Qeveria e re, Edi Rama: Shqipëria e kësaj dekade do bëhet kampione në Ballkan
Sezoni i ri televiziv në emisionin ”Opinion” ka nisur me kryeministrin Edi Rama, i cili po flet për qeverinë e re të prezantuar sot nga ai vetë, ku shumica e ministreve janë zonja.
“Ajo që kam shprehur unë për nevojën e një transformimi të ri në PS dhe domosdoshmërinë e kalimit të PS në një stad tjetër, nga një parti që në aspektin e kapaciteteve të veta elektorale ka një makineri elektorale të pakonkurrueshme hë për hë, në një parti që krijon kushtet dhe hapësirat për të pasur jetë politike brenda saj dhe për të përfshirë në jetën politike të saj edhe ata jashtë saj në periudhën midis dy zgjedhjeve. Kjo nuk ka të bëjë fare me ministritë. Është çështje e një kulture 30-vjeçare”, tha ai.
Lidhur me dy prioritete kryesore të qeverisë së re, Rama tha se janë ato për ta bërë Shqipërinë kampione në Ballkan në turizëm dhe në eksportimin neto të energjisë.
“Prioritetet tona janë shumë të qarta se janë bërë me dije për publikun që në fushatë. Duhet pak durim që kjo skuadër të shkojë në parlament, aty do shpaloset dhe programi i qeverisë. Së pari, ne duam që Shqipëria e kësaj dekade të bëhet kampione në Ballkan për turizmin. Së dyti, ne duam që Shqipëria të bëhet në këtë dekadë eksportuese neto e energjisë. Qoftë e para, qoftë e dyta nuk janë dëshira të bazuara tek ëndrra për ta parë Shqipërinë në një nivel tjetër por janë të bazuara tek puna që kemi bërë dhe investimet janë bërë”.
Pjesë nga diskutimet
Edi Rama: Prioritetet janë bërë të qarta që në fushatën elektorale, do të bëni pak durim sa të shkojmë në Parlament dhe më pas do të shpalosim programin e qeverisë. Së pari ne duam që të dalim kampionë të Ballkanit.
Blendi Fevziu: Sa herë kemi garuar kemi dalë të fundit
Edi Rama: Me lejen tënde do garojmë.
Blendi Fevziu: Prano një këshillë se mandati i tretë të jep pak arrogancë.
Edi Rama: Më lër të flas.
Blendi Fevziu: Po, patjetër…
Edi Rama: E dyta është që Shqipëria të bëhet në këtë dekadë eksportuese neto e energjisë…