe prej biznesit pasi kanë kosto shumë të lartë .
Koncesioni i kompanisë austriake për adminsitrimin e pullave fiskale mbi mallrat e akcizës. Që nga momenti i aplikimit të këtij shërbimi 2 vite më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se për 10 vjet konsumatorët do ti paguajnë firmës private 140 milionë euro. Ministria e Financave tashmë po negocion për rishikimin e këtij koncesioni.
Një tjetër kontratë e debatuar por edhe e kundërshtuar fort nga kompanitë e karburanteve në Shqipëri është edhe Koncesioni i markimit të karburantit ose thënë ndryshe ngjyrosja e naftës dhe karburantit. Qeveria aktualisht është në diskutime edhe për rishikimin e kësaj praktike.
Në Shqipëri qarkullojnë rreth 2 milion tonë karburanteve në vit dhe duke bërë një llogari të thjeshtë, fitimi i këtyre kompanive të huaja shkon në rreth 100 milion euro në vit.
Një shumë kjo mjaft e konsiderueshme e cila mund të përfundonte në buxhetin e shtetit shqiptar.
Në bazë të marrëveshjes çdo subjekt duhet të blejë shërbimet në këto kompani, duke paguar 614 lekë për 1 mijë litra naftë të ardhura këto që do të përfundonin jashtë Shqipërisë.
Listës për rishikim të kontratës i shtohet edhe Lotaria Kombëtare e cila është kritikuar ashpër nga socialistët atëherë në opozitë. Por pavarësisht diskutimeve dhe dëshirës për anullim të këtyre koncesioneve, qeveria është në dilemë pasi kjo do të shkaktonte kosto të lartë në buxhet.