“Qeveria ka lënë në harresë studentët”, Kërpaçi: Të mbështen finaciarisht, edhe familjet e tyre

Ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi deklaron se qeveria ka lënë në harresë studentët në këtë kohë pandemie.

Në një dalje për mediat, Kërpaçi i bën thirrje qeverisë që të mbështesë financiarisht studentët dhe familjet e tyre.

Deklarata e plotë

Ndodhemi prej disa javesh të prekur prej pandemisë globale të Covid-19, ku krahas rrezikut për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tashmë po ndjejmë gjithnjë e më shumë edhe efektet shoqëruese të saj.

Ndërsa vlerësojmë me mirënjohje përgjegjshmërinë e treguar nga ana e qytetarëve për respektimin e masave të distancimit fizik, që kanë sakrifikuar shumë aspekte nga normaliteti i jetës së tyre, vërejmë se situata serioze e pandemisë e ka gjetur vendin tonë të paaftë dhe të papërgatitur nga ana institucionale për tu përballur në mënyrë efektive me pasojat ekonomike dhe sociale.

Prej më shumë se 1 muaji, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka propozuar qeverisë të subvencionojë të gjitha detyrimet e studentëve për vitin akademik 2019-2020. Ka kaluar më shumë se 1 muaj dhe nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Arsimit apo qeveria, çfare dëshmon dhe njëherë mungesën e përgjegjësisë dhe braktisjen e të rinjve.

Ministria e Arsimit ka dështuar në përballimin e situatës dhe i ka lënë mësuesit dhe nxënësit pa një strategji sesi do të vijohet me planin mësimor, duke e kthyer mësimin online në një aktivitet pa produktivitet real dhe në një stres për çdo mësues e cdo familje shqiptare.

Mungesa e një platforme të unifikuar të mësimit online, ka vendosur në kushte jo të favorshme mësuesit, nxënësit, prindërit e tyre, të cilët nuk kanë as aparaturat teknologjike por as mundësitë financiare për ta përballuar mësimin online.

Për këtë kanë ndikuar dy mashtrimet e mëdha të qeverisë, i pari drejtuar nxënësve dhe i dyti studentëve.

Qeveria shqiptare ka shpenzuar 3.5 mln euro nga taksat e qytetarëve për të blerë 5850 tableta me qëllim përfshirjen e teknologjisë në mësimdhënie, si dhe ka vendosur në dispozicion fond për digjitalizimin e teksteve shkollore. Sot këto tableta dhe libra digjital duhet tu shërbenin nxënësve që të mësonin, por asnjë nuk jep përgjigje ku kanë shkuar këto fonde sepse qartazi nxënësit as nuk po i përdorin dot këto tablete dhe libra digjital nuk ka.

Dhe i dyti, në paktin e dështuar per Universitetin, ku qeveria u angazhua për ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libra universitar online falas për studentët në gjuhën shqipe brenda qershorit te 2019! Ashtu si çdo gjë tjetër dhe ky është një mashtrim.

Komunikimet e shumta që kemi në të gjithë vendin si dhe diskutimet me ekspertë të arsimit, bëjnë thirrje alarmante për një zgjidhje sa më parë për sa i takon procesit të maturës shtetërore të këtij viti.

Maturantët janë lënë në harresë nga ministria dhe qeveria. Ne e kemi ngritur gjithmonë problemin e Maturës Shtetërore si një proces eksperimental që nuk i përgjigjet përkushtimit dhe sakrificës së të rinjve dhe familjeve të tyre e qe pikërisht në këtë moment nuk mund të dështojë për shkak të paaftësisë së Ministrisë për tu ulur dhe menduar për një plan strategjik për skenarët në vazhdim të situatës.

Cfarë do të ndodhë me maturantët? Po ata që nuk kanë mundësi për të ndjekur mësimin online do të penalizohen ?

Ministria e arsimit duhet të zgjohet nga gjumi dhe të publikojë programin orientues për maturantët! Nuk mund të lihen mijëra famije pa asnjë informacion dhe të merren vendime të rastësishme që do ti kushtojnë shumë të rinjve dhe të ardhmes së tyre.

Përballja me pandeminë, nuk duhet të justifikojë cënimin e të drejtave universale të njeriut apo të aspekteve të tjera të jetës normale. Arsimi është gjëja më e rëndësishme për brezin e ri, i cili nuk mund të lihet në udhëkryq duke zbatuar vendimarrje jo të mirëmenduara por të udhëhequr nga parimi i propagandës së Ministrisë së Arsimit.

Nga saktesimi i planit mësimor, te matura shtetërore dhe ndihma financiare për studentët, i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit, të marrin masa sa më parë për të zgjidhur kaosin e shkaktuar te gjimnazistët, nxënësit e shkollave dhe prindërit e tyre, që të lehtësohet presioni psikologjik dhe emocional që po demton brezin e ri.

SHKARKO APP